O det rebel…Lefter Shomo


Det, të dua qënie e dashuruar
Je rebel , që s’ rron dot pa liri
Për çdo shpirt poemë e adhuruar
Je pasion madhor që ngjall zili.

Brenda vetes fsheh najada, driada
Njëra valë ndjek tjetrën me nxitim
Fryhesh mal, zbraz ujin si kaskadat
Omerta’ sekretesh gjer flijim.

Bulza mbush ballin e marinarit
S’ je statik, i njëjtë kurrë s’ ngjan
N’horizont shtang ankthi mërgimtarit
Ngjyrë blu, i artë, jargavan.

Shndrroje fjalën time ti në dallgë
Merrma vargun e shtjello stuhi
Frymëzimin tim bëje pulbardhë
Kthema t’ artën rimë në melodi.

Ma rrëmbe mendimin bëje shkumë
Dashurinë për ty bëje refren
Nxit të drejtën time shfry furtunë
Kthjelltësinë e ëndrrës bëj zgalem.

Ma vish shkumën qafës si dantela
Më sajdis sa ty të ëndërroj
Zbritmë thellë teje , falmë perla
Se larg teje s’bëj, shpeshtas lotoj.