Nihat Jahiu : Plagën e lidha me shaminë e nënës


Nihat Jahiu

Sapo e kuptova se një pjesë e granatës më ra pas shpine në këmbë, unë ndjeva dhembje. Pas pak kohësh e preka me dorë vendin dhe kur e nxora dorën nga pjesa e këmbës, e pashë që ishte mbushur me gjak. Menjëherë e nxora nga xhepi një shami dhe ia vura vendit ku kisha gjakderdhje, derisa të më vinin shokët në ndihmë.

Eh, sa me mall e kujtoj këtë shami, qyshkur u largova për herë të parë nga shtëpia dhe kur për herë të fundit u përqafuam me nënën time. Në vazhdim L. Arnori ish-ushtari i UÇK-së rrëfen se si kur ishin ndarë pas përqafimeve, nëna ia kishte dhënë shaminë e lidhur në kokë dhe i kishte thënë:

“Mbaje biri im këtë shami, dhe nëse plagosesh ti ose ndonjë shoku yt nëpër beteja, në fillim e lidh gjakun e plagës tënde, por edhe të shokëve të tu derisa të vijë ndihma”. Ai këtë shami asnjëherë nuk e kishte nxjerrë nga xhepi. Gjithnjë e kishte ruajtur dhe kujdesej që mos ta humbte, sepse e kishte kujtim nga nëna e tij. Sh. J.

Në vazhdim L. Arnori- Orizarja do vazhdojë në rrëfimin e tij, se atë porosi që i kishte thënë nëna asnjëherë nuk e kishte harruar. Sapo ishte plagosur, ai menjëherë e kishte lidhur me atë shami plagën e lirisë. Kur shokët i kishin ardhur në ndihmë, shaminë të lagur me gjak e kishte futur përsëri në xhep.

Asnjëherë nuk e kishte larguar nga vetja shaminë edhe kur ishte kthyer në shtëpi. Pas shërimit e kishte vendosur në një vend dhe e ruante si kujtim i betejës, sepse ishte shamia e nënës që mbante aromë gjaku.

Sa ditë, javë, muaj e vite kanë kaluar nga plagosja ime deri më sot, unë asnjëherë nuk i kam treguar nënës sime, se për herë të parë plagën time nënë, kur jam plagosur e kam lidhur me shaminë tënde qyshkur më përcolle për në luftë.

Edhe sot e kësaj dite qëndron e palosur në një vend në shtëpinë time që askujt nuk ia kam treguar, por e kam ruajtur si dy sytë e ballit.

Në vazhdim luftëtari i lirisë L. Arnori rrëfen se këtë shami të larë me gjakun tim kurrë nuk do t`ia tregoj nënës sime të dashur. Me kaq L. Arnori-Orizarja një ish-ushtar i UÇK-së përfundon edhe këtë rrëfim të tij të luftës, mbi krye epopenë e qëndresës. 

About Post Author