Një dilemë
Zemra ime endacake
qëndron pezull,
aty ku fatet takohen
dhe koha zvarritet.
Një dilemë digjet
si hëna në qiell,
dhe unë përkulem
mbi hijet e shpirtit.
A mjafton një jetë për të kuptuar?!
Nëse e dua veten mjaftueshëm,
nëse e jetoj plotësisht çdo moment,
nëse zemra do të më rrahë fort
deri kur loti i fundit,
të më pikojë mbi faqe?!
Asnjë zë, asnjë tingull, asnjë përgjigje…
Në ajër nuk ndihet tjetër,
veç aromës së *frangipanit tim ekzotik
që më sjell çdo mbrëmje,
kujtime nga përtej horizontit
dhe kumtin e një të ardhmeje
ende të pashkruar…
*Frangipani – lule me origjinë nga Meksika, Amerika Qendrore dhe Karaibet, por tani kultivohet në shumë rajone tropikale dhe subtropikale në mbarë botën. Lulet janë të njohura për petalet e tyre të bukura, që mund të jenë të bardha, të verdha, rozë, të kuqe ose një kombinim i këtyre ngjyrave. Ato kanë një aromë të fortë e të ëmbël që shpesh intensifikohet në mbrëmje.