Nëse-Vaso Papaj


Vaso Papaj

Nëse bota qan a qesh pa drojë në sytë e tu,

Nëse koha s’ndalet e di të ecë veç kuturu.

Nëse shtjella e erës s’di nga vjen e s’di ku shkon,

Nëse vjen një ditë dhe befas ëndrra të harron.

Merre poezinë time, o njeri, fute thellë në shpirt

Dhe rrugës tënde ndalu, qoft edhe një çast.

Në mundsh, prapë në këmbë përbuze ti çdo flirt.

Do t’ia fitosh kësaj jete dhe më të shtrenjtin bast:

Kësaj botës sonë që rrokulliset në hapësirë,

Shpëtoja dashurinë sado ta kesh vështirë.

Nëse balta të vërtetën rreket ta mbulojë.

Nëse buka të mungon e në shtëpi presin plot gojë.

Nëse zemra s’të gjakoset, se gjaku është ngrirë.

Nëse trupi e ka vrarë edhe shpirtin tënd të dlirë.

Merre poezinë time, o njeri, fute thellë në shpirt

Dhe rrugës tënde ktheu, qoft edhe një çast.

Në mundsh, prapë në këmbë përbuze ti çdo flirt

Do t’ia fitosh kësaj jete dhe më të shtrenjtin bast:

Këtij shekulli që hiqet zvarrë në pafundësi,

Shpëtoja dashurinë në do në shpirt qetësi.