Nuk ka proteza për shpirtrat e gjymtuar- nga Arjan Rama


Nga Arjan Rama

Ka aq shumë arsye historike se përse ne, shqiptarët, të ngulur në shtetin tonë po aq sa edhe të shkulur prej tij jemi “kështu siç jemi”, vaj medet. Ndoshta, ende nuk kemi prekur fundin e përgjakur të dinjitetit të poshtëruar njerëzor në formën e shpirtrave të humbur, por sigurisht që gjallojmë në ligatinat e këtij dinjiteti si shpirtra të gjymtuar. Në fakt, shpirtra të gjymtuar ka gjithkund duke filluar që nga getot ku rreckat e varura të mjerimit thahen në telat me gjëmba të injorancës e deri tek rezidencat e super jahteve ku dielli shkund epshet në çarçafët e luksit. Ka gjithkund, sepse njeriu që njohim, para se të jetë grabitqari më i përsosur që kafshon mishrat është arma më e frikshme që gjymton shpirtin. Siç na tregon fati i popujve përgjatë rrugëtimit të tyre në kërkim të vetëdijes kolektive si entitet i lirisë, për shpirtrat e gjymtuar nuk ka proteza. Një shpirt i plagosur, i gjakosur, i shpuar, i prerë, i shtypur, i shqyer, i masakruar nuk mund të shërohet, nuk mund të ngrihet në këmbë, nuk mund të ecë më si dikur, nuk mund të flerë për të harruar ditën ose nuk mund të zgjohet për të harruar natën. Ai ka ngecur në thelbin e tij si një ëndërr e balsamosur. Shqiptarët, anë e kënd, janë njëjtë d.m.th. janë raca shpirtërisht e gjymtuar nga gjeostrategjitë perandorake të “fuqive të mëdha” me koordinatat e tyre të ngulura në trupin e saj të shenjtë si shtiza legjionarësh dhe e sakatuar nga profetët e rremë, së shumti, bijtë mosmirënjohës, me paranojat e tyre të ngulura si gozhdë kryqëzimi në shpirtin e saj të lashtë. Pra, po them se jemi shpirtra të gjymtuar, por si çdo gjë shqiptare që është gjithmonë “më shumë”, gjithmonë me tepri, me nerv gjakatar dhe afsh përvëlues aq sa në këtë tokën tonë edhe urrejtja lind nga tepria e dashurisë, edhe gjymtimi ynë shpirtëror është diçka “më shumë”, diçka më tepër se gjymtimi i standardizuar shpirtëror i disa racave të tjera në ledhishtat e kulturave euroaziatike. Por çfarë është gjymtimi shpirtëror dhe përse edhe në këtë pikë ne jemi ndryshe nga të tjerët? Përgjigjet janë të çuditshme. Shpirti gjymtohet kur është i detyruar të shesë lirinë e tij për të blerë aksionet e mbijetesës në një mjedis armiqësor (edhe shpirti i shqiptarit, gjithashtu), por kur është fjala për të blerë, ne, shqiptarët bëjmë diçka tjetër, diçka ndryshe…blejmë skllavërinë tonë. Ne shesim lirinë për skllavërinë, aq sa duket sikur kjo e fundit ka qenë dhe është zona jonë e rehatisë, një egzistencë pa detyrime të ndërsjellta njerëzore, pa përgjegjësi individuale, pa mendime, pa fantazi, pa shtysa apo qëllime revolucionare, një lloj i veçantë lirie ku skllavi edhe pse i shfrytëzuar, i poshtëruar, i keqpërdorur, i mashtruar, ndjehet më i sigurtë në çifligun e padronit apo në shtetin e prijësit autoritarist se sa në mes të katër rrugëve të botës ku busulla e begatisë fshihet në xhepat e konkurencës së lirë dhe në kasafortat e individualizmit të skajshëm. Kështu kemi vepruar që në agun e kohrave historike, duke tregëtuar lirinë tonë… që atëherë kur në oxhakët e ndezur të fisnikërisë zyrtare shqiptare gatueshin si mishi në hell, dredhitë e Bizantit, avullonin si parfume mistike, ambicjet ekspansioniste të Portës së Lartë, xixëllonin si shkëndija magjepëse, mercenarët kordhëtarë shqiptarë të luftrave robëruese, nxinin si prushi në shuarje, mizoritë e hakmarrjeve fisnore me rrjepje lëkure…dhe të gjitha këto në shkëmbim të lirisë së shpirtit shqiptar me skllavërinë puthadorë të elitave tona, shërbyese fatale të pushteteve që ofronin rehati, ofiqe, privilegje dhe…
…dhe sot, mbas rreth 600 vitesh, siç jemi duke e parë live, historia me shpirtrat tanë të gjymtuar po përsëritet, por tani si një komedi trashanike e demokracisë moderne e jo më si një dramë rrëqethëse e tiranive klasike, një presque (pothuajse) “déjà vu”, monotone dhe vrastare si kuisjet e qenve të egër nëpër natë. Kaq. Të tjerat janë heshtje.

About Post Author