Nëpër faqet e historisë – Më 18 nëntor 1921


Nëpër faqet e historisë – Më 18 nëntor 1921, Kryetari i zgjedhur i Kryqit të Kuq Shqiptar, Dr. Rifat Frashëri i dërgon një letër Kryeministrisë, nëpërmjet të cilës pasi e njofton pranimin e Kryqit të Kuq Shqiptar të porsakrijuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, i kërkon njofjen zyrtare të kësaj shoqate nga qeveria shqiptare e kohës.
Njohja e Kryqit të Kuq Shqiptar nga qeveria do të bëhej me vendimin Nr. 985 të Këshillit të Ministrave të datës 26. 04. 1922, të firmosur nga kryeministri Xhaferr Ypi. Me nënshkrimin e Konventës së Gjenevës nga qeveria shqiptare në 13 shtator 1923, Kryqi i Kuq Shqiptar u njoh zyrtarisht nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.

Këtu më poshtë teksti i letrës dërguar qeverisë nga Dr. Rifat Frashëri
Tiranë 18.XI.1921

Të shkëlqyeshme Kryeministris
Mbas telegrafit qi keni marr Shkëlqesia e Juej dhe unë prej Komitetit Internacional të Kryqit Kuq, shifet që Kryqi i Kuq Internacional me nji gezim të madh pranonë Kryqin e Kuq të Shqipëris
Për fat të keq sa do qi vuajm të mbledhim anëtarët e zgjedhun që të formonin si duhet ket Komitet, po nuk u mblodhë dhe kështu ka mbetun në fjalë.
Tani për mos ba një përshtypje të keqe në Komisionin që vjen duhet qi qeverija të marrë inisjativën e të njofin zyrtarisht formimin e Kryqit të Kuq
Nderimet e nalta
Kryetar i Kryqit Kuq i Shqipërisë e Drejtor i Përgjithshëm i Shendtsisë
Dr. R. Frashëri 

About Post Author