NJOLLA ARRATIE


Gori Stafa

Rrethuar riprodhimesh abstraksioniste

pres të vijnë ca vizitorë të zymtë

sa për të larguar mallin për njerëzit

sa për të gërgitur kalkun e kësaj mbushullikohe.

Pse nuk skicoj, ashtu kot, edhe ca njolla arratie?

Po kush do t’më presë në përjashtën e papërzemërt?

Duke shkarravitur muret për të 3652-tën herë

s = v • t

duke përgjuar hapat e qelisë sime

hapa para dhe prapa

pres të vijë gardiania mizore (si çdo ditë)

me atë uniformën e saj regëtitëse

pres t’më tregojë hekurat e dritares së hekurt

dhe arratisjen time (sa kam pritur!)

të gllabëruar çuditërisht

prej vështrimit të saj të zjarrtë.

L. S.

22

About Post Author