NJË JETË DO TË PRES
Muget e nxin qielli i kaltër
Gjithandej nxiton të bjerë rrebesh
Qullen këto këmbë në mes balte
S’ tundem që këtej, pres të më gjesh.
Shiu nis befas ,nxitimthi bie
S’braktis këtë vend, rri serbes
Mbi tokë bien pulla si hije
Miroshi im, një jetë do të pres.
Eja të shërosh të ankthit plagën
Gjurma zënkash na solli kjo stinë
Rri të pres si pret toka vlagën
Pupthi pres si mjelma bαlerinë.
Pikat nisin e shkruajnë një emër
Emrin tënd që sjell fllad edhe vesë
Shpëlajnë gabimin tim të vjetër
E gjallë rri pendesa në kujtesë.
Mirseardhe o yll i butë si toka
Freskon, mban paprekur t’ njëjtin mall
Se dashuria kurrë s’ përtoka
Të mbaj ndezur si mall dhe zjarr .
Ëmbël natyra nisi vallen
Shpirti yt shpërthen plot shend e verë
Shpirti yt me diej ngjyrëalle
Më shtrëngon në gjoks e del ylber.
