Në telajon e zemrës sime-Llesh Gjoka


Në telajon e zemrës sime

që kish humbur pa kuptuar

ti vendose të pikturoje gjatë

gëzimin e munguar ditëve

dashurinë që do të breronte

si një trill i magjive të reja.

Zgjodhe ngjyra të bruzta perëndimesh

dhe penelat prej reve

Zgjodhe atë që të pëshpëriti në vesh dashuria

dhe ta pranoi shpirti

i zhveshur nga mëkatet.

Bërë lutje të madhërishme

nën dritën e hënës së re

që kjo pikturë të jetojë gjatë

më gjatë se pikturat e Rembrandit.

Duke ndriçuar ditëve mashtruese të jetës

kur errësira do të bëhet kallauzi yt

e të gremisë drejt honeve të fatit.

Zgjodhe këndin e duhur në gjysmëerrësirë

në përkëdhelinë e krahëve të engjëjve

që të pëshpëritnin fjalë të ëmbla:

Duaje! Duaje fort jetën!

Se ajo s’ka të dytë, s’ka të dytë!

Gjithçka e more të bukur prej natyrës

nga zjarri i pyjeve në vjeshtë

nga limontia e qiellit të borës

nga grija e harbimit të dallgëve

pak okër nga fruta të pjekura

e sa e sa të tjera.

Gjithçka e more të bukur, të qëllimtë

ashtu në heshtje të butë ëndrrash

për tu bërë dritë prej ngjyrave

dritë prej shpirtit

këndej dhe përtej jetës.

Mund të jetë një ilustrim