NË TREN


Seti Pezaku Vladi

Nuk e duroj të ftohtin,

më kafshon shpirtin.

Prisja bashkë me pritje ngricën

ulur në sedilje.

Shiu, që nis të bjerë

lag klithjen e erës,

më shikon dhe vibron

mbi bardhësinë e dëborës,

verbon xhamat e trenit.

Përbri meje një grua e bëshme

gërhet symbyllazi.

Nga dritarja e vagonit

më vjen zëri yt i butë

si tinguj harpe,

vështrimi yt në sy shqiponje.

Ishte po ai vështrim

porsi në foton e vjetër:

i pastër si loti,

i brishtë si buzëqeshja,

i ndjeshëm si bebja e syrit,

i thellë si shpirti,

i lartë si qielli,

i ngrohtë si dielli.

Erdhi të ngrohë ditët e mia

nga acari drithërues i janarit.

Nuk di,

përse tinëzisht më vjen në vesh’

si nga humnera

një krakëllimë trishtuese korbi!

@seti pezaku vladi

About Post Author