Njerëz zemërmëdhenj-Ildije Xhemali


NJERËZ ZEMËRMËDHENJ.

Isha e ulur në një bar, ku kafenë do ta pija me dy shoqet e mia, pensioniste dhe po i prisja

U ula në një qoshe dhe kamarierit që erdhi të mirrte porosinë i thashë:”Pres dy shoqe , porosinë, të lutem hajde merre më vonë.”

I sjellshëm, kamarieri u largua.

Në tavolinën ngjitur, u ngrit një i moshuar nga tre që ishin bashkë, u përshëndet me shokët dhe dëgjova fjalët: “Po ju lë se do të përcjell nipin në kopësht.”

-Shko, shko Petrit, do të takohemi përsëri këtu nesër.

Dhe i moshuari që foli priti sa tjetri kapërxeu prakun e barit dhe i foli shokut.

-Me Petritin nuk lahem edhe një jetë të dytë po të kisha për ndihmën që më dha, kur kisha litarin në grykë.

Tjetri nuk foli, priti me kurreshtje rrëfimin e tij.

Kishim nja dy vjet që kishim ardhur në qytet si shumë të tjerë.Dy djemtë e vegjël që jetonin me ne, njëri i martuar atë kohë, tjetri nja 25 vjeç si gjithë dynjaja ik e ktheu nga Greqia. Më vinin më ndihmonin edhe mua që më shumë rrija në fshat duke i bërë hysmet tokës. Edhe gruja sa në shtëpi me nusen, sa me mua në punët e bujqësisë, duke u bërë një nga krahët e mi.

Por në jetë do sprovohesh.M’u paralizua ime shoqe. Eh më mirë ta kisha patur unë atë fat se ajo. Ne, burrat mendojmë se jemi trari më i rëndësishëm i familjes, por kur më gjeti ai hall dhe sa më rroi gruaja e sëmurë, e kuptova që ne jo vetëm nuk jemi ata që mendojmë, por në familje, jemi një fëmi më shumë që e kemi të domosdoshëm, kujdesin e gruas.

Me tokën nuk merresha dot më, se duhesha në shtëpi, djali i martuar mbeti në shtëpi se mirresh me vizitat e të ëmës, kujdesin ndaj saj.Mbaheshim me ato që na dërgonte djali i vogël.Arritëm në një pikë që njeriu o mbytet, o del në breg të lumit.

E kam fqinj Petritin, m’i dinte hallet.

Me ilaçet në dorë të sime shoqeje, një ditë vija nga farmacia në shtëpi. Mezi tërhiqja këmbët se thika më kishte vajtur në kockë.Më pa dhe më foli:”Po pate kohë ulemi pimë një kafe.” Pranova.

Gjuha vete ku dhemb dhëmbi.

– Hall i madh më ka gjetur Petrit.Edhe Bardhi do iki përsëri në Greqi, të punojnë dhe të mbledhin lekët sa për të blerë një fugon që të punojë, se hallet na u shtuan.

Më dëgjoi, nuk më tha gjë, pimë atë kafen në heshtje dhe më ftoi që të nesërmen të takoheshim po për kafe.

Ditën tjetër e pashë që më priste tek një tavolinë në qoshe.U përshëndetëm dhe filluam të rrufisim kafenë.

– Kadri,unë dhe gruaja kemi hequr ca euro mënjanë nga ato që na kanë dhënë fëmijtë t’i prishnim për veten tonë.Tani për tani nuk na duhen. E pleqëruam dhe po të duhen, t’i japim me gjithë zemër hua. Hallin nuk besoj të ta mbarojnë.

Turp është që e them, por mua sytë m’u mbushën me lot.

“Petrit, ty Zoti të ruajt fëmijtë kudo ku i ke, qofshi mirë me grua, por do ta bisedoj edhe me Bardhin, se ai do të ta laj borxhin”.

Me eurot e dhënë hua nga miku- vëlla, me eurot që solli djali i vogël, Bardhi bleu një fugon dhe filloi të punojë.

Nga të ardhurat e punës së Bardhit, e qirasë së tokës në fshat po jetonim edhe ne si gjithë të tjerët.Jo vetëm unë, por as Bardhi nuk e bëri gjumin të qetë sa ia lau borxhin Petritit.

Një ditë me eurot e kursyera, bashkë me tim bir i ktheva borxhin mikut. Para se të na uronte që na u bë mbarë kthimi i huas,foli gati me lot në sy:” Unë nuk u vura afat për kthimin e borxhit.”

“Dera jonë është e hapur edhe në mes të natës për ju dhe fëmijtë tuaj.Petrit, ju që na u gjetët në ditët më të zeza, i pafshi ditët tuaja të bardha.”

Djalit të vogël, tashmë edhe ai me familje në Itali, i pranonim ndonjë dhuratë pa i rënë në qafë.Ato 4 vite që rroi ime shoqe, nuk i mungoi asgjë.

Duke e dëgjuar këtë episod, një rrjedhje e ngrohtë gjaku ma përshkroi gjithë trupin dhe isha gati që edhe mua të më lëngëzonin sytë.

“Nuk kanë vdekur njerëzit me zemër të madhe”,pëshpërita me vete dhe urova shoqet për vonesën e asaj dite.

Tregim në përmbledhjen.

NJË NGA JU