Nuk ndalet koha…Nikollë Loka


Nikollë Loka

Nuk ndalet koha

Është pranverë në një shëtitore,

le mos të ketë diell!

Le të ngrijë akull, le të fryjë erë,

le të na prekin frulliza bore!

Në strehë mimozash

të na gjejë të ftohtit

edhe këtë herë.

Nën magji lulesh

të përkunden foshnjat,

me nina-nana gjumi t’i zërë!

Le të shpërthejnë dallgë që na njohin,

e të lagen rrufetë!

Le të na kërkojnë orëve të vona,

kujtimet tona,

tokë edhe det!

Dhe në mbjelltë gjemba një i dehur,

prap lule do të ketë!

Nuk ndalet koha…

Ndjesia e shqisës së gjashtë

Sa gjëra kalojnë në ajër e s’i kapim,

po ta them sinqerisht,

miqësisht po ta them!

Kemi humbur rastin,

kur vjen ai mendimi që e donim,

ajo ëndrra ta shikonim,

kur vjen mbarësia nëpër filtra të dritës e të zërit,

e thotë: Unë nuk i përkas asnjërit!

Në një botë që shfaqet,

që shtiret,

që fshihet,

edhe pse nuk e bëjmë një vesh shurdh e një sy qorr,

s’i dihet,

kurrë s’i dihet,

çfarë shihet,

çfarë fshihet,

se ka një shqisë të kuptimit në ajër.

Përtej asaj që shihet e dëgjohet,

gjendemi në të padukshmen botë,

si miq të paftuar,

s’e dijmë kush na ka dërguar,

a kush na ka hedhur

ashtu kot!

Edhe në ajër ka rrugë e semafore,

ku ndizet e kuqja,

e ndalohet kalimi,

ndalohu e merr frymë!

E gjelbra të jep impulse nxitimi,

prap ndal,

mos të humbë drejtpeshimi,

të erdhën të gjitha bashkë!

Të humbi çfarë e prisje,

e s’e njihje…

Ndjesia e shqisës së gjashtë.

Heshtja- kryefjala

Fjala kishte ardhur

si një lëmsh i heshtur,

pasi ishte tjerrur gjatë…

ishte djegur

nëpër fije shkrepsesh,

kthyer në shtëllunga mendimesh

atje lart…

Fjala kishte humbur,

ishte djerrur,

kishte ikur,

ishte amshuar,

kishte rilindur…

rilindin

nganjëherë pritmëritë!

Nuk ishte fjala e para te Zanafilla…

Kryefjala ishte heshtje,

heshtje

mbi të gjitha mrekullitë.