Nënë në përjetësi-Sami S. Shatri


Poezi, kushtuar gjithë të internuarve nga regjimi jugosllav (në mesin e tyre edhe familjes time pesë anëtarëshe Shatri, familjes Braha nga Prizreni, familjes Morina nga Peja etj.) dhe gjithë dëshmorëve, të rënëve, izoluarve, burgosurve, për Nënën Shqipëri!

NËNË NË PËRJETËSI

Shqipëri

tokë hyjnore e etërve të mi

amanet i përcjellur ndër brezni

e para dhe e fundit dashuri

diell që ndriçon, pakufi!

Shqipëri

Unë, ashka jote e trungut të ndarë,

nga zyrat e hollet, me turp e pa moral!

Me pranga mi lidhën duar e këmbë,

gojën ma mbyllën, mos të thërras Nënë!

Shqipëri

Në zemër të mbaja, edhe kur t’mallkuan

emrin me dekret, a’herë ta ndaluan

vijën që na ndante, me xhemba e rrethuan

tufë hijenash e ujqër, mbi ty keq vërshuan!

Shqipëri

Unë, më i flakti tifoz kuq e zi

Flamurin me shqiponjë, mbaja në gji

n’qelitë e errëta, të burgut të zi

në t’urryerën, fantome-Jugosllavi!

Shqipëri

I tretur-internuar, larg në Vojvodinë

kampet famëkeqe, jetën ma nxinë

në shtretër me kashtë, flija me bagëtinë

ëndërroja shqip, ditët e ndritura që do vinë!

Shqipëri

Të deshta me shpirt, ashtu siç t’i ishe

si fëmija Nënën, pa lajka e hile

të dua edhe sot, përjetë e mot

shpirti e zemra, tek t’i më pushojnë!

Shqipëri

Me ty jam, kur qeshë e kur qanë,

nga jugu në veri, jemi të pandarë!

Ne vijmë e shkojmë, t’i mbetesh gjithnji

nuk vdes asnjëherë, Nënë në përjetësi!

Të dua Shqipëri, më e lashta Hyjni …

Prishtinë, 18 qershor, 2024

Samy