Njerëzore-Llesh Gjoka


Ne jemi njerëz

të zot paskemi qënë kaherë

të krijojmë ngjarje enkas

mëdha apo të vogla

me fuqi biblike, me shpirt, me zë dhe jehonë

Ato më të bukurat shkëlqejnë si safiri

bëhen nuri që na rrëmben sysh

në zgrof të qënies sonë.

Frymoren tonë

e bëjmë vesë për lulet sapo çelin

për të treguar se jemi prapë gjallë dhe prapë

ashtu të përunjur

ecim me kahje herë poshtë

herë sipër resh atje lart

Se e dimë se atje një dritë na ndriçon

prandaj i bëjmë adetet tona

nga mëngjesi në darkë.

Qiellit të lagur ndezim ylberet

që i bëjmë kordele të ngjyrta

për vajzat tona të ëndrrave

Dhe në yshtjen e beftë të magjisë

puthemi dhe përqafohemi

të çmendur

e shfryjmë delirin tonë nga gjaku në rremba

të pakohë, në ngarendje.

Perëndimeve të zjarrta

këndojmë për dashurinë

Na duhen veç ca tela, një kitarë

një zemër, një shpirt që qesh, që qan

Vijat e shiut i bëjmë pentagrame të gjata nga qielli në tokë

dhe pikat që bien

nota të ëmbla të vuajtjes sonë krenare…

Kur vaji na buron lotësh

e gjakun na idhnon

ne heshtim dhe rrugës prapë vazhdojmë

Kur biem në dashuri

trëndafili i jetës për ne kuqëlon…

Ne jemi njerëz

të zot të krijojmë ngjarje enkas

sot e përgjithmonë…