NË UDHËTIM DREJT MODERNIZMI
Nga Timo Mërkuri
Koço Kosta është një emër i njohur në letrat shqipe, si një nga shkrimtarët që vjen nga gazetaria, në saj të së cilës ai nisi të shkruajë duke shfrytëzuar përvojën e fituar në zhbirimin e fenomeve dhe risive të jetës. Duhet të themi se dellin e krijimtarisë letrare Kosta e ka shfaqur qysh kur ishte gazetar, madje në shkrimet e tij gazetareske kujtojmë një sërë reportazhesh publikuar te gazeta lokale Fitorja të cilat në esencë ishin boceta tregimesh apo skicime novelash e romanesh, vijueshmërinë e të cilave e gjejmë sot në një kohë e formë tjetër te tregimet e novelat përfshirë te libri i tij “Vdekja e kaut”, ku subjektet e tregimeve dhe novelave përbëhen nga një shumësi ngjarjesh të paraqitura me stil telegrafik, madje shpesh herë dhe pesonazhet janë skicuar me vijëzime, thua se autori do ti plotësojë dhe “ngjyrosë” me inisiativën e meditimit të lexuesit. Ajo që të bie në sy në tërësinë e librit është se autori synon ngjitjen drejt modernizmit letrar, në një krijimtari ku vërehet ndikimi i gazetarisë, përpjekja për të kapërcyer kornizat e realizëm klasiçi-zmit dhe mbritja në modernizëm.
I-Në qoftë se do kërkonim të shihnim se ku është ndikimi i gazetarisë në tregimet e Koço Kostës, më lejoni të citoj disa tregime dhe elementët e ndikimit, si:
1. Një prej ndikimeve më të dukshme të gazetarisë në veprat e Koço Kostës është vëmendja e tij ndaj detajit dhe observimi i realitetit, pra aftësia e tij për të vëzhguar dhe përshkruar detaje të rëndësishme të realitetit, shpesh me një sy kritik dhe të mprehtë. Psh, në tregimin “Lypsja dhe Pellumbat,” ai portretizon një figurë të zakonshme në jetën e përditshme, një lypsare, me një vëmendje të hollësishme që i përngjan stilit të reportazhit gazetaresk: Psh te pasazhi: “Një dorë pa pëllëmbë. Një pëllëmbë pa krah. Por besomëni për atë Zot po u them se ajo dorë s’mbetej kurrë bosh e zbrazët… Kur dora e saj drejtohej nga ardhësit e shumëtregtores e mbetej ashtu e shtrirë e boshtë, mbi të ulej si për t’i bërë shoqëri si në një fole të ngrohtë një pëllumb” Ky pasazh tregon aftësinë e tij për të kapur detaje të vogla dhe për t’i dhënë një ndjeshmëri dhe kontekst të pasur. Si një gazetar, Kosta është i aftë të vëzhgojë dhe të rraportojë për realitetin, por si shkrimtar kjo cilësi e tij i jep realitetit një dimension të thellë emocional.
2. Koço Kosta ka një stil të drejtpërdrejtë dhe të komunikueshëm,një trashëgimi nga gazetaria. Ky stil është i dukshëm në mënyrën se si ai ndan ngjarje dhe shfaq karakteret, shpesh duke përdorur një gjuhë të thjeshtë dhe efektive, pa teprime stilistike, një qasje tipike për një gazetar që synon të transmetojë informacionin në mënyrë të saktë dhe të kuptueshme. Në tregimin “Dhemballa e Babait,” përshkrimi i fukarallëkut dhe i situatës së vështirë të familjes së heroit është i drejtpërdrejtë, pa patetizëm të tepruar, por me një forcë të brendshme të komunikimit që e bën lexuesin të ndjejë thellë çdo fjalë:”Dhe erdhi një kohë që fukarallëku po na mbyste. Tetë fëmijë kokë më kokë. Në një dhomë paradhomë kat përdhe. Nuk dinim ne si fëmijë kur merreshin e mbaronin lekët e shtëpisë. Ditërrogat po.” Ky lloj përshkrimi, ka qasje me narrativën gazetareske, dde këtu ka si qëllim të përqendrohet te realiteti i ashpër, duke krijuar një ndjenjë afërsie dhe autenticiteti te lexuesi.
3. Një tjetër element i trashëguar nga gazetaria është fokusimi në temat sociale dhe politike aktuale kryesisht. Shpesh, tregimet e tij janë reflektim i realiteteve të jetës së përditshme në Shqipëri, duke trajtuar çështje si: varfëria, vetmia dhe përballja me sfidat sociale. Si gazetar, ai është i ndërgjegjshëm për problematikat e kohës së tij dhe përpiqet t’i trajtojë këto çështje në mënyrë të thjeshtë, por me ndjenjë të fortë reflektimi. Psh,të tregimin “Lypsja dhe Pellumbat,” ai përqendrohet te një nga shtresat më të margjinalizuara të shoqërisë, lypsarët, duke nxjerrë në pah jo vetëm vështirësitë e tyre ekonomike, por edhe izolimin dhe braktisjen sociale që ata përjetojnë. Por jAZnë pikërisht këta element që sa interesantë duken, aq janë dhe pengesë për krijimin e një letërsie modern, pse nga natyra ato i takojnë realizmit apo klasiçizmit
II- Lind një pyetje te ky libër, Koço Kosta një gazetar me përvojë që ka kaluar herët në krijimtari-në letrare, në këtë libër shfaqet si një shkrimtar i linjës realist-klasike apo moderniste? E theksojmë qysh në krye se ndryshimi midis realizmit e klasiçizmit me modernizmin qëndron në faktin se i pari ka në qendër të vemëndjes ngjarjen, subjektin, njeriun si pjesë e kolektivitetit shoqëror, dukjen dhe veprimet e tij, të ndërgjegjëshme ose jo, ndërsa modernizmi ka në qendër të vëmendjes botën shpirtërore të njeriut si individ. Duke I analizuar në këtë kontekst tregimet e tij, konkludojmë se autori ndodhet në udhëtimin midis realiste- klasikes dhe modernizmit madje në disa tregime të tij janë të përziera elementet realisto-klasikë me modernistë. Le ta shohim konkretisht këtë karakteristikë të tij.
1.Tregimi“Mëmë Cella” shfaq jetën e përditshme të një gruaje të moshuar, me përshkrime të hollësishme të rutinës së saj. Si i tillë, tregimi ka një qasje realiste, ku shfaqet marrëdhënia e saj me natyrën dhe ritualet e përditshme, karakteristikë kjo tipike e letërsisë realist-klasike. Fokusimi në personazhe dhe ndjenjat e tyre, si dhe përshkrimet e thukëta të natyrës dhe jetës së zakonshme, i japin tregimit një cilësi realiste. Nga ana tjetër, ekzistojnë disa elemente që mund të konsiderohen moderniste, si ndërthurja e kujtimeve dhe rrjedhja e ndërgjegjes së narratorit, veçanërisht në përshkrimet e ndjesive të brendshme.
2. Tregimi“Lypsja dhe pëllumbat” duket më pranë modernizmit. Ai përqendrohet në një portret të një figure margjinale, lypsja, dhe marrëdhënien e saj me pëllumbat, duke përdorur gjuhë që sugjeron simbolizëm të fuqishëm dhe një botë të brendshme të personazhit që tejkalon thjesht realitetin fizik. Shfaqja e veprimeve të pëllumbave dhe mënyra se si ndërthuren me ndjenjat e lypses, japin një ton ekzistencial dhe të distancuar, që karakterizon shpesh letërsinë moderniste.
3.“Dhemballa e babait”: Ky tregim përshkruan jetën e vështirë të një familjeje të madhe dhe të varfër. Tregimi fokusohet në detajet e përditshme të jetës dhe në marrëdhëniet familjare, të cilat janë trajtuar në mënyrë shumë realiste, pa shumë ndërhyrje simbolike apo abstrakte. Kjo na çon në përfundimin se tregimi i përket më tepër realizmit klasik, me vëmendje ndaj detajeve konkrete dhe marrëdhënieve të drejtpërdrejta.
4.Tregimi “Batania e shpuar” shfaq përzierje tiparesh dhe konkretisht: a.Tipari Realisto-Klasik: Tregimi përqendrohen te përshkrimet e hollësishme të jetës së përditshme, mjedisit rural dhe marrëdhënieve midis personazheve të zakonshëm. Ngjarjet vendosen në një kontekst të njohur dhe të kuptueshëm për lexuesin, që mund të shfaqet si një qasje realiste, me përpjekjen për të paraqitur botën ashtu siç është. Psh, te ky tregim kemi një përshkrim të qartë të ambientit të burgut, jetës së vështirë të burgosurve dhe marrëdhënieve të tyre me autoritetet. Përshkrimet janë të detajuara dhe të pasura me ndjenja që pasqyrojnë realitetin e ashpër të kohës së diktaturës. Tema e përballjes me autoritetin dhe represioni është një motiv i zakonshëm në letërsinë realiste.
b. Tipari modernist: Në këtë tregim kemi edhe elemente që mund të konsiderohen moderniste, si psh qasja ekzistencialiste ndaj fatit të njeriut. Personazhi kryesor, përballë sistemit shtypës dhe realitetit të pamëshirshëm, përjeton momente dyshimi dhe vetë-reflektimi. Monologu i brendshëm dhe analiza psikologjike e karaktereve janë gjithashtu tipare që tregojnë një ndikim modernist. Ka një theks të qartë mbi brengat e brendshme dhe përjetimet individuale të personazheve, çka e vendos veprën më afër letërsisë moderniste sesa asaj klasike.
5.Te tregimi“Vdekja e kaut” kemi një përshkrim të detajuar të jetës rurale dhe të rëndësisë së një kafshe, kaut, në jetën e përditshme të fshatarëve. Ky tregim përmban shumë elemente që përputhen me tiparet e realizmit klasik si:
a.Fokusimi në jetën e përditshme, pasi përshkrimi i bujqësisë, punës në fushë dhe lidhja e fortë e personazheve me natyrën janë elemente tipike të realizmit klasik. Autorët e realizmit zakonisht përqendrohen te përshkrimi i botës reale dhe te konflikti midis individit dhe rrethanave.
b.Personazhet e tregimit janë të zakonshëm, si gjyshi dhe nipi, që përballen me vështirësitë e jetës së përditshme. Nuk ka ndonjë ngjarje të jashtëzakonshme, por jetesa dhe puna e tyre pasqyrohen në mënyrë realiste, duke dhënë ndjesinë e përhershmërisë dhe pashmangshmërisë së fateve të tyre.
c.Tema qendrore është varfëria dhe mbijetesa e familjeve që varen nga puna dhe kafshët e tyre. Humbja e kaut trajtohet si një tragjedi e madhe, e cila ndikon drejtpërdrejt në jetën e tyre. Kjo e përforcon natyrën realiste të tregimit, pasi bën një përshkrim të qartë të realitetit të ashpër të kësaj periudhe dhe të lidhjes së ngushtë të njerëzve me kafshët.
Pse është realisto-klasik ky tregim? Sepse ngjarjet janë lidhur ngushtë me jetën e përditshme të njerëzve dhe fokusohen te ekzistenca e tyre praktike, pa shumë ndërhyrje të figurave simbolike apo ndonjë qasje eksperimentale. Kjo i jep atij një natyrë më të afërt me letërsinë realiste, ku realiteti përshkruhet ashtu siç është.
6.Tregimi “Shtëpia Kufi” përmban një ndërthurje të elementeve të realizmit-klasicizmit dhe modernizmit, ndonëse kryesisht anon drejt realizmit, me disa prekje të modernizmit në trajtimin tematik dhe pasqyrimin e natyrës njerëzore.
a.Elemente të realizmit: Tregimi thellohet në pasqyrimin e realiteteve të ashpra sociale, duke fokusuar varfërinë, ndarjet familjare dhe trajtimin e pasojave të jetës nën diktaturë. Përshkrimi i personazheve dhe mjedisit është konkret dhe i gjallë, duke përfshirë detaje për jetën e rëndë të një familjeje të varfër në fshat. Konflikti rreth pronës dhe ndasitë mes vëllezërve pasqyrojnë një pasqyrim realist të marrëdhënieve njerëzore, ku prona private dhe lakmia e individëve janë burim hasmërish dhe ndarjesh.
b.Elemente të klasicizmit: Përmes përdorimit të moralizimit mbi pronën dhe ndasitë familjare, tentohet një përpjekje për të analizuar të metat e natyrës njerëzore dhe për të dhënë mësime morale. Mesazhi është i qartë: konflikti për pasurinë nuk sjell lumturi dhe shkatërron marrëdhë-niet familjare, gjë që është karakteristike për klasicizmin.
c.Elemente të modernizmit: Megjithëse tregimi është realist, reflektimet e autorit mbi natyrën njerëzore dhe konceptin e pronës janë më abstrakte dhe filozofike. Pyetjet që autori ngre për pronën dhe ndikimin e saj në marrëdhëniet njerëzore tregojnë një shqetësim më të thellë modernist për natyrën e realitetit dhe konfliktet e brendshme të njeriut. Ka një ndjenjë të qartë tragjedie ekzistenciale, ku personazhet janë penguar nga rrethana që ndodhen jashtë kontrollit të tyre, si varfëria, mungesa e drejtësisë dhe braktisja familjare.
8. Tregimi: “Shfaqia e Shën Mërisë” ka nja natyrë tjetër, më moderniste, apo shprehur ndryshe themi se është me qasje moderniste sepse:
a. Ndryshe nga shumë tregime të këtij libri, ky tregim thekson fuqinë e përjetimeve shpirtërore të personazheve, ku lidhja e tyre me Shën Mërinë dhe ikonat e saj është e ndjerë dhe personale. Përdorimi i elementeve fetare dhe mistike e bën tregimin të ndjehet më shumë si një përvojë e brendshme shpirtërore sesa një përshkrim i pastër realist.
b.Përmes përshkrimeve të ndjenjave të brendshme dhe përjetimeve shpirtërore të mëmës dhe lidhjes së saj me Shën Mërinë, tregimi përfshin elemente që shkojnë përtej realitetit fizik, duke hyrë në një botë simbolike dhe shpirtërore që është e zakonshme në letërsinë moderniste.
Pse ka tipare moderniste? Pikërisht se përqendrimi te përjetimet e brendshme dhe përdorimi i simbolizmit fetar për të shprehur kuptime të thella shpirtërore janë elemente që e afërsojnë këtë tregim më shumë me modernizmin. Elementet shpirtërore dhe simbolike kanë një rëndësi më të madhe se përshkrimi i jetës së përditshme, duke krijuar një qasje më introspektive dhe subjektive.
III-Duke qenë se theksuam disa ndikime nga gazetaria, të bën përshtypje te disa tregime shfaqja e botës shpirtërore të pasur të personazheve, fakt që mund të duket paradoksal që tregimet e quajtura “realist – klasike” kanë një thellësi dhe përjetime të brendshme të forta, e megjithatë ato shfaqen si tregime realisto-klasike. Le të shohim pse ato konsiderohen të tipit realist-klasik, pavarësisht dimensionit të brendshëm të personazheve:
1. Tregimet realiste janë të përqendruara te pasqyrimi i jetës së përditshme dhe realitetit ashtu siç është. Edhe kur personazhet përjetojnë thellësisht dhimbje, vuajtje e dilema të brendshme, ngjarjet dhe mjedisi ku ata veprojnë janë konkretë dhe të lidhur ngushtë me jetën materiale. Në tregimete librit, personazhet jetojnë në burgje, fshatra rurale apo shtëpi të varfra, dhe sfidat e tyre të përditshme lidhen me mbijetesën, drejtësinë dhe familjen. Këto elemente janë thelbi i realizmit klasik, që do të thotë: të kapësh botën ashtu siç është.
2. Në letërsinë realiste-klasike, bota shpirtërore e personazheve nuk është e shkëputur nga realiteti i tyre i jashtëm, ajo është e lidhur ngushtë me rrethanat e jetës së tyre materiale. Dhimbjet dhe përjetimet e brendshme që shohim në këto tregime rrjedhin nga kushtet konkrete të jetës së personazheve, si burgimi, varfëria, humbjet personale, ose sfidat e përditshme. Kjo ndërthurje midis botës së jashtme dhe asaj të brendshme është një nga tiparet kryesore të realizmit. Nëse ndjenjat e tyre të brendshme shfaqen kaq fuqishëm, ato janë të formësuara si reaksion i realitetit të jashtëm që përjetojnë dhe I talentit të autorit..
3. Një aspekt tjetër i realizmit është përqendrimi te sfidat shoqërore dhe ekonomike me të cilat përballen personazhet. Edhe kur personazhet janë të thelluar në botën e tyre shpirtërore, ngjarjet që ndodhin u japin formë përjetimeve të tyre të brendshme. Në tregime si “Batanija e shpuar,” ne shohim ndikimin e represionit dhe burgimit në botën e brendshme të personazhit kryesor. Në “Vdekja e kaut,” sfidat e mbijetesës dhe varfërisë ndikojnë ndjeshëm në përjetimet emocionale dhe shpirtërore të personazheve.
4.Pavarësisht se personazhet përjetojnë ndjenja të thella, tregimet nuk bëjnë idealizim të vuajtjes së tyre. Bota shpirtërore e personazheve është e mbushur me dhimbje, ankth dhe sakrifica, por këto ndjenja janë pasqyrime të një realiteti të ashpër. Kjo qasje i dallon tregimet realiste nga ato simboliste, të cilat përqendrohen te idealizimi ose transcendimi (tejkalimi I botës materiale) shpirtëror. Tregimet e librit përpiqen të ruajnë një objektivitet ndaj jetës, edhe kur përqendrohen në përjetimet emocionale.
5. Gjithashtu pavarësisht qasjes shpirtërore që shohim te personazhet, këto përjetime janë ende të rrënjosura në jetën reale. Realizmi klasik kërkon të përshkruajë botën objektive, dhe përjetimet shpirtërore të personazheve janë të integruara në përshkrimin e këtij realiteti. Pra, edhe pse personazhet mund të ndihen të brishtë, të vetmuar apo të humbur, tregimi nuk largohet nga realiteti konkret për t’u përqendruar vetëm te ndjenjat e tyre. Kjo i dallon tregimet realiste nga ato të tipit modernist, që mund të fokusohet më shumë në një rrjedhë të brendshme mendimesh dhe përjetimesh të shkëputura nga realiteti i jashtëm.
IV-Bota shpirtërore e personazheve psh në dy tregimet “Shtëpia kufi” dhe “Shfaqia e Shën Mërisë” është realizuar në mënyra që reflektojnë qasje të ndryshme letrare. Për të analizuar se si është realizuar kjo dhe nëse pasqyrojnë tiparet e letërsisë realisto-klasike apo moderne,duhet të shqyrtojmë përqendrimin e tregimeve te përjetimet e brendshme të personazheve dhe marrëdhënien e tyre me botën e jashtme.
1. Bota shpirtërore e personazheve në tregimin “Shtëpia Kufiri” të Koço Kostës ndërtohet në një mënyrë që i qaset më shumë modernizmit, edhe pse struktura e jashtme dhe tematika shoqëro-re mbeten brenda një kuadri realist. Ja pse bota e tyre shpirtërore anon nga modernizmi:
a. Personazhet kryesore, si Feriku dhe Zaimi, përjetojnë një ndjenjë të thellë vetmie. Edhe brenda familjes, ata ndihen të larguar nga fëmijët e tyre dhe të harruar nga shoqëria. Kjo ndjenjë vetmie është karakteristik për modernizmin, ku individët shpesh përballen me ndjenjën e humbjes, mospërfshirjes dhe vetmisë, pavarësisht lidhjeve të tyre sociale apo familjare.Psh, Feriku ndihet i tradhtuar dhe i braktisur nga djemtë e tij, të cilët i kthejnë shpinën atij dhe fshatit, duke refuzuar të kujdesen për të apo për trashëgiminë e familjes. Ky izolim i ndjenjave është i thellë dhe i trajtuar në një mënyrë introspektive,një process reflektimi i brenshëm çka është një element thelbësor i modernizmit.
b. Tregimi përmban ndjenjë tragjedie ekzistenciale, veçanërisht përmes përjetimeve të Ferikut dhe Zaimit, të cilët përballen me padrejtësi të vazhdueshme dhe një botë që duket e pakuptimtë dhe e pamëshirshme. Psh, Feriku burgoset për një koment të pafajshëm që bëri rreth qiririt, një akt absurd që pasqyron një qasje moderniste ndaj absurditetit të jetës dhe shtypjes së padrejtë. Po ashtu, fakti që fëmijët e Ferikut mohojnë origjinën dhe mbiemrin e tij në përpjekje për të shpëtuar veten nga biografia e tij si një i burgosur politik, thekson absurditetin e realitetit të tyre social dhe personal. Ky shpërbërje e marrëdhënieve njerëzore dhe konflikti i brendshëm mes individit dhe botës është karakteristikë moderniste.
c.Feriku dhe Zaimi përjetojnë dilema të thella filozofike mbi jetën, pronën dhe drejtësinë. Ata e shohin botën përmes një lenteje më abstrakte dhe filozofike, duke pyetur mbi kuptimin e pronës dhe vlerën e jetës njerëzore. Feriku, psh, pyet veten se pse prona ka një ndikim kaq të madh në ndarjen e familjes dhe në sjelljen e njerëzve. Këto reflektime tregojnë një ndjenjë të thellë introspektive, që i qaset qartë modernizmit, duke u fokusuar në pasigurinë dhe kuptimin e ekzistencës.
ç. Ndërsa tregimi shfaq një kornizë realiste dhe sociale përmes përshkrimit të jetës fshatare dhe marrëdhënieve familjare, konflikti i brendshëm i personazheve midis asaj që ndjejnë dhe asaj që përjetojnë në botën e jashtme është shumë më thellë i modernizuar. Për shembull, Zaimi përpiqet të pajtojë ndjenjën e tij të përkatësisë ndaj familjes me përbuzjen dhe tradhtinë që ndjen nga vëllezërit dhe motra, të cilët e akuzojnë për mashtrime rreth pronës.Ky konflikt midis realitetit dhe botës së brendshme të personazheve është një tipar modernist, ku individi shpesh nuk gjen një pajtim të lehtë midis dëshirave të tij të brendshme dhe botës së jashtme të ndarë dhe shpesh të pakuptimtë.
Pra,ndërsa struktura e përgjithshme e tregimit dhe realiteti shoqëror ku vendosen personazhet është realist, bota e brendshme shpirtërore e personazheve anon drejt modernizmit. Ndjenja e izolimit, tragjedia ekzistenciale, reflektimet filozofike dhe konflikti i brendshëm i tyre janë elemente që i japin tregimit një thellësi moderniste, duke pasqyruar tensionet e ndërtimit të identitetit dhe kuptimit në një botë të padrejtë dhe shpesh absurde.
2. Bota shpirtërore në “Shfaqia e Shën Mërisë” – tipar i letërsisë moderne.
Në tregimin “Shfaqia e Shën Mërisë”, bota shpirtërore e personazheve është më introspektive dhe simbolike, duke pasqyruar më shumë elemente të letërsisë modern, si psh:
a. Ndryshe nga qasja më kolektive e “Kulla e Zonjës,” etj, personazhet në këtë tregim përqendrohen më shumë në përjetimet e tyre të brendshme, ku ndjenjat fetare dhe mistike kanë një rëndësi të veçantë. Kjo qasje individualiste është tipike për letërsinë moderne, ku përjetimet shpirtërore shpesh kanë një natyrë subjektive dhe simbolike.
b. Ndryshe nga letërsia realiste, në këtë tregim, bota shpirtërore është e shkëputur nga rrethanat konkrete të jetës së përditshme. Shfaqja e Shën Mërisë nuk është thjesht një pjesë e jetës së zakonshme, por një ngjarje që krijon një ndarje midis asaj që është reale dhe asaj që është përjetuar përmes një simbolizmi të thellë. Ky element është më afër letërsisë moderniste, ku përjetimi shpirtëror bëhet një reflektim personal dhe simbolik i botës së brendshme.
Pse është moderne? Është sepse bota shpirtërore e personazheve në këtë tregim shfaqet përmes përjetimeve introspective (vëzhgimit të brendshëm ose reflektimit mbi ndërgjegjen) dhe simbolike që tejkalojnë kufijtë e përjetimit të zakonshëm të realitetit të përditshëm. Personazhet përjetojnë një lidhje shpirtërore që është më shumë një akt reflektimi dhe simbolizmi, duke i dhënë tregimit dimension të thellë të qasjes moderniste.
Pra si përfundim mund të themi se ky libër me tregime është dëshmi e udhëtimit të autorit për tu ngjitur në kuotat e letërsisë moderne dhe ne dëshirojmë ti urojmë suksese. Përvojën dhe zhbirimin në tema dhe personazhe ai e ka, veçse duhet ta shohë individin si person, subjekt individual dhe jo si subjekt shoqëror, dhe se duke zbërthyer botën shpirtërore të indvidit ka arritur të zbërthejë botën shpirtërore të shoqërisë.
Sarandë, më tetor 2024.