Njeriu i mirë,njeriu i ditës,në qendër të publicistikës letrare të Halil Ramës-Nga Sakip Cami



(Shënime për librin e 24-t të tij “Të fitosh titullin njeri”)
Nga Sakip Cami


Që në fillim të librit flet titulli: “Të fitosh titullin njeri”, që do të thotë se mund të jesh edhe lider, politikan, profesor e doktor, por që të meritosh titullin njeri duhet të luftosh që ta fitosh atë se jo çdokush është njeri i mirë me plot kuptimin e fjalës njeri i mirë, aq më tepër në kohën që kalojmë ku krimi, korrupsioni, vjedhja dhe vrasja janë fjalë që dominojnë në fjalorin tonë të ditës.
Autori Halil Rama, Mjeshtër i Madh, me një përvojë 45 vjeçare në publiçistikë, vjen me librin e tij të 24-t sikurse edhe në librat e tij të mëparshëm, pas qëmtimit dhe përzgjedhjes që u bën personazheve pozitivë të ditës në Shqipëri, Kosovë dhe në të gjitha trevat shqiptare.
Jo rastësisht ai e nis kapitullin e parë me ambasadorët e paqes të nderuar rishtaz, me gruan e parë shqiptare me gradën Gjenerale Majore në Forcat e Armatosura të Shqipërisë që kryen për dy mandate detyrën e rëndësishme të Zv Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Një ushtarake model, por edhe një grua e nënë model.
Po kështu autori shkruan për Dr. Sali Kurtin, për Prof.dr. Ali Tonuzin, Dr. Fatos Hoxhën, mjekë të shquar dhe njerëz të mirë që rrezatojnë paqe e mirësi.
Por autori shkruan edhe për 80 vjeçarin Muharrem Gjoka, Mjeshtër i Madh, presidentin e Ansamblit “Hazis Ndreu”, që së bashku me një mjeshtër tjetër, Avni Ndreun, të birin e Hazis Ndreut, Nderi i Kombit, kanë ngritur dhe drejtojnë një ansambël folklorik me këngë dhe valle popullore ku bëjnë pjesë fëmijë, të rinj e të reja, gra dhe burra të të gjitha moshave, një ansambël që ka dhënë koncerte e ka konkuruar në të gjitha trevat shqiptare.
Autori Halil Rama lëvron edhe publicistikën historike. Ai drejton edhe gazetën “Veterani”, ku pasqyrohen edhe veprimtaritë e Organizatës së Veteranve e pasardhësve të LANÇ të Kosovës.
Në këtë libër ai shkruan për Gjeneral Rrahman Parllakun, Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit, për majorin e rënë në krye të detyrës në misionet e NATO-s, Klodian Basri Tanushi, për dëshmorin dhe luftëtarin e dy luftërave botërore Ahmet Feta Camin etj.
Përveç publicistikës Halili ka shkruar me sukses edhe shumë kritika letrare, duke plotësuar kështu edhe një boshllëk të mungesës së këtij institucioni letrar.
Në këtë libër, por edhe në ato të mëparshmit, Halili ka shkruar dhe evidentuar vlerat artistike të shumë shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë ku mund të përmendim veprën e plotë letrare të Shefki Karadakut, romanet “Anja” dhe “Brenga e Prokurorit” të Ahmet Prençit, romanet e Zija Çelës, Besnik Mustafajt, Bashkim Hoxhës, Namik Dokles, Preç Zogajt etj.
Në këtë libër ai ndalet te poezia e Alban Balës, te romani “Covid 1984” të Namik Dokles, te romani i fundit i Ahmet Prençit si dhe te romani “Hirushja pellazge” të Astrit Gjunkshit.
Si qytetar i ndërgjegjshëm dhe i shqetësuar për temën e ditës, autori ndalet te libri i Prof.Ass. Ardit Bidos që analizon tendencat e disa minoriteteve për të zmadhuar shifrat e Censusit dhe për të arritur me mashtrime e presione 20 përqindshin e popullsisë që do ta kthente Shqipërinë në një shtet multietnik, në një kohë që shqiptarët janë banorë të 6 shteteve të Gadishullit Ilirik.
Mjaft interesante historia e Harun Domit, mësuesit nga Radomira që e solli abetaren e Naum Veqilharxhit nga Stambolli për nxënësit e tij. Dhe jo rastësisht nga familja Domi kanë dalë dekadë pas dekade intelektualë të shquar që i kanë shërbyer vendit.
Në promovimin e poemës voluminoze “Zani i Dibrës” të Hysen Dervishit, H.Rama nënvizon përpjekjen e H. Dervishit për t’i bashkuar figurat historike përrreth kombit, pikërisht atë që nuk po e bën dot politika që nga viti 1912.
Autori Halil Rama është tepër i ndjeshëm për intelektualët, muzikantët dhe sportistët shqiptarë që militojnë jashtë Shqipërisë, por që me veprën e tyre janë kthyer në ambasadorë të çështjes shqiptare në botë. Në librin e 24-t të tij ai shkruan për pjanistin e shquar Justin Gjata dhe koncertin e tij në Tiranë.
Halili bie në sy për përkrahjen dhe pasqyrimin e librave të poetëve dhe shkrimtarëve të rinj kudo qofshin ata, i ndërgjegjshëm se këta krijues nuk kanë arritur përsosmërinë, por askush nuk është i përsosur.
Në hullinë e studimeve historike autori Rama vlerëson punën dhe veprën e studiuesit Fatos Daci për origjinën dibrane të Skënderbeut mbi bazën edhe të literaturës dhe kinematografisë turke.
Edhe në Dibër të Madhe, ku është zemra e dibranve, Halili së bashku me moderatorin dhe gazetarin e mirënjohur Dëfrim Methasani është i gjendur për pasqyrimin e veprimtarive kulturore dhe atdhetare të komunës së Dibrës në RMV.
Duke analizuar dokumentarin e Ylli Pepos për minierën dhe qytetin e Bulqizës, Halili futet në minierën e kujtesës dhe krijimtarisë së tij ndër vite për këtë qytet, në reportazhet e fotoreportazhet e gazetës “Bulqiza” që ai drejton që nga viti 1992 dhe na jep një panoramë të detajuar për këtë qytet dhe për këta minatorë heronj, shumicën e të cilëve i njeh nga afër.
Publicistika e Halil Ramës nuk është e stisur , por kaq njerëzore saqë i ngjan copëzave të përditëshme të realitetit, për pasqyrimin e të cilave kemi kaq shumë nevojë të gjithë si komb dhe që Halili e bën me mjeshtëri, pasion dhe dashuri.