Nën këtë qiell tetori-Vaso Papaj


Asgjë të re nuk ka nën këtë qiell tetori.

Frymojmë, punojmë dhe bëjmë dashuri.

Dhe thuhet se presim një nesër më të mirë,

Duke besuar, se ajo do të vijë.

Ndaj pyesim veten,

Qofshim të djallëzuar a naivë:

Vallë, kjo nesër si do të jetë?…

Me këtë mendim të ngurtë,

Që dielli i Tetorit dot s’e shkrin,

Mos po gabojmë dhe këtë here në jetë?

Asgjë të re nuk ka nën këtë qiell tetori.

Dikush merr, dikush jep dashuri

Dhe ne ndoshta ngazëllehemi pse jemi gjallë.

Ndërsa dikush gënjehet me iluzionin,

se diçka do të ndryshojë,

Se dashuria nesër s’do mund të jetë kurrë mall.

E prapë,

Asgjë të re nuk ka nën këtë qiell tetori.

Gjithçka pa motiv, vijëdrejtë jeta:

Unë me ty, ti me mua,

“E drejta ç’është?…”, kurrë s’e gjeta.

Ndaj mes pasionit dhe moskokëçarjes,

Sinqeritetit dhe gënjeshtrës,

Vazhdoj të të pyes drejt: cili është fati im?

Dhe ti menjëherë ma kthen:

“Është, të më qëndrosh pranë ,

Nën këtë qiell, gjer në amshim.”