Aleko Likaj

Tregim për fëmijë.
NUK E KËNDOJ ATË KËNGË
Arbër Tirana ishte këngëtari më i mirë i grupit. Një vit më parë kishte kënduar edhe në festivalin e fëmijve që organizohet çdo fillim vere në Shkodër, duke përfaqësuar qytetin e tij. Durimi, udhëheqësi artistik i Shtëpisë së Pionierit, shpresonte përsëri për një përfaqësim tjetër në atë aktivitet të këngës për fëmijë, ndaj i kishte ruajtur këtë herë një këngë të bukur që do të këndohej fillimisht në festivalin e qytetit.
Ai do të organizohej dy javë më pas.
Atë pasdite e gjithë Shtëpia e Pionierit gumëzhinte nga zërat e bukur fëminorë dhe tingujt e këngëve në të dy sallat e vogla të korridorit atje lart në katin e dytë. Ndihej që atmosfera e aktivitetit i kishte përfshirë që të gjithë. Ishin si në ethe. Në dhomën e pianos shef Durimi po ia tregonte këngën Arbërit. Në fillim ia luajti në instrument dhe kur mbaruan tingujt ia lexoi edhe tekstin. Pastaj iu kthye edhe një herë vijës melodike. Por djali këngëtar nuk u tregua entuziast. Heshti pa thënë asnjë fjalë.
Kompozitori hoqi duart nga pianoja e u kthye nga ai. E shikoi djalin drejt e në sy, pa mundur të mësonte shkakun e asaj heshtjeje që dukej si një mosmiratim. E kishte për zemër atë këngë.
Dy muaj më parë poeti e kishte ngacmuar për këtë temë. Ishte bërë si e ditës. Shumë familje shqiptarësh pas rënies së sistemit u larguan për të kërkuar një jetë më të mirë andej përtej kufijve, madje edhe më larg, përtej oqeaneve e kontinentit.
– Hë pra, Arbër. Të pëlqeu kënga? – Fëmija përballë tij u skuq në fytyrë dhe u mat që të thoshte diçka, por në momentin e fundit u pendua. Ndryshoi mendim. Uli kokën dhe vështrimin e nguli në dysheme. – Ka edhe një tekst të bukur. Është aktual. – Arbëri ende nuk kishte vendosuar të fliste. – Ti po e sheh që janë larguar shumë familje dhe të tjerë po bëhen gati. – Kompozitori ndaloi dhe u mbush me frymë. – Dhe në këtë ikje nuk mungojnë as edhe njerëzit tanë të afërt, miq e shokë. Ja, për këtë flet edhe kënga. Letër malli, nga ato që presim e na vijnë tashmë nga larg.
– E di si është puna, mësues Durimi? – tha djali e zëri iu ngjir në çast. Nuk guxoi ta shihte në sy kompozitorin. Lëvizi këmbën e majtë atje poshtë mbi pllakën e lëmuar brenda katrorit të saj të madh, e ngriti kokën dhe vështroi tastierën e pianos që heshtte pranë tij. – Unë e kam një shok që është tani refugjat. Ka qenë shoku i bankës në këto dy vitet e fundit. Në fund të verës që shkoi familja e tij u nis për në Kanada. Por ai, por ai më harroi. As letër, as ndonjë lajm nuk kam prej Ermalit.
Iu dridhën supet e zëri u duk se iu fik në fund të fjalës, kur përmendi emrin e shokut të tij.
Durimi ia dalloi emocionin fëmijës dhe sytë e bukur në gri të lagur.
Trokiti dera dhe në çast u shfaq aty një mësues në një shkollë në veri të qytetit. Ishte poeti.
– Keni filluar provat? – pyeti ai që te dera gjysmë e hapur, por nuk mori përgjigje.
Pastaj e mbylli qetësisht dhe erdhi e zuri vend në një karrige përballë pianos. Këngëtari ishte ngjitur me të dhe kompozitori i mbante duart ende mbi tastierë, por nuk lëshonte tinguj.
Durimi ktheu kokën nga pas e i tha autorit të tekstit:
– Kemi një problem me këngën.
Pastaj, i tregoi qetësisht se ç’kishte ndodhur aty dhe me qëndrimin e Arbër Tiranës.
Tjetri vuri buzën në gaz.
– Unë mendoj se ai nuk të ka harruar, por thjeshtë së bashku me familjen po përpiqen të mësohen e të njihen me jetën e re atje në vendin e huaj….Ky është një përgjithësim artistik. – Afroi karrigen. – Ja mësues Durimi ka edhe një nip që ka shkuar refugjat me familjen e tij në Greqi. Po edhe unë në Itali. Mësuese Flora që drejton orkestrën, në Gjermani. Madje unë di që edhe xha Taqoja, fqinji yt, e ka familjen e të birit në Amerikë. Të gjithë duam të dëgjojmë zërin e tyre. Të marrim letra prej tyre. Ti ndiejmë. Të japim e të marrim dashuri prej tyre, se janë njerëzit tanë prej gjaku. Hë, si thua ti? T’i harrojmë? Të mos i kujtojmë?
U vendos një heshtje në atë midis tyre.
Ishin përballë. Poeti që priste një përgjigje dhe Arbëri që duhej të fliste në atë çast.
Djali u duk se ngashëreu dhe vari kokën në kraharor. Hoqi dorën nga pianoja, ku mbështetej e lëvizi gishtat mbi kurrizin e dy duarve, duke i fërkuar pa vetëdije. Mësues Durimi u ngrit dhe i vuri dorën në sup.
Këngëtari u kthye nga poeti e tha duke i rrumbullakosur fjalët, se përpara ndarjes kishin vendosur me Ermalin që t’i shkruanin letra njëri-tjetrit, porse ai nuk e kishte mbajtur fjalën e dhënë.
Poeti lëvizi përsëri atje në karrigen e tij dhe vuri buzën në gaz me naivitetin e fëmijës.
– Po shkruaji ti,- propozoi e qeshi lehtë
Këngëtari ngriti supet e u çel në fytyrë kësaj radhe.
– Po unë, po unë nuk ia di adresën, – tha me naivitetin e fëmijës Arbër Tirana.
– Mirë atëhere, e bëjmë kështu. Le të jetë pra një letër malli që nuk vjen më nga larg, por që niset nga këndej, po me kaq mall për shokun që ka emigruar me familjen e tij, – propozoi këtë herë kompozitori i këngës. – Në rastin konkret kemi Arbërin, që pasi e ka pritur letrën e shokut sipas fjalës së dhënë, por që ajo nuk i ka mbërritur ende. Nis letrën e tij.
Këngëtari dhe poeti nuk reaguan në çast. Heshtën.
Ishin si të topitur dhe të zënë në befasi, dhe nuk dinin se çfarë përgjigjeje do të jepnin nga kjo ide e papritur e mësues Durimit.
– Interesante, – tha poeti pastaj e vuri buzën në gaz. Dukej se i pëlqeu kjo ide. – Hë, si thua ti Arbër? – kërkoi përgjigje këtë herë nga djali njeriu që kishte hedhur në pentagram vijën melodike të këngës.
– Nuk di se ç’të them, – i u përgjigj tjetri. – Por Ermali më harroi, – tha pastaj me një krenari të sëmurë prej fëmije.
– Unë jam gati që ta ndryshojmë tekstin dhe ta bëjmë kështu, siç propozon Durimi, – foli që nga andej poeti, i mbështetur në karrige pas kurrizit të kompozitorit dhe u ngrit në këmbë. – Por unë kam edhe një propozim tjetër. – Dy të tjerët kthyen kokën nga ai dhe e panë drejt e në sy. – Mendoj se Arbër Tirana ka të drejtë. Unë njoh një të afërm të familjes së Kujtmit, babait të Ermalit, që banon në qytetin e Elbasanit. Ai me siguri e ka një adresë të inxhinier Kujtimit. Dhe pastaj t’i shkruajmë dhe t’i dërgojmë edhe këngën me nota në pentagram dhe ai, si ish nxënës i violinës në shkollën tonë artistike të qytetit, do të dijë ta lexojë. Pra, është një këngë për atë që do t’i kujtojë dhe fjalën e dhënë.
Pas kësaj që të gjithë u entuziazmuan me këtë gjetje. Djalit i shkëlqyen sytë. U ndje i ngazëlluar si fëmijë dhe premtoi se do ta këndonte me shumë dëshirë këngën për shokun.
Mësues Durimi i tha këngëtarit që të shkonte në shtëpi e të qetësohej atë natë dhe e lajmëroi që të vinte të nesërmen në të njëjtin orar për të filluar provat e këngës së re…
“Letër Malli”, e kënduar nga dhjetëvjeçari Arbër Tirana, ishte edhe kënga fituese e festivalit të qytetit. Një muaj më vonë një nga këngët më të spikatura të festivalit kombëtar të këngës për fëmijë. E kush nuk e pëlqeu atë?
Ajo zuri vend dhe hyri shpejt në zemra e në të gjitha programet artistike të fëmijve anekënd Shqipërisë, e u duartrokit vazhdimisht.
Dy javë para fillimit të vitit të ri arsimor në shtëpinë e këngëtarit mbërriti një letër malli.
E dërgonte Ermali.