Nënës sime Sofije-Angela Kosta


Kam thurur shumë vargje

shkrime pa mbarim

për lot, dhimbje, dashuri.

to bën pjesë edhe ti e shtrenjta nëna ime.

Puth sytë e tu gjysëm të mbyllur

dikur të mbushur plot shprehi mirësie.

Të ledhatoj duart akoma të ngrohta

ashtu siç bëje edhe ti.

Përshkoj me gishtërinj

rrudhat e shumta të pleqërisë tënde të parakohshme

pa mundur ta pranoja lëngimin tënd

prek thinjat në flokët e tua

dëshmi vuajtjesh në përjetësi.

E pazëvëndësueshme je për mua

nëna ime e shtrenjtë Sofije

të dua pafundësisht

si perëndeshë, e re, do të mbetesh

gjithmonë në shpirtin tim.

Askush nuk mundet të më bindë

se më nuk do të të shoh

se në këtë jetë më nuk do të jesh.

Nuk e dije se gjithmonë

në frymëmarrjen time do të mbetesh?

Nëse unë jetoj, do të jetosh edhe ti?

Buzëqeshjen tënde të çiltër

në vezullimin e yjeve do ta dalloj

ndërsa universi i mallit do të më pushtojë.

Ti më dhe dritën e jetës

më rrite me durimin e mundimit

dhe me dashurinë e madhe

të shpirtit tënd të vyer, të pastër.

Folmë, të lutem veç një fjalë të fundit më thuaj

sa do të doja të të shihja

mes lotësh gëzimi duke u përqafuar,

Lexoji vargjet e mia nënë

të lutem heshtur mos rri!

Ah sikur të sfidoja kohërat, sëmundjen ligësi

e në humnerë gjithçka të gremisja

të pafatin fat ta largoja

dhe të strukesha përsëri në prehërin tënd

ashtu siç bëja kur isha fëmijë

teksa gjeja paqe e qetësi.

Sa lumturohesha teksa duart e tua

ledhatonin brendësinë e shpirtit tim

gjithë qenien time të lulëzuar nga poret e tua.

Mos më venit me gulçin tënd të fundit

të lutem nënë përtej qiellit mos ik!