Vullnet Mato
O VOGËLUSH I NGUJUAR…
Ti s’je thjesht, një vogëlush nëne,

për fajin e një tjetri, ngujuar,
viktimë mortore e një gjëme,
të presësh plumbin e mallkuar…
Brenda katër mureve, rrethuar,
vizaton njëmijë e ca dëshira,
që t’i shuan, ende pa u zgjuar,
hija e plumbit, diku nga errësira…
Po ah, ai plumb gjakësor i zi,
që ti nuk di kur të ndal frymën,
nuk u derdh në bronz, për ty,
o trëndafil, i çelur në dimër!…
O shpirt i vogël, pikuar dritë,
lastar i ri, në degën e lisit,
si mund ta shlyej gjaku yt,
hakmarrjen e vjetër të fisit?…
Ngujimi, të burgosi lodrat,
gazin në grykë, ta lidhi nyje,
të ndali vrapin nga kodrat
të la pa shokë fëmijërie…
Plumbi, pas një reje, fshehur,
rrufeja tinëzare e fatit tënd,
s’pret veç ty, për t’u shkrehur,
godet në zemër, çdo babë e nënë…
Përsheshi njomur, me lot të valë
që ti gëlltit, me dridhma frike,
pluhur në gojë, ma bën çdo fjalë,
ma shpon zemrën, me majë thike.
Kot shkruaj vargje dashurie,
me fantazi metaforash stisur,
kur ti, o zog, mbetur pa qiell,
qan trishtimin, me lot të hidhur…
Ç’më duhen puthitjet e rimore,
me ca ndjesi të holla vjershe,
kur syri yt, pret vdekjen mizore,
pa shijuar asgjë të mirë kësaj jete!…
Si mund të quhet normal shkollimi,
me rritje numrash në statistika,
kur ti, vogëlush, të kalb ngujimi,
dhe xhelat mbi krye, të rri frika!?…
Oh, ti je turpi i shtetit, pa veshë,
ku u zbraz plumbi e ku u mbush,
që s’i nxihet faqja, nëse ti vdes,
nga pafajësia jote, o vogëlush!…