Neviana Shehi:Geisha


 Neviana Shehi

Geisha

Jeta ime është ndryshe dhe rrjedh pa u hetuar. Në fakt, jeta ime është një dantellë prej vargjesh. Po, po, dantellë prej vargjesh, thurur ditën e takimit me ëndrrën dhe të ëndërruarin.
Ivasakin e famshme, atë femër japoneze, të mbyllur në botën e saj, e kam takuar vetëm në rrëfimet e mbështjella me dhimbje.
Natën kur më del gjumi dhe bëhem skllave e pasionit tim për fjalën, maska e tjetërsimit që vë në fytyrë, përhapet vetvetiu në gjithë qenien time. Me kaplon një ndjenjë e çuditshme. Në atë çast s’jam më unë, por ajo që dua të jem: loja e territ me dritën. Pikërisht loja e territ me dritën.
Lëvizja e shtizave s’është gjë përpara lojës së trilleve të muzës dhe gishtërinjve të fatit që thurin për lirinë time të bardhë.
Sapo i lë anash shtizat, mbylli sytë dhe sërish ndjej se eci rrugicave të heshtura të Tiranës, të cilat, nga malli që kam, më duket se më drejtojnë drejtë parajsës. Natyrisht, si çdo geiko tjetër dhe unë di të përkëdhel, por më mirë di të vallëzoj me tingujt e erës dhe flladeve plot pasion. E di se takimi me të ardhmen ka ndodhur që në momentet kur i thashë jetës sime: ia vlen të të kem.
Kohët ku zhvillohen aktet e krijimit, janë takimet me djaloshin e brishtë dhe të paparashikueshëm të avenysë së zhurmshme, dhe quhet kohë transformimi, sepse unë kam lindur për të qenë e tillë. Sa e sa herë e kam mbështetur kokën mbi kimonon time për të ëndërruar të pavdekshmen. Kur dal të shëtis kopshteve të mbushura me gjethe bambusë, të gjithë më thonë se zemra ime është prej letre. Por, ka edhe të tillë që thonë se zemra ime është si një takim i shtrenjtë filxhanash çaji, kurse unë s’u besoj fare.
Kur bie terri dhe kur prej qielli zbret heshtja, ulem dhe zhytem në thellësitë e mallit tim për t’i gjetur fjalët që më mungojnë për ta thur tregimin për jetën e mbetur. Dhe, sakaq shndërrohem në një llavë dhimbje. Gjithmonë kam menduar se nata është një mbretëreshë, kurse lexuesit balerinë të së bukurës. Koreografia misterioze e valles së tyre është forca për t’i bërë ballë furisë së dritës. Unë jam geisha e fjalës së bukur. Jeta ime është ndryshe dhe rrjedh pa u hetuar.
Jeta ime është një dantellë prej vargjesh, që ma zbukuron vetminë…

About Post Author