Nehas Sopaj-Karadak Mahalla


Sot e gati pesë dekada, Nehasi(Agija) na ka dhuruar dhjetra e dhjetra vepra artistike dhe teoriko-shkencore. Margaritarë me stil unikal, me shumë lirizëm, me reflektime që do t’i rrezistojnë kohës, me rrezatim dhe porosi në qendër njeriun, jetën, dashurinë, lirinë, natyrën, amshimin, atdheun…Këto vargje që sapo i lexova, më tingulluan pak më ndryshe…në esencë po i njejti, që depërton thellë në shpirtin e çdo lexuesi.Drithërimë, trishtim, sfilitje, rrezistencë, ringjallje…Harxhoni pak kohë, vlenë edhe atë jashtëzakonisht ia vlenë të lexohet, bile me tërë qenien të përpihet.

Nehas Sopaj

KARADAK MAHALLA (Version)

Shkup. Karadak Mahallë. Ja mu ai vendi

ku ke lindur Ti e dashur. Ja pastaj koha

ku lindi edhe kuptimi cinik për atë vend.

Ish kohë e dëbimit masiv të shqiptarëve.

Ja shtëpitë që u braktisën mu si çerdhet

pa dallëndyshe, ç’fluturuan për në Turqi.

E Vërteta? Kjo është Dhuna e Përhershme!

Tash kur gjithçka u fshi, betoni na mëson

se si dielli din të shkrepëtijë për së prapthi.

Barbarët, ata të cilët na paditnin përditë

për uzurpim urbanistik të strehave tona,

masonë dhe shkelës të drejtave njerëzore,

projektantë të asimilimit të shqiptarëve,

bënë gjithçka që trojet tona të shkretohen:

na ndanë, na bënë berrah! Ata që shkuan,

“turq” u bënë. E ne këtu, “shkije” mbetëm.

Pos përçarjes, robëria na soll më t’keqen:

padinjitetin, mosrespektin ndaj vetvetes.

Se, shif ti: ne nisëm ta duam pushtuesin!

Ata duan veten, plus ne i duam! Ç’shëmti:

kur zyrës sime langonjtë i vunë përgjuese

(kah po sillem, çka po flas, a po të kërkoj),

dikush prej nesh ia la derën hapur vdekjes:

artefakt që djeg në palcë! Thellë dhe gjallë!

Karadak Mahallë, kujtim që rrokullisesh

nëpër Samsun, Jeshil Tepe e Çanak-Kala,

atje ku rrallë dëgjohet gjuha e çalë shqipe.

Këtu e atje, përkujtohesh që nga 1912-14,

1919-40, 1953-57 etj. si flamuj të dhunës:

ç’dëbim masiv i shqiptarëve për në Turqi!

…Ata na vranë baballarët; pleq, gra e fëmijë

na hudhën në një tjetër planet incognito.

Na lanë atje ku u fishk Karadak Mahalla…

Na asimiluan, na bënë mos ta duam veten.

Shkupi mbet fyell pa asnjë vrimë të hapur;

vilajet i kurrkujt, shpirt i vdekjes së gjallë!

Tash edhe mbledhësit i hirit dhe purpurit,

të thotë se këtu pate lindur Ti. Po e dashur.

Atëherë, unë isha sall njëvjeçar dhe s’e dija

se Ti vërtet do të vish një ditë të rilindesh

pas kaq malli e ëndrrash, shprese e vetmie.

Unë sa ta kisha parandjerë ardhjen e largët,

nga toka… Ta kisha parë hijen e Doruntinës…

Po kur një ditë ti do të vish e unë s’do t’jem,

atëherë më kërko mua në fluturimin e Ikarit,

në trokun e Pegasit, në flatrat e kalit flutur,

mu në shelgun vajtues që të don edhe sot Ty…

Ti këtu pate lindur o Hire. Por pas vdekjes,

koha mund ta ketë vapën e një planeti tjetër,

që mund ta ruajë të Vërtetën kaq të hidhur,

që të mos vdesim ne nga lumturia e vonuar

të cilën s’mund ta djeg asnjë krematorium!