Në tren-Preng Maca


NË TREN

Zhurma e trenit që lëvizte ndjehej qartë dhe dukej sikur e kishe brenda vetes tënde diçka te fshehtë dhe misterioze. Ngjante me një këngë që fillon dhe kumbon në qenien tënde që është pjella jote dhe ajo që të zotëron.

Ajo qëndronte përballë meje dhe unë shtiresha si dreqi me atë. Hyra kot njëherë në bisedë dhe e fillova, si një lojë të parëndësishme, por ai spontaniteti i saj dhe ajo frymë e ngrohtë bisede që më erdhi prej saj më bëri të ndjehesha në një faj, të cilin po mendohesha se nuk kisha se si t`a shlyeja.

Ishte e hajthme dhe e bardhë me flokë kafe dhe një qëndrim aq të lirshëm e të sinqertë. Kur doja të bëja me faj atë mendoja me vete , se pse ajo po më besonte dhe hapej me mua, pastaj për një minutë e dënoja veten, sepse ajo më pëlqente në të gjitha bisedat që po rridhnin, si në mes miqsh të kahershëm. Dritaret e trenit ishin të mbyllura dhe kur ndonjëri provonte t`i hapte ato, ndjehej se treni po ecte me atë shpejtësinë e vet karakteristike , jo shpejt por i vendosur , duke u hutuar fare pak nëpër stacionet e shpeshta, prej nga zbrisnin me ngut udhëtarët e lodhur , prej tij. Shumë syresh, thuajse duke u ngritur nga gjumi e të pushtuar nga ritmi monoton i trenit të vonë.

Jashtë ishte natë dhe dritat shfaqeshin aty këtu. Shpesh dritarja mbetej në natën e pandriçuar aq sa të dukej vetja vetëm në mes të një hapësire të madhe e të verbër, pa dimension.

Ajo ishte aty përballë meje dhe më shihte drejt e në shpirt. Pse e gënjeva thashë me vete? Nuk e di se si m`u tek ta bëja atë lojë që tanimë u bë për mua një torturë e madhe. Me pyeti çfarë punoja dhe unë i thashë se jam mësues letërsie. Më pyeti për emrin dhe i thashë një emër tjetër nga sesi quhesha në fakt. Më tha se shkonte diku në

qytetin N……..I kishin dënuar të atin për disa vjet në një kooperativë të largët, por në darkë ai flinte në qytet. Po shkonte ta takonte atë. E ëma e saj ishte sëmurë.

Qeshi kur i thashë se jam mësues letërsie. Dhe unë për letërsi vazhdoj më tha ajo. Jam në vit të tretë. Me pëlqen letërsia…Dhe at`herë vazhdoj biseda.

Asokohe, si përherë si dhe tani e ndiqja letërsinë. Isha në fushën time dhe gënjeshtra u trash sërish ,veçse tani isha i qetë, sepse ndjehesha në terrenin tim të njohur. Folëm aq shumë dhe morëm nëpër gojë personazhet e letërsisë botërore e të vendit. Ato personazhe dhe heronj me të cilët unë isha rritur e edukuar me zellin tim prej fëmije të dikurshëm, më pas të një burri të rritur. Rrodhi biseda pastaj u hapën biseda të tjera.

Vendosa të zbrisja në qytetin N… Të shkonte ku të shkonte .Në shtëpi e dinin që edhe mund të mos kthehesha atë natë . Ajo më tha mirë . Pastaj do ta përcillja sërish të nesërmen herët për në Tiranë. O si është kjo botë, thashë me veten time! Gjithandej surprizë, nuk e di se nga të vjen njeriu që ti do, për dhjetë minuta dhe të duket se e ke kërkuar gjithë jetën pikërisht këtë njeri, Ja tashmë e ke pranë, dhe…

Ia kapa dorën dhe ajo u skuq dhe qeshi. Lehtë , si një shenjë për të qenë i kujdesshëm me atë dhe me veten. Më dukej se merreshim vesh mirë e ndërkohë jetoja në një magji. Sa gabim kisha bërë që e kisha gënjyer për emrin dhe për punën. Pse e bëra vallë? Në fakt nuk isha një karakter i asaj natyre, por nuk e di se çfarë perëndie e mbrapshtë kishte qenë ajo që më kishte hyrë në kokë atë natë, ndërkaq më kishte prishur aq shumë pune? Si t`ia bëja vallë? Treni ishte i rralluar nga zbritjet e deritanishme , kur krejt befas, dëgjoj zërin që thërriste emrin tim ,”të mallkuar”, nga dera e vagonit.

Ishte një patriot imi . Më thërriste, sepse tani thuajse arritëm aty ku duhej të zbrisnim ne. U gjeta ngushtë,e humba thashë me vete, e humba këtë vajzë aq shpejt , ashtu siç e kisha gjetur. Erdha shpejt, i thashë asaj dhe lëviza ngutshëm me sytë pothuajse të mbushura me lot , me një ndjenjë faji përzier me urrejtje për veten .

Pse të jetë vallë kështu?Përse më ndodh mua kështu?

Nuk kthehesha dot sërish në tren, sepse nga çasti në çast ai njeri që më foli mund të vinte sërish dhe të më tundte, duke më përmendur emrin. Atëherë e ku te shkoja unë prej atyre syve aq të butë , të thellë e të ngrohtë ,ku të mbytesha unë?

E ndoqa trenin, derisa iku. Ndjeva se kisha humbur një dhuratë të rastit dhe e gjitha kjo për një pakujdesi , një tekë që nuk e di se cila perëndi e mbrapshtë më kish bërë lojën e saj atë natë jo vetëm fatlume!

Tirane 27/03/07