“Oazet” e ëndërrta  të  shkollës nëpër kujtime…Nga  Spasse  Thanasi


“OAZET” E ËNDËRRTA  TË  SHKOLLËS NËPËR KUJTIME…

……………………………………NGA  SPASSE  THANASI

Zëri   im  ju  ndrit  nëpër  mëngjeze  diellore  të  ditës, në  ritakime të vonuara,por  të  ëndërruara  në  vite…Bukuroshja  e  fjetur  prej  dashurisë  humbi  rininë, ne  prej  mallit  jemi  kthyer  në  një  Itakë  kujtimi  me  autografe  të  argjendta .

Cdonjeri  loton  për  të  shkuarën, ka  formuar  një histori  nga  dashuria  e  shkruar. Ndonjë  në  çastet  pakthim  dhe  rrëmujën  e  mendimeve  mundohet  të  zbres  yjet në  tokë,  të  shkrijë  ngjyrat  në  pasqyrën  e  liqenit  apo  dhe  të  sjell  buzëqeshjen si  pikturë…Unë  gërmoj  kujtimet  e  gdhendura  për  të  nxjerrë  fjalët  e  pathëna  e  për  të  ndriçuar  imazhe  të  reja  nga  jeta  ku  ndjenjat  nuk  krahasiten  dot  si  pemët !…

Vazhdoj  t’i  jap  shpirtit  përplasjen  me  ëndrrat  si  dallgë  e  liqenit  tim !.Dhe  më  vjen  ndërmend  portreti  i  buzëqeshjes  së  një  vajze si “himni i Perëndeshës”  në  bregun  e  zemrës. Më  shfaqet  në  kinotekën  e  kujtesës  sime  gjithë  shoqeria  e  shkollës  me  fjalët  e  shpirtit  si  stoli. Imagjonoj  ditët  e  dikurshme  në  statujën  e  rinisë, “oazet  e  ëndërrta”  që  na  hapnin  në  shpirtë  vajzat  si  zana  të  arta  në  sharmin  e  Tomorrit  hijerëndë  prej  Dodonës…

Jetuam  e  mësuam  në  një  qytet  të  lashtë  që  të  habit  për  befasitë  që  krijon. Një  qytet  i  ndritshëm  motesh  të  largëta  2600-vjeçare  që  na  ndezi  flakë  diturinë, dashurinë dhe  dinjitetin  jetësor. Kjo  nuk  është  pak  për  një  moshë  adoleshente  që  nuk  ka  shkelur  ende  rrugët  e  vështira  të  jetës. Ne  patëm  fat  të  ndiheshim  krenar  në  krahët  muzeale  të  BERATIT,  në  madhështinë  e  kohrave  të  vjetra  e  të  reja,  në  dashurinë  prej dielli që  na  zgjoi  në  shpirtë  imazhi  i  papërsëritshëm  i  Kalasë  dhe  Osumit  me  plotë  zambakë  të  bardhë!.

Kështu  edhe  historia  jonë  e  shkollës  fillon  me  ditë  të reja  të  panjohura  më  parë, me  çapkënllëqe  që  i  solli  koha  e  parë  e rinisë, me  njohje  e  dashuri  që  nuk  përsëriten  më…

E  vërteta  është  se  nuk  e  pata  të  lehtë  të  mbush  faqet  e  këtij  libri  kujtimesh. Mbi  kohë  ku “gjurma”  mbetet, mu duhesh  të  kaloja  dredhi  fantastike, të  ëndërroja  prapë  si  adoleshent  e  të  përjetoja  emocione  të  veçanta  të  një  moshe  pa  kthim  në  jetë. Dhe  nuk  ndryshova  asgjë  në  melankolinë  e  dikurshme  mbi  rrugicat  me  gurë  e  sfond  të  ndritshëm. Në  fasadën  e  qytetit  të  lashtë  lexoj  përsëri  kujtimet  e  brishta, pa  shkelur “kësmetin”  e  një  kohe  tjetër.

I  heshtur  si  në  përralla, fillova  të  kërkoj  degëzimet  e  një  shoqerie  që  u  gatua  si “stuhi  në  shpirtë”  dhe  nuk  u  përzie  kurrë  me  kotësinë…Kjo portë  kujtimesh”  e  rrethuar  me  pemë  të  mëdha të  viteve  tona, buzëqesh  si  vetë  pragu  i  shtëpisë  ku  lindi  ky  vërshim  rinie…Fytyra  të  celura,  sy  të  pastër  qelq  e  plot  dritë, rrezatime  të  bukura,  shpirtëra  të  çelur  e të  freskët,  një “zbavitje” e  tërë  e  këndshme  mbush  kënaqësitë  e  shpirtit  tim.

Në  këtë  tallazitje  romantike  të  viteve  të  shkollës, ndjej  freskinë  jetësore  për  të  filluar  “takimin”  me  një  moshë  të  këndshme  plot  freski  e  dashuri, që  ka  vlagë  në  jetë.

S’ka  legjendë  më  të  bukur !…

  • “E  bukura  është  po  aq  e  nevojshme  sa  edhe  e  dobishmja. Edhe  më  shumë  ndoshta!…”,– kështu  thuhet

nga shpirti  i  një  shkrimtari  që  ka  vëzhguar  sa  e  sa  situata  jete. Nuk  ndyshon   tek  mua  asgjë  nga  kjo  sentencë  universale  për  të  bukurën  e  nevojshme  në  jetë. Në  ato  rrugica  të  kalldrëmta  të  Kalasë  mijëvjecare  ku  ndizeshin  ëndrrat  dhe  e  qeshura  rinore  si  zjarr  e  flakë, shëtitjet  u  kthyen  në  një  dehje  mëngjezore  të jetës. Vërtetë  vite  të  adhurueshme !…

Ky  shpirtë  me  ngjyrë  trëndafili, më  i  freskët  se  agimi, u  bë  një  rrezatim  i  tërë  dhe  kurrë  nuk  e  harroj  atë  aventurë  me  fjalë  zemre  e  dashurie  tërë  zjarr  e  flakë,  si  vizatim  i  rrallë  në  fytyrë !…

BUKURIA  FILLON  TEK  TI….

Ato  sy  të  blertë  si  natyra  në  pranverë, të  kaltërtë  si  deti, konkuronin  të  gjitha  ndjeshmëritë. Ishte  e  bukur, e  modeluar  si  krijesë  e  fisme  për  ëndërruesit  e  rrallë. Fytyra  e  saj  e  virgjër, me  dinjitet  serioz, ishte  një  shpërthim  i  gjithë  asaj  dehjeje  të  moshës, stinës  dhe  dashurisë!…

Nuk  kishte  harmoni  më  të  bukur  midis  fytyrës,  flokëve  dhe  lëkurës  së  bardhë  borë  të  këmbëve, në  atë  të  qeshur  të  freskët  plot  dashamirësi  e  qendresë  ëndërruese, që  përfshinte  ciltër  që  në  castin  e  parë…

Edhe  tani  që  shkruaj  këtë   libër, përsëri  nuk  e  harroj  frymëzimin  nga  kjo  vajzë  si “trëndafil  nën  diellin  që  perëndon”  dhe  më  sjell  ndërmend c’rregullimin  shpirtëror  të  vetvetes  dhe  shënimin  në  bllokun  e  kujtimeve :

  • “ Unë  jam  nga  liqeni

Dashurinë  puth  gjithë  jetën

Dëfrehem  si  shëtitës  i  kënaqur

Bukuria  tek  ty  fillon !…”.

Portretin  e   kësaj vajze  ma  vizatoi  me  laps  plumbi  Baki  Selenica  dhe  e  mbaj  si  një  ndjenjë  të gatuar  tërësisht  me “vyrtytin  e  vyer  në  shpirtë”. Si  lule  qiellore, një  lulëzim  i  mistershëm  dhe  shtjellime  gazmore  me  fjalët  e  ëmbla  të  një  romance  të  mocme : “ C’qënka  trëndafili –  lule  për  stoli”.

NUK  TRETEN  KURRË “GJURMËT”  E  VITEVE  TË  SHKOLLËS…

40 vjet  më  parë, ne  të  gjithë “Zambakët  e  qeshur”, mbaruam  shkollën  e  mesme  ekonomiko-bujqësore  “Kristo  Isak”  në  Berat  ku  drejtor  shkolle  ishte  NIKO  DHIMA. Në  miniaturën  profesionale  të  shkollës  sonë  ne  përbënim  klasën E- 3  me  35  nxënës, nga  të  cilët  11  djem  dhe  24  vajza. Një  raport  i  këndshëm  për  moshën  e  ëndrrave, një  kompleks  ndjenjash  i  adhurueshëm  për  hollësitë e  kujtesës  rinore. Shumica  ishim  konviktorë  të  ardhur  nga  Korça, Erseka, Skrapari, Tepelena, Fieri, Vlora, Gjirokastra, Saranda  etj. Vetëm  disa  si  Lutfije  Speci, Hajrie Pone, Burbuqe  Hysi, Tabene  Bedini  e  Vasil  Xheblati  ishin  vendas nga qyteti i  Beratit  që  banonin  në lagjet “Kushtrimi”,8 Nëntori”  e  “Kala”.

Në  ato  vite  të  vrullshme  rinore, kur  hodhëm  hapin  e  parë  të  adoleshencës  delikate, ne  ishim plot  dashuri  për  njeri – tjetrin.Pa vese, pa  koncepte që “thyenin” dinjitetin  apo  karakterin  e  tjetrit. Një  moshë  e  artë  plot  kujtime  dhe  ëndrra na  flet  në  vazhdimësi. Të  gjithë  ruajmë  një  bllok  të  thjeshtë  ku  hodhëm  atëhere  kujtimet  rinore  të  shkollës. Diçka  e  vyer, plot  vlera e  dashuri. Ishim  atëhere  vetëm  18  vjeçarë, të  njomë  si  bari  i  Majit, plot  vrull  e bukuri !…

Secili  në  formën  e  vetë, la  në  blloqe  kujtime,  foto  e  portrete  gjatë  4  vjetëve  të  shkollës, që  sot  në  memorien  e  nostalgjisë  së  shoqerisë  së  vjetër, përbëjnë  një “mal”  të  madh  kujtimesh. Bashkëudhëtarët  tanë  romantikë, me  portretin  e  tyre  të  vogël  e  të  brishtë, zgjojnë  një  tablo  të  tërë  përpara  syve  me  ngjarje, dëshira  dhe  ëndrra  që  filluan  të  hedhin  rrënjë  në  oborrin  e  shkollës  atë  1  Shtator  1978… Ferdinandi  u  skuqej  vështrimit  të  vajzave  dhe  ashtu  ngultas  buzëqeshte  pa  shkak. Mehdiu  nga  Ballagati  i  Lushnjës  ishte  gallatë  e  gjallë  deri  në  kotësi. Ganiu  nga  Erseka  përkëdhelej  në  sedër  si  një  femër  e  butë. Vlashi  i  xinxifeve  të  këndshme  të  Lushnjës( nga  Krutja e dëgjuar)këndonte  vetëm  me  melodinë  e  fushës… Diamanti  me  flokët  gështenjë  impononte  seriozitet  të  dukshëm  me  tipare  burrërore…Gezimi  nga  Buzi  dhe  Guri  nga  Memaliaj  të  Tepelenës, mbanin  si  simbol  krenarinë  e  Ali  Pashës  dhe  mikpritjen  e  Ujit  të  Ftohtë  ku  rridhte  dashuri…Arti  Papajani  nga  Barmashi  i  Ersekës  lundronte  në “vetminë  pa  kuptim”  dhe  rrinte  i  shushatur  si  yjet…Vasil  Xheblati  me  vështrimin  e  butë  të  syve  vinte  çdo  mëngjez  nga  erërat  e  Kalasë  që  dominonte  qytetin…Agroni  i  vogël  dhe  i  urtë  vështronte  çuditshëm  dhe  rrinte  larg  gjërave  të  zakonshme  dhe  nuk  përzihej  aspak  me  hapin  e  ndryshimit  që  impononte  mosha  e  adoleshencës  sonë…

Po  vajzat ?!. Ato  ishin  shumë. Me “dritë  të  kaltër”  erdhën  nëpër  peizazhet  e  gurta  të  qytetit  të  Beratit. Marianthi  Bushi, Mimoza  Gegolli, Mimoza  Larti, Lumturije  Anelli, Fitrete  Hysenllari, Shqiponja  Rustemi  e  Natasha  Mucollari  vinin  nga  Korça  e  serenatave  që  të  rrëmbente  me  tinguj…Miranda  Gjermani, Feruze  Tabaku, Jolanda  Bitri, Miranda  Cerepi, Natasha  Bega  vinin  nga  Lushnja  e  Myzeqesë  shqiptare  plot  hapësirë  dhe  bereqet…Lindita  Xhezairi, Valentina  Laho, Pranvera  Hodo, Luiza  Caushi, Albina  Iljazi  vinin  nga  Erseka  me  atë  bukurinë  e  shpallur  në këngë si“manushaqe e prillit në mes të dëborës !”…Alma  Bako  nga  Kuçova  e  naftës  edhe  pse  e  buzëqeshur, mbështillej  e tëra  me  një “trishtim  të  qelqët”, tamam  si  puset  gri  të  vendit  naftëmbajtës  me  oxhaqet  e  tymit  gjer  në  qiell…Sofije  Pilo  nga  Kutallia  e  bardhësisë  së  pambukut  kishte  një  pamje  të  qetë  dhe  sy  të  shkëlqyeshëm  si  rrezja  e dritës…Haxhire  Xhelaj  nga  Fratari i Fierit  rrinte  gjithmonë  në “ndrojtjen”  e  emocioneve  nga  sfondi  gjallërues  i  shkollës.

Qyteti  ku  mësuam  si  një “trëndafil”  e  kemi  murosur  në  gji. Osumit  ja  ndaluam  rrjedhën  për  dashurinë  e  lindur “me  puthjen  e  gurit  të  çmuar”. Me  malin  e  Tomorrit  të  shenjtë  zbukuruam  zbrazëtinë  se  hapësira  e  tokës  gjer  në  horizont  na  jepte  forcë  hyjnore. Me  vajzat  kishim  harmoni, një  ndjenjë  që  rridhte  si  krua  në  shpirtë. Cuditërisht  na  dukeshin  si “hënëz  pogradeci”  mbi   liqen  e  na  trazonin  ndjenjat. Askush  nga  ne  djemtë  nuk  harron  diellin  e  shikimit  të  tyre  me  sy  rrezatues  plot  ndjenja. Dhe  sot,  në  ketë  moshë  të  avancuar  të  jetës, ende  “drithërohemi”  me  sizmikën  e  tyre  “magjike” që  ngrinte “serenata  heshtjesh” :

  • Në  takimin  e  netëve  të  fshehta

Na  ngrinte  kurth  bukuria  e  tyre

Dashurinë  nuk  e lamë  të  lëngojë  honeve

I  dhamë  udhë  si  zogj  që  ngjiten  sipër  resh

Nuk  humbëm  kurrrë  buzëqeshjen !…

Katalizma  jonë  rinore, me  triptik  dëshirash  e  vetëtimë  në  zemër,  qëndronte  gjithmonë  si  melodi  e  nghyrosur  në  ylberin  e  ndjenjave. Ne  të  gjithë, një  tufë  djemsh  e  vajzash  nga  krahina  të  ndryshme  të  Shqipërisë  së  Jugut, nga Korça deri në Sarandë,ishim një  tingull  i  rrëmbyeshëm me  “magmë  antike”  si  vetë  Berati-muze.Shpirtit  tonë  të  qënësishëm  për  dije  e  njohje  të  reja  i  dolëm  për  zot,  u miqësuam 

nëpërmjet  fjalës  dhe  romancës  së  ndjerë  shpirtërore, tamam  si  gjenitë  nëpër  sfida. Dikush  do  të  thotë  ishin  kohë  të  tjera. Vërtetë  atëhere  koha  s’kishte  lindur “demona”, por  ëndrra  jonë  rinore  krijonte  gjithmonë  një  “vend  të  ngrohtë” larg  ligësive  dhe  nuk  harronte  romanca  të  tilla  si  “Puthja  e  Judës”. Kjo  kohëz  rinore mbolli  degëza  të  argjendta  të  shoqerisë  së  dlirë  shkollore, që  le  gjurmë  në  perandorinë  e  shkëlqimit  të  viteve…

Ndaj  në  piedestalin  e  muzgjeve  tanë  tokësor  me  dritë  të  re  jete  e  urraganë  ëndrrash, libri  me  kujtime “ Zambakët  e Qeshur”  është  një befasi  e  admirueshme  për  cdo  shok  e  shoqe  të  viteve  të  vjetra, sic i  quajmë  35  vjetët  e  kaluara  nga  koha  e  shkollës  në  Berat. Ai  ndricon  ylberin  e  ndjenjave  në dëshirat  tona  më  të  thella  të  jetës. Ky  libër, si  një  antologji  poetike  e  shpirtërore për  një  maturë  të paharruar  në  “Kristo  Isak” Berat ( 1978 – 1982 ), është  një  mesazh  i  bukur  se  shoqeria  e  lindur  në  shkollë, ndërtyon  një “muze”  të  tërë, me  kujtime  që  rrezatojnë  gjatë  në  jetë. Testamenti  i  saj  është  lënë  me  përmallim : “ Mos ndahemi  kurrë !”.

PIKË  LOTI  MBI  TRËNDAFILA…

Askush  nuk  e  harron  mbrëmjen  e  fundit  të  maturës. Koha  e  ndarjes  nga  4  vjetët  e  shkollës “trokiti” shpejtë. Ëndrrat  e “ thurura”  në  shpirtë  nuk  kishin  marrë “finishin” e  dëshiruar. Mbetën  pa  mbaruar  shumë  biseda,shumë  kujtime  kishin  një “hap  të  ngadalësuar”, shumë  mbresa  e  përshtypje  ishin “stivosur” në  shpirtë  si  një  magazinë  pa  inventar…

Ajo  natë  e  gjatë  e  mbrëmjes  së  maturës, derdhi  lotët  e  saj  mbi  tërë  trëndafilat  e  qytetit  buzë  Osumit. Nuk  ishte I  lehtë  ky  lëndim  ndjenjash…Në  rrjedhën e  këtij  rrëfimi  brenda botës  së  secilit, ne  gjejmë  edhe  fjalën  e fshehur  të  dikujtë, që  nuk  është  fare  i  dukshëm  mes  nesh. Në  imagjinatën  e  lirisë  së  ndjenjës  kemi  futur  brenda  në  shpirtë  pyetjen  më  enigmatike : “C’ndodhi  në  sytë  e  gështenjave ?( sipas  sentencës  letrare  në  romanin  estetik “Sytë  e  gështenjave  të  egra” të  shkrimtarit  Sadik  Bejko)  dhe  përsëri  lotët  e  trëndafilave  ndrijnë  me  sytë  si  rubini  kur  vezullojnë !…

Nata  e  fundit  e  maturës  ishte  ndezur  flakë  e  mbi  të  lozte  gjithë  drita  e  moshës  më  të  bukur  nën  tingujt  e  këngës  së  paharrueshme  me  motivet  e  poetes  Ana  Ahmatova :

  • “ Është  e  tmerrshme,  është  dhimbje

Të  dashurosh  me  shpirtë  në  heshtje !…”

E  tillë  do  të  tregohet  gjithmonë  kjo “sofër  gëzimi  rinor”  që  krijoi  matura  jonë  mbi  sdhkëmbinjtë  e  thepisur  të  qytetit  dhe  lotët  e  mallit  i  derdhi  në  shtratin  e  lumit “OSUM” tamam  si  zambakë  të bardhë  në  peizazhin  e  lulëzuar !…

Komplimentet  kishin  humbur  durimin  e  mallëngjimit  dhe  morrën  ëndrrën  e  kujtimit !,,,ashtu  si  thënia  poetike  e  Driteroit  të  madh  që  thoshte : “ Të  mburim  njeri – tjetrin,/ T’ia  bëjmë  shoku-shokut  komplimentin,/ Në  caste  dashurie  e  pendimi…”.

U “zbrazën”  dhe  dëshirat  e  fundit  këtë  mbrëmje  të  gjatë. Unë, Miranda, Hajria, Marianthi, Valentina, Arti, Lindita  etj kishim  marrë  “vendimin”  të  vazhdonim  studimet  e larta. Të  tjerët, pjesa  më  e  madhe  e  kolektivit  tonë  4 vjecar, kishin  mbyllur  kapitullin  e  shkollimit  dhe  “përqafoheshin”  me  shpresa  të  reja  për  jetën. Bile  edhe  në  blloqet  e  kujtimeve  këto  sedra  dëshire  ishin  vecuar  për  cdo  rast  kujtese  dhe  u  përzien  me  këto pika  loti  në  “ndarjen  e  fundit”…

Fjalët  që  i  kemi  shkruar  njeri – tjetrit  në  blloqet  e  kujtimeve, që  Ferdinandi  i  zbukuroi  me  kujdes  femre, kanë  mbetur  të  dashura, të  ciltëra, të  kaltërta  e  të  pa  zverdhura  nga  vitet…

About Post Author