NJERKA
Bukuri sipërfaqësore.
Bukuri e akullt.
Bukuri mizore.
Të gjitha bukuritë i lufton hapur.
Sfidon Afërditë.
Sfidon Helenë.
Si koka e Meduzës me gjarpërinjtë,
i shndërron “armiket” në mermerë!
Diku,në një cep të botës,
filloi të rrihte një zemër e bukur.
Çelësat e rinisë ia vodhi kohës.
Dhuratë ua bëri njerëzve të humbur.
Ndriçonte.
Dielli merrte dritë prej saj.
Ngrohtësi çlironte.
Dielli sa s’avullonte prej saj!
Njerka,vibroi nga kjo forcë.
Erdhi e u tulat brenda refleksit të saj.
Dyllë e verdhë,pasqyrën bëri copë.
Ulëriti me qindra xhinde bashkë,si e marrë!
Mblodhi gjithë terret e magjitë e zeza.
U shndërrua në dallgë e tërbuar.
U turr si skifter me kthetra.
Zemrën e bukur,në gur,për ta shndërruar.
“Ç’bëj kështu?!
Me veten time po luftoj?!
Jam vetëm unë këtu!
Ku shkoi ajo shëmtaraqja?!Ku avulloi?!”
Zemra e bukur,
në kraharorin e njerkës ish futur.
Një bukuri të re i fali.
Largoi hijet!Kohën e acartë ndali!
SHPIRTIN ngjalli!
