Një përshëndetje e Patti Smith për gjithë shqiptarët-Luan Rama


Gazeta Destinacioni:Nga Facebook i  shkrimtarit Luan Rama rezervuam  shkrimin:”  Një përshëndetje e Patti Smith për gjithë shqiptarët”.

Luan Rama

Dje, Patti Smith, ajo që thoshte “unë jam e dashura e Rembosë”, nënshkruante në Paris dy vepra të saj. E takova në librarinë “Gallimard” në aveny Raspail dhe i thashë: “ Jam një letrar shqiptar”. Dhe i tregova emrin tim shkruar në librin që sapo kisha botuar për Arthur Rimbaud. Ajo u habit nga kjo e papritur të shikonte Rembonë në një libër të tillë dhe tha: “Oh, ç’surprizë!” Pastaj ndër të tjera shtoi: “A mund të ma dhuroni këtë libër?” – Sigurisht i thashë, por është në shqip! – S’ka gjë, ma nënshkruani ju lutem, – nxitoi ajo.” Dhe unë e nënshkrova. Dy fjalë të dashura për të. Më vështronte e habitur duke menduar ndoshta se si një shqiptar, një shekull e gjysmë pas vdekjes së Rembosë kishte rënë në dashuri me Rembonë. “Ju më nxitet të shkoj të shoh varrin e tij në Charlevilles-Mezière dhe të shoh shtëpinë ku shkroi kryeveprën e tij “Një stinë në ferr”. E lumtur ajo mori librin dhe e vuri para gjoksit të saj: – « A mund të më bëni një fotografi? – Padyshim i thashë, është kënaqësi. – Kjo për mua është një dhuratë e mrekullueshme.!” – shtoi ajo me ata sy të ngazëlluar. Dhe tek tërhiqesha, pasi njerëz të shumtë prisnin autografe nga ajo, Patti më tha: “Mos harroni ti përshendesni gjithë shqiptarët nga ana ime!

Ngrita duart si për ta përqafuar por tashmë ishim disi larg. Bekuar qofsh Patti Smith, rrebele e botës, poete, këngëtare dhe rock star, rrebele e përhershme e kësaj bote. Që të dëgjoni britmën e saj të lirisë duhet të dëgjoni këngët e saj, të lexoni poezitë e saj, duhet të zgjasni dorën dhe të prekni atë zemër të hapur të etur për dashuri.

Sot në mbrëmje Patti Smith do recitojë poezi të Rembosë në Teatrin Odeon dhe do lexojë tekstet e saj për Rembonë. Ajo e do me shpirt Parisin, Francën, atdheun e Rembosë. Këtu në Paris ka shëtitur rrugët, sheshet ku shkonte dikur Rembo, ka fjetur në hotelet ku flinte ai, është ulur në kafenetë dhe bistrotë ku uleshin dikur dy miqtë e pandashëm, Rembo dhe Verlen. “Une jam e dashura e Rembosë!” do të thotë përsëri ajo, pasi në gjumë, nëpër ëndërr, ajo ka fjetur me të, ka thënë vargje bashkë me të, ka bërë dashuri me të, i është përkushtuar gjeniut, atij që e shikonte poetin si Profet të shoqërisë, Profet të ardhmërisë njerëzore.

Dje Patti Smith më tha që mos të harroj t’i përshëndes gjithë shqiptarët. Dhe unë po i përshëndes sot ata.