Nuk dua të ndalem-Llesh Gjoka


Mund të jetë një imazh i patë, mjellmë dhe natyra

NUK DUA TË NDALEM

Në një shportë me fije argjendi po shoh si rrallohen lulet

Se ditët janë mokra, hanë pak nga pak rrugën

Nëpër dritare po mbyllen një nga një perdet

Bulkthit po këlthasin këngën e tyre të muzgut.

Nga brigjet shoh pelikanë flatragjërë duke rrahur ajrin drejt meje

Në furtunë më zhyten mendimet, fiksioni i syve të mi

Copra resh i kap me dorë, i tjerr fije – fije

Në vekun e vjetër thur përrallën e jetës sime.

E shoh si koha përkulet, bëhet urë e ajërt

Kalimi bëhet thirrje për bohemët që s’vdesin

Më rrëmben një erë profane, më shtyn përtej

Dëshirat shkrihen kockash, bëhen lule dhe kërcej.

Fytyra më shndërrohet, tabelë ku mund të gjuajnë

Pres shigjeta me duar, kërcej në anën tjetër

Faltoren e lashë, murgjit le të luten

Unë një shenjë po shkruaj, diku në palimpsest.

ll@gjoka

08.11.2024