NUK SHKRUAJ DOT. . . .
(Duke dëgjuar një recitim të ndjerë për dashurinë)
Nuk shkruaj dot
për dashurinë
që, kur ta lexosh,
ta kujtosh,
ta rijetosh.
Se dashuria ime,
edhe pse e bukur,
ka fytyrën e nënës time
të merakosur,
pa kohë të rrudhosur
më dysh e palosur
nga pesha e jetës.
Se dashuria ime
ka mungesën e babait
pa fytyrë
pa kujtime
pa përkëdhelje
munguar ëmbëlsija
e fjalës “BABA”.
Se dashuria ime
s’pati
s’e njohu fytyrën e çiltër
të moshës së pafajëshme
por i kapërceu fazat
si shkencëtari në laborator shpejton pjekjen e frutit.
Se dashuria ime
pati një fytyrë
fytyrën e përgjegjësisë:
të bijës ,
të bashkëshortes,
të nënës,
e bindur
se gjithçka i takon
e përgjysmuar
në këtë jetë.
EDHE DASHURIA.
Nga përmbledhja
“NJË NGA JU”