Një grua mbështetur te xhami i trenit thith horizontin…
Koha që shihen do mbarojë dhe ajo i qesh ikonës se po ndahen…
Ajo duhet të iki dhe po ikën me trenin e fundit…
Xhami u vesh me avullin e frymës së saj dhe ajo pikturoi në të “të dua”…
Luante me qetësinë dhe muzikën që dëgjonte…
Drita e qiellit u zbeh, shtëpiza e stacionit të vogël ndriçoi, dikush hapi dritë…
Iku ajo, vraponte drejt fatit…
Kush lëvizi realish, ajo, shtëpiza e stacionit, apo treni?!
Asnjëra…
Mbetën të treja bashkë në shikimin e saj…
Ajo nuk rendi Më drejt fatit, erdhi ai afër saj…
…………………………………………………………………………………….
I kish kaluar zëmërimi, i tha që të dalë ta presë te stacioni…
Po vinte me trenin e fundit…
Zëmra e tij ndjeu ngrohtësi Korriku…
Mall i ndezuar nga zënkë dashurije…
Nuk duhej të kish ndodhur kurrë ajo zënie…
Ja, nata ra dhe treni po kalon mes territ…
Sonte i duhet thënë që e do pranë vetes plot një jetë, nuse…
Por të vijë veç, përse po vonohen!?
Telefon i mbyllur si qerpikët e saj…
Ajo nuk ka më ankth nga vonesa,
Drejt dashurisë po shkonte dhe aty do mbetej…
Ai?!
……………………………………………………………………………
Çaf e çuf nëpër shina
Ecen treni me shpejtësi
Në stacione kur afrohet
nga sirena ai dallohet.
Udhëtaret treni fton
Që të hipin në vagon…
Nëna ja lexoi për të dhjetën herë vjershën birit…
Udhëtim i gjatë, pa fund për një fëmijë…
I rraskapitur nga lodhja, mbylli syçkat dhe fjeti mbi gjoksin që i shuajti urinë e parë me qumësht…
Nëna mbron, i sigurt gjumi në duart e saj…
I shkruajti një mesazh burrit që të sjellë një kuvertë me vete për djalin kur të dalë te stacioni…
Ai erdhi në orë…
Kë mbështolli me kuvertën e voçkël?!
……………………………………………………………………..
Katër zëra vajzash të mekura nga e qeshura nuk ja thoshin ende për gjumë…
Provimet, profesorët, moda, të dashurit…
Si burim uji ju rridhnin fjalët dhe komentet për gjithçka…
Njërës i ra telefoni…
Nënë e shqetësuar…
Që ta binte se ishte mirë, bëri një foto me katër koka yjesh të bashkuara dhe ja nisi mamasë…
Ajo ja nisi dhe tre nënave të tjera dhe i kërkoi të shoqit të shkojë të presë vajzat në stacion…
Ajo ra të flëjë e qetë se i kish dëgjuar zërin, e kish parë në kamera…
Për pak do e kishte pranë, apo jo?!
Dushi i ndezur, kuverta me korent në prizë, supa me pulë në mikrovalë…
I shoqi mbylli derën dhe ajo u hodh nga shtrati sikur kjo mbyllje dere do bëhej përherë vetëm nga ai…
Parandjenja e nënës kur pjesë e shpirtit të saj është larg…
Pa edhe njëherë fotografinë e katër vajzave studente dhe u gëzua që janë bashkë si buqetë me lule…
I përkufizoi si “lule” dhe ju kujtua dita kur e lindi vajzën, sa buqetë të madhe me trëndafila roz i kish sjellë i shoqi në maternitet…
Kjo natë e errët ju solli këtyre nënave mesazhin se *po, këtej e tutje do këpusin shumë lule, nga gjithë baçet e botës…
Ku do t’i çonin?!
…………………………………………………………………………………………..
Djali si djali, me zor e ngrë telefonin…
U detyrua i jati ta marrë…
Sëfundmi informoi se treni kishte një vonesë të madhe…
U shqetësuan të dy prindërit…
Profesori i Universitetit hodhi një pallto supeve, puthi gruan, i tha të flinte e qetë dhe iku për te stacioni…
Në makinë duke pritur morri në Klinikën Veterinare që drejtonte dhe pyeti si po shkonte qeni i mrekullueshëm që familja e donte aq shumë…
Sot e kish operuar sëbashku me 5 mace të tjera…
Jetë, jetë të dashura, të dhimbsura për Të…
Çudi!!
Treni nuk po mbërrinte dhe nga 3 autobuza që mbërritën po zbrisnin pasagjerët e trenit te Fundit të Vonuar!!!
U afrua, i pyeti…
I ra telefonit të birit…
Hypi në makinë dhe shkeli gazin, donte të shihte trenin dhe të rikthehej paral me të…
Sa më shumë km “hante” makina, aq më shumë shqetësohej…
Nuk po e haste atë tren udhës…
Ecte, ecte, ecte në drejtim të kundërt me udhën e trenit…
Ashtu si do ecte përjetë këtej e tutje mëndja e tij, nga mosha e birit e deri te dita që i thanë se u bëre me djalë…
Vajtje -ardhje, lindje-vdekje…
Nuk do rritej Më djali…
Georgio Papazoglou, 22 vjeçari student në universitetin “Aristoteli”, i biri i Profesorit të shquar po të këtij Universiteti, Veterineri kirurg i kafshëve të mija, u identifikua sot i vdekur në aksidentin e trenave në Larisa!!!
Unë kam qarë pafundësisht herë në përqafimin e babait të Tij sa herë humbte jetën një kafshë e imja dhe Ai më ngushëllonte aq ngrohtë se…dhëmb Anna por jeta vazhdon…
E nesërmja do na gjejë në përqafim duke qarë të dy bashkë. Mjerisht!!!
……………………………………………………..
NilaR me dhimbje për viktimat e tragjedisë!!



