Nuhatje qeni


Ligor Stafa

Ndodhem pranë një stacioni treni. Aty pranë ka shtëpi, por edhe nuk ka shtëpi. Ka një pyll të vogël. Ka edhe s’ka. Më kanë lënë në ngarkim një fëmijë motak. Ky fëmijë ka prindër. Edhe s’ka. Pranë meje është një plakë, e cila mezi pret fishkëllimën e trenit. Ajo seç kërkon duke mërmëritur. Unë interesohem për plakëgjorën: kërkonte një sëpatë, që e kishte patur në një nga çantat. Në këtë kohë djali i vogël më shkëputet nga sytë dhe futet në pyllin me mështenka.
Dallova aty pranë dy qenë të njohur. Njeri prej tyre ishte i vjetër, ndërsa tjetri i ri. I vjetri ishte në një pozicion më lart se i riu. Rrinin pranë njeri-tjetrit dhe për diçka kuvendonin. Më bëri shumë përshtypje ky afrim. Me atë të vjetrin kisha një hesap të vjetër. U mata tinëzisht të rrëmbeja një gur, ta qëlloja. “Nuk ma do mendja se ky i riu do të hidhet. Jo, jo, nuk bën”, fola me vete, “do t’më shohin gjithë këta njerëz.”
Qeni i vjetër më përshëndeti lehtas, por me një vështrimlutje. Më përshëndeti edhe qeni i ri. Hodha sytë rrotull. Edhe për të parë se nga shkoi fëmija që kisha në ngarkim, por edhe për t’iu shmangur paksa dy qenëve. Plaka vazhdonte të kërkonte sëpatën.
Dy qentë kuptuan se unë diçka kisha humbur.
– Profesor, – m’u drejtua qeni i vjetër, – Kë po kërkoni?
– Kisha një fëmijë përdore, po m’u shkëput dhe s’di se nga u largua.
– Këtej rrotull e keni, profesor, – foli gjithë siguri qeni i vjetër. U largua pak nga qeni i ri dhe drejtoi sytë nga një gëmushë pranë një varreze makinash. Djali i vogël ishte ngjitur pas një timoni dhe po e rrotullonte nëpër duar. Drejtova sytë nga qeni i vjetër. “Nuk qenka keq nga nuhatja”, mendova. Tunda lehtas kokën. Po e falënderoja më duket.
– Diku, këtej afër është edhe sëpata e plakës, – foli qeni i vjetër dhe vuri këmbët mbi një bisht sëpate. S’di pse po i hynte në punë kjo sëpatë plakës së gjorë. M’u duk se zbuluam një sëpatë antikiteti. Plaka betohej se s’do të hypte në tren pa gjetur sëpatën. U gëzua shumë kur i thashë se sëpata u gjet. U gëzuan edhe të tjerët, që prisnin trenin. U shkëputa paksa nga turma, që filloi t’më rrethonte dhe kërkova më sy dy qentë. Nuk i pashë më aty. Ishin larguar.

About Post Author