Njeriut të ditur nuk i bije kurrë ferra në këmbë


Anila Rezhda

Njeriut të ditur nuk i bije kurrë ferra në këmbë. [Viktor Hygo]

Sot është 31 Gusht 2022.

Po unë dua që sot të jetë dikur!

Bëhet?

Do mundohem…po iki me vrap tek e djeshmja ime/Juaj, tek dita e fundit e Verës tonë dikur…nesër do iki në shkollë, kam boll përgatitje për të bërë, lërmëni tani…

Mezi po pres mamin të vijë nga Shkolla e Bashkuar që të sjellë rrogën dhe letrën që të mbështjell libra/fletore. Nuk kam blerë ende çorapet e bardha. Nëna është në të mbaruar të jakës së bardhë tantellë, e shtata në radhë se më thotë që dy duhen rezervë, fëmijë je, bëhesh pis.

Çantë nuk më blenë, “mirë e ke për këtë vit” më thanë, vëllai e ka radhën që do vejë në gjimnaz. U mërzita. Vishnje e errët në ngjyrë dhe doreza pak e ngrënë nga përdorimi. E hapa, e lashë në ballkon të ajroset.

Sandalet e kuqe me Luledele të bardhë më në fund m’i bleu babi i vyer. Pasi më gjeti 10 herë me hundë të shtypur tek xhamat e dyqaneve te rruga e “Durrësit” ku banonim, 700 lekë bënin, dhe komsioni i familjes time Gjirokastrite-Korçar më lanë tërë Verën duke i ëndërruar, më në fund të mijat, po bëj prova duke ecur majë asaj take të voçkël që tregon se jam bërë zonjushë. Do flë me sanadalet nga gëzimi sonte, vijnë erë engelit po punë e madhe.

Dera u hap dhe mami im e bukur hyri e djersitur dhe tepër e skuqur në faqe. Pyeti direkt ku është babi, i thashë u shtri të flëjë pak se nesër ikën me shërbim me ata të Ministrisë për në “Pyjet em bore ka jetë”, në Martanesh. La çantën, letrën mbështjellëse, qesen me 1 kg rrush dhe iku nga dhoma duke mbyllur derën pas. E kuptova. Kur mbyllte derën mami që mos dëgjonim ne fëmijët, çështja ishte serioze. Morra gotën e ujit, e vura te muri dhe fillova të përgjoj…

“Vetëm rrogën morra. Nuk ma dhanë shtesën e pushimeve të Verës, në fund të Shtatorit më thanë. Ti e solle rrogën? Ja të vijë dhe pensioni i Mamasë nga Gjirokastra e të shohim a do dalin për libra, fletore, i madhi do çantë u rrit, lapsa, pena, po dhe ndonjë rrobë nuk është keq. Ti si ja bleve në fund Vere 700 lekë sandalet të voglës? Thamë që i donte po fëmijë është ç‘i sheh syri i do. Javës tjetër kemi dhe dasmën e Ladit, mos harro, mënjanë duhet vënë dhe qoka që tani se nuk është dhe pak, djalë vëllai e ke. Po ushqimet duhen marrë. Shyqyr që do vijë dhe racioni i mamasë bashkë me pensionin, 3 pako kafe, 1 .1/2 vaj ulliri, nuk janë pak, nxjerrim Dimrin. Më dëgjon apo po flë? Pse nuk flet?”.

“Ç’të them? Mirë i ke renditur gjithë detyrimet. Mos u bë merak. 10 ditë shërbim do marr dietat dhe kur të vij do i ekuilibrojmë shpenzimet e shkollave të fëmijëve. Si të gjithë. Lëri të gëzohen e të blejnë ç’të duan, mos ju thuaj mos e mos, janë në moshë, le të gëzohen, do ju hynë edhe ata valles së jetës si ne dikur. Ne ç’i pamë dynjasë? Atë do shohin dhe ata”.

Pa arritur të zbres nga koka e divanit 8 mijë leksh, ndjeva dorën e gjyshes së shtrenjtë që më tërhoqi gërshetin sikur do ma këpuste. Më futi dhe një të pickuar te kofsha dhe me vrap tek e bija të merrte vesh përse kishin folur ata si çift që të kuptonte ç’farë kisha dëgjuar unë.

Si Hënë e zezë hyjnore Nëna m’u turr e më tha:

“ Të griva moj e shkretë po e bëre edhe njëherë atë gjë të shoh apo nuk të shoh unë. Morre vesh? Gje brimë Miu të futësh kokën po të pashë më. Mos më rri si kallogre tani po më premto që ishte hera e fundit që e bëre dhe lutu mos i them sat’ëme se do i hash nja 2 orë në hale të gomarëve pastaj e mbyllur atje…”.

Ndonëse fëmijë u ndjeva që isha barrë shpenzimesh! Kjo ndjesi do më shoqëronte derisa të ikja larg familjes e të merrja rrogën e parë. Ndonëse ishte xhest i turpshëm dhe i ndaluar nga familja ime përgjimi, unë dëgjova atë që më duhej për t’u bërë fëmijë më i mirë nga sa isha dhe kjo që jam sot, e matur dhe me laps e letër në dorë gjithë jetën. Ato makthe njerëzish të mirë më edukuan.

Erdhi uji. U ulëm të hamë drekë. Rrushi lahej nën rrjedhën e ujit. Babi i qetë si gjithmonë dhe i sigurt në aftësitë e Tij burrërorë se nuk do linte kurrë familjen pa të ardhura, u ngrit më herët nga tavolina. Mami e pyeti për rrushin dhe ai tha racionin tim le ta hajë kjo e voçkla që ha frutat me mani në vënd të bukës. I gjysmë-ngrëni im i vyer plot një jetë, iku me hapa të ngadaltë për të dremitur tashmë i qetë se hesapet ishin bërë!!

Unë u shtriva dhe bëja sikur lexoja sepse 15-17:00 po mos lexoje të merrte lumi nga qortimet e mamit. Ëndërroja takimin me shoqet, me shokët, me kë do ulesha në bankë, ishalla me Ermalin e bukur!! Këndoja me vete 100 herë vargjet e këngës Greke: “Το ‘πε, το ‘πε ο παπαγάλοςότι σ’ αγκαλιάζει άλλος” ( E tha e tha papagalli që përqafoje tjetrin). Doja t’ju tregoja kalamajve se gjatë Verës me nënën në Gjirokastër kisha mësuar gjuhë të jashtme!

Prisja të vinte nëna në dhomën tonë e të filloja pazare të reja. Nuk më pëlqente fare përparsja e zezë e shkollës. Ishte copë doku dhe nga të larat i kishte dalë ca boja. Qava heshturazi nga mërzia. Më pëlqenin shumë rrobat dhe këpucët e bukura. Zëmra rrihte si një zog i vogël, emocionueshëm sikur do ndodhte diçka e madhe të nesërmen. Koka e Pulës së orës çukiste nervozueshëm kohën që iku dreka, mbasditja mbeti.

Nëna erdhi, u shtri te krevati i saj dhe më shikonte. E nuhaste me hundë që kisha një shqetësim, më njihte më mirë se mami që më lindi pasi, ajo më morri që 48 orë të lindur me vete dhe më rriti. Unë bëja indiferenten.

As pesë minuta në shtrat u ngrita dhe shikoja nga dritarja pemët e lodhura nga dielli. Tirana njgjante me një ylber që nuk nxitonte të ikte pas shiut! Qielli i saj ëndërrimtar më shumë se ç’do qiell kryeqyteti në botë, më dëmshpërblente hareshëm nga përkufizimet që ishin rresht si ushtarë në jetët tona! Shtyva me dorë perden e bërë me grep nga Nëna pajë për mua, mbështeta kokën në dritare dhe imagjinoja kur do rritesha dhe do ecja pa orare rrugëve e fejuar, mbështetur në një krahë mashkulli që do më donte! Imagjinata e një vajze pa provuar ende dashurinë…nuk është arritur ende të përshkruhet nga shkrimtar Nobelist!

Ndjeva aromën e Saj, më puthi, me mani tek flokët, gusha, e penduar që më shkulli flokët… “Erdhi ora ime, o tani o kurrë…”-thoshja me vete. O thuaje o të iku zogu nga dora tani që shpirtërisht Nëna po ngordh për ty e penduar!”.

“Thuaj nënës, ç’të mundon të keqen që nuk të mban krevati? Nesër është ditë që ti mezi e pret. Shkolla, shoqet, hartimet, kori në Pallatin e Pionerëve që fillon për pak ditë, sandalet e reja, do të të jap dhe 30 lekë për hashure dhe pasta sy, 2 të blesh…pa më thuaj…”.

“Nëna ti e di që vetëm ty të dua më shumë në këtë botë. Ti më thua të kam vajzë jo mbesë. Nuk e dua përparësen Nëna, nuk e dua. Është ca e bardhë si flokët e tua. Eja të vemi te rruga e “Kavajës” aty përtej ambasadave të qepim një të re, eja o Nëna të lutem! Dua ta qep me copë fëshfëshe nëna si përparësja që ka Mirela Bogdani, ma tregoi. Nuk e dua prej doku. E kam inat. Do e vesh 1 vit të tërë, nuk të vjen keq për mua? Vetëm ajo do duket jo rrobat…[Gjetje fëmije, vetëm ajo do duket… kam turp!!]”…

…nuk e di a qau por ndjeva kokën e saj të rëndë mbi supet e mija të voçkla dhe ndjeva që futi dorën në xhepin e fshehtë të fustanit të natës, aty ku fshihte lekë që mblidhte për të bërë hatëret e saj ose për të na bërë qefet neve fshehurazi nga prindërit. Fësh –fësh i numëronte. Pa më folur fare më hodhi fustanin në kokë. Me dy lëvizje e vesha dhe isha te dera e jashtme. Nëna më ndaloi, vajti lyejti çelsin me vaj që mos bënte zhurmë dhe dolëm.

Dy hapa larg nga Rruga e “ Durrësit” ishte rrobaqepsia. Na priti një zonjë grua e shkurtër dhe topolake, shumë fisnike. Gratë e tjera me kokë ulur qepnin. Nëna foli gjatë me Të, me këmbëngulje, me lutje, më shikonte mua, shikonte orën dhe…zonja më ofroi te vetja e qeshur.

Metri maste trupin tim të brishtë sikur donte të më thoshte sa metër fat do kisha në jetë!! Beli im e minimizoi metrin sikur donte t’i thoshte që unë sot jam kështu i hollë por nesër do trashem, do trashem…kur koha të më nderojë duke më bërë mami!! Por Koha nuk e mbajti premtimin!!😪😪

Nëna më morri nga dora dhe u ulëm te dyqani i dollarit në pritje të provës. Morri aq puthje saç dhashë në gjithë jetën time më pas! Më ftoi të shkonim te shpëia e Maria Dindit meqë isha shoqe me motrën e saj me Anilën e t’i lusnim mos na jepnin ndonjë trëndafil nga oborri. Mos veja me duar bosh te mësuesja nesër në shkollë.

Ora rrodhi e lumtur. Dëshira ime për përparëse të re u plotësua nga lekët e kursyera të Nënës. E provova dy herë, e rrëmbeva, ma morri prapë rrobaqepësja që ta hekuroste dhe qeshte me padurimin tim. Rrypi i përparëses varej si një nga litarët e liriruar që iku si lak nga mërzia në grykë time të voçkël!!

Erdhëm në shtëpi dhe me vrap te komshija ime Teta Violeta Papuli se e dija që do plaste në Kuçovë, përparëse të re i qepe?! U zhyta në kolltukët e saj njgjyrë kaf lëkure që e kishte sjellë nga Moska. Teta Leta më hapi televizorin me ngjyra dhe po shikoja Tele5. Më dha pak bukë me djath dhe siç thoshin për mua, është fëmijë i urtë, po nuk foli e harron që e ke në shtëpi. Më lidhi te dora si orë një fjongo rozë, më puthi në ballë dhe më tha e ke dhuratë për nesër që do vesh në shkollë.

Në darkë u mblodhëm të gjithë. Në tavolinën e madhe mami filloi të na mbështjellë librat me letër të bardhë. Nëna po bënte karkanaqe që të qerasja kalamajtë. Babi po lustronte këpucët e vetme. Mami preu tre copa gazete “Zëri i Popullit ” që të mbështillnim simiten me djath që do merrnim me vete të nesërmen. Më kontrolli thonjtë e më tha me vrap në banjo të t’i pres. Vëllaçkua im ishte një fuqi reale qetësie që nuk demonstronte kurrë ndjesitë, nuk donte të bëhej temë diskutimi në familje për asgjë, kishte shumë sedër. Dola në dritaren e pasme të vilës dhe thirrja shoqet si Lina & Klara-(motrat yje te mija), Mirela, Donika & Teuta (binjake) që t’ju thoshja se qepa përparëse të re dhe gjeta trëndafila roz për zyshën. Mami më mbylli krahët dhe driatren se ishte vonë, me ndrroi bizhamet dhe më dha një çëmçakiz fshehurazi. Kishte marrë një njgyrë roz lëkura e saj e përsosur e bardhë nga qetësia së kusuret e asaj dite të vështirë jete u vunë në vijë, nuk mbaruan. Morri nga bufeja 16.000 lekshe librin “Shtëpija e shpirtrave” [Izabel Aljende], fiku dritën dhe na tha natën e mirë, unë isha bërë njësh me trupin e Nënës, në të njëjtin krevat, plot plot 22 vjet!! Televizori po transmetonte muzikë simfonike se ishte ditë e Mërkurë. Film pamë të Martën dhe prisnim të Enjten që të shikonim prapë!

Në mënjgjes babi kish ikur shumë herët, kishin ardhur dhe e kishin marrë me makinë. Mami po ashtu. Vëllai si nur, djalosh i ri i qeshur, vuri një dosje nën sqetull, nëna e arriti dhe i dha lekë, qeshi me përparsen dhe kordelet e mija, “vur dhe një kapele në kokë se ajo të mungon” -më tha. Nëna morri kutinë e shkrepseve dhe më tërhoqi nga dora. Gjatë rrugës për te shkolla “Avni Rustemi” ndizte e ndizte që vajza të bëhej shkrepse nga goja!! U bëra dhe i dogja gjithë shkrepset e botës thuaj!😍

Oborri ishte plot. Mua dhe Manjola Çaushit na tundeshit kordelet në ajër si flutura, Mirela qeshi dhe më uroi për përparësen e re, e kuptoi që e kisha qepur fix si të sajën. Fëmijë të pastër, ndrinin, shkëlqenin syçkat e tyre, mësueset zonja që të impononin respekt dhe frenim, shkolla dhe muret jashtë kundërmonin gëlqere, Drejtor atë vit ishte i mrekullueshmi Jorgo Papinjgji, kujdestare zysh Neli e dashur, më vunë në bankë me Mikelin siç isha lutur me veten, vura çantën nën bankë dhe fillova të zhgarravis…Nila, Nilushe, Niluk…siç thërrisnin përkëdhelitë e dashurisë familjare dikur!

Më pas u vetë-emërova dhe nënshkruajta me dashuri për njerëzit në fund të shkrimeve të mija, NilaR

Koha rrodhi dhe 1 Shtatori do më gjente në dyert e një Universiteti jashtë shtetit. Kur më dhanë listën me libra dhe adresën e librarisë, u trëmba nga shuma që duhej paguar se nuk kishte më baba, mama, gjyshe që t’ju kërkoja. U afrova te dera si dikur Ime Mëmë e skuqur në fytyrë dhe nuk më dilte zëri sa kushtonin. Zotëria i hodhi një sy një liste dhe më tha – “asgjë për ju studentët e huaj pa të ardhura familjare. Vit të mbarë dhe plot suksese” – më uroi. Qesha, morra frymë thellë, vrapova të blej një byrek me djathë se kisha dale pa ngrënë dhe me vrap tek Western Union që të nisja lekët për Tiranë.

Ndryshuan kohët, 1 Shtatori nuk ishte më harxhues por prurës për familejt tona!!

Ishte rradha e prindërve mos dinin ata tani a na mjatonin ne fëmijëve lekët!

Ishte koha që Prindi u bë Fëmijë dhe Fëmija u bë Prind!

Histori e dhimbshme kjo e librave tanë si brënda dhe jashtë vëndit!!

E kemi blerë shumë shtrenjtë dijen gjithmonë ne Shqiptarët kudo në botë!!

Herë nuk hëngrëm për të blerë libra për veten e herë për të blerë libra për fëmijët!

Hallall veç ato para të kursyera të Prindërve e të gjyshes së artë për librat, fletoret dhe përparësen time sepse… dua ta besoj që kam shkruajtur në Shqipen tonë të bukur duke besuar se nuk kam bërë gabime tragjike gjuhësore ndonëse mungoj 30-te vjet nga Atdheu/Tirona ime e dashur!!

Hartimi im i parë i shkollës për 1 Shtatorin e vitit 2022!

Gëzuar 1 Shtatorin e fëmijëve tuaj! Vit të mbarë paçin!

“I padituri është si daullja: zërin e ka të lartë, por brenda është bosh”. [Saadi Shirazi] Me❤️ NilaR

About Post Author