Një thashethem që po zgjat 150-vite-Erget Cenolli

NJË THASHETHEM QË PO ZGJAT 150-VITE

Herë pas here në tregun mediatik, sidomos atë të rrjeteve sociale, hidhet thashethemi i “origjinës kaukaziane të shqiptarëve”. Qysh në fillim dua ta theksoj natyrën prej THASHETHEMI të kësaj “teze”, pasi ajo është paraqitur nga një anonim dhe një teori e paraqitur nga një “i paemër”, domosdo që është para së gjithash e pabesueshme.

Ky thashethem e ka burimin 147-vite më parë në gazetën greke Neologos, në një artikull me titull “Epiri, djepi i helenizmit”, pikërisht në numrat 2780 dhe 2785, në maj të vitit 1878. Shkrimi niste me një sulm ndaj Abdyl Frashërit e më tej merrej me kufijtë e Epirit të vjetër e të ri, derisa arrinte në origjinën e shqiptarwve. Duke mos cituar asnjë burim anonimi që nënshkruhej “një epiriot”, arrinte deri në befasira të tilla sa të thoshte, se “disa dijetarë kanë supozuar se shqiptarët e Azisë kanë origjinë europiane, ndërsa shqiptarët e Europës kanë origjinë aziatike.” Përveç se e çekuilibruar logjikisht, anonimi nuk thotë se cilët ishin këta dijetarë të pandehur…

Pas leximit të artikullit, Jani Vreto Postenani, hartoi një përgjigje të gjerë e të gjatë dhe ia përcolli gazetës Neologos të Stambollit. Fillimisht (duket pa e lexuar), redaksia u zotua ta botonte, por më pas me gjasw pas leximit, gazeta rrefuzoi botimin. Pa dyshim që argumentet e Vretos kanë qenë dërrmuese, pasi sipas prof. Rexhep Qoses “Jani Vreto ishte për Rilindjen Shqiptare si Erazmi i Roterdamit për Rilindjen Holandeze”, ndaj edhe Neologos nuk pranoi ta botonte. Pas pak kohësh Jani Vreto e botoi artikullin në formën e një libërthi xhepi me titullin “Apollogjia”.

Një artikull i shkruar në një gazetë greke në Stambollin e sulltan Abdyl Hamitit, nga një anonim që nuk dihet çfarë formimi ka pasur në gjuhësi apo histori, që të merrte përsipër origjinën historiko-gjuhësore të një populli, doemos që është thashethem, pasi të vërtetat shkencore apo tezat e ndryshme shkruhen me emër e mbiemër, me burime historike e gjuhësore. Fakti që gazeta rrefuzoi përgjigjen e argumentuar të Vretos, e shton edhe më tepër karakterin THASHETHEMNAJOR, të artikullit të 147- viteve më parë. Edhe më tepër këtë ngjyrim e marrin këto “teza” në ditët e sotme, kur shkenca e gjuhësisë dhe studimet historike kanë arritur një zhvillim të pakrahasueshëm me shek. XIX.

Shënim. Të dhënat për artikullin dhe “Apollogjinë” janë marrë nga libri, “Jani Vreto vepra të zgjedhura”, përgatitur prej Prof. Alfred Uçit

Erget Cenolli d.v.

Korçë, 22 të Vjeshtës së Parë 2025