Oderina Ndreu-AMERIKANI, një shqiptar midis legjendës dhe historisë


ODERINA NDREU

AMERIKANI, një shqiptar midis legjendës dhe historisë.

Një roman i ri në duart e lexuesit shqiptar në anë e kënd Ballkanit dhe Europës, por dhe atij vendas e gjirokastrit në veçanti, me një titull intrigues është veç të tjerash në duart tona edhe si një roman – dokumentar mbi një kohë historike sa të njohur aq edhe të panjohur, një roman – dëshmi e një periudhe tashmë të perënduar, por që ka lënë pas vraga të thella në memorien kolektive.
Brezat e rinj duhet ta njohin historinë edhe pse ajo shpesh, me dritë – hijet e saj të fut në labirinte politike e filozofike. Megjithatë historia e parë në sytë e një shkrimtari që sheh të vërtetat me sytë e një gazetari të kujdesshëm, që kujdeset për detajin, është mësimi më i mirë që mund t’u jepet brezave të ardhshëm dhe atyre që e shohin këtë periudhë si një film me metrazh të shkurtër, një film që për popullin tonë zgjati një jetë, gjysmë shekulli, midis historisë dhe legjendave propagandistike të vjetra e të reja.
Përmes një gjuhe të përpunuar me kujdes, ashtu si një kronikan i zellshëm, i fiksuar pas saktësisë së lajmit – dokument, por dhe shkrimtar i apasionuar pas narracionit letrar, ’’Amerikani’’ del në dritë si një thirrje – jehonë e të gjithë atyre që e shkuan jetën e tyre në diktaturën e egër komuniste.
Autori sjell natyrshëm anën më të errët të medalionit që u shit për shqiptarët dhe jo vetëm, si shpresa e re e shekullit dhe e popujve që ishin në kërkim të lirisë, atë anë të errshme që shumë e hoqën në kurrizin e tyre duke vuajtur pasoja nga më të rëndat.
Në qiellin e zymtë të Shqipërisë komuniste, zbret në tokë amerikani Nelson, i ri në moshë, në ide dhe i qartë për misionin – amanet që i ka lënë i ati. Të bëjë nderimet e fundit njeriut të dashur, t’i ngrejë një varr të madh që të kujtohet prej të gjithëve se ajo nuk është harruar, paçka largësisë së kontinenteve. Nëse në legjendën e Kostandinit të vdekur, amanetin nuk e treti dheu e as koha tri vjet kaluar, duke e ngritur nga varri, në mendjen e Nelsonit të gjallë, amaneti, si tik – taku i orës së kohës që është duke pritur përmbushjen e tij, e fut të gjallin në dhe’. Legjenda fillon të marrë pak nga pak jetën e Nelson Andreas duke e humbur në boshin e një jete të pakuptimtë. I futur me dëshirë në vorbullën e amanetit, amerikani zgjohet në një realitet krejt tjetër, të errët, të frikshëm, të ankthshëm, një makth, ferr, plot dilema e enigma të cilat nuk do të mund t’i zbërthente kurrë, atëherë, kur kërkonte përgjigjet me ngulm.
Pse – të, pyetjet e njëpasnjëshme që rrihnin si çekiç mendjen e tij e bëjnë atë edhe filozof, edhe realist, edhe ëndërrimtar, edhe mendimtar, duke e ndarë jetën si në jetën para Krishtit dhe pas tij, para dhe pas Amerikës, përmes digresioneve, perspektivës dhe retrospektivës autori sjell me mjeshtëri në vëmendjen e lexuesit ngjarje që e bëjnë rrëfimin interesant dhe të rrjedhshëm. Gjuha e pasur plot me krahinorizma e dialektizma sjellin një pasqyrë të qartë të qytetit tonë, të mëhallave, të lagjeve, të gjitonisë duke konkretizuar kulturën gjirokastrite, që nga plakat e deri te të rinjtë. Një fjalor i hapur për këdo që do të mësojë rreth të folmes dialektore.
Nelson Andrea ishte rritur me ëndrrën amerikane, por edhe me ëndrrën e të atit për bukuritë e fshatit në Jug, për tokën erëmirë, për diellin e qeshur, për njerëzit që edhe pse me ca të meta që kanë e duan njëri – tjetrin. Kjo botë me të cilën ai është mëkuar e ka bërë atë të ndjeshëm, të brishtë, por edhe të paditur e naiv për çka ndodhte atje në vendlindjen e largët të tij. Era e nënës e merr me vete drejt udhëtimit në Ferr. Forca e fatit e tërheq më të poshtë drejt kalvarit të tij. Nëse udhëtimi i Dantes zgjat vetëm 7 ditë, udhëtimi i Nelsonit do të zgjaste një jetë, aq sa e shndërruan shpirtin e ri amerikan në një shpirt të humbur që do të luftonte për jetën vetëm më shpresën e ditës së debutimit të tij përsëri në Konservatorin e Bostonit me violinën Stradivarius. Vetëm kjo ëndërr do ta mbante amerikanin në jetë, edhe pse i plagosur shpirtërisht se iu vodh jeta dhe arti, liria dhe e drejta për të jetuar, edhe pse ishte thjesht një “i penguar” ,”i mohuar”.
Ndoshta asgjë nuk ndodh rastësisht, ndoshta amerikani duhet ta përjetonte këtë ferr për të mësuar se jeta është e shtrenjtë edhe kur nuk është e bukur a ndoshta se vetë zoti zgjodhi për të, të vuante ashtu si gjithë njerëzit që duhet të jetojnë me të mirat dhe të ligat sikur kutia e Pandorës antike. Jo më kot kjo Pandorë do të shfaqet si personazhi dhuratë, më e dashura, e duhura, e cila edhe pse pa gojë shpërndan dashuri pa kushte. Një çift që do të lidhej në fatkeqësinë e përbashkët, në memecërinë e kohës që jetuan.
Ky amerikan në qytetin e Gjirokastrës, të qytetit labirint, si vetë rrugët, rrugicat e kalldrëmta, me ngrehinat e mëdha që fshehin mistere brenda, shkrihet me të, duke u parë në një tjetër dimension, atë të gurit – qëndresë , simbol i qytetit ku jetoi. Ai u bë dëshmi e gjallë pavarësisht gjithçkaje.
Stili i gjallë e plot përshkrime e bën “Amerikanin” të jetë një roman tërheqës, por dhe një referencë e plotë e kohës së brendshme të veprës. Kush s’e ka njohur Gjirokastrën merr përmes këtij romani aromën e qytetit – legjendë që vazhdon të merret ende me pandehma, zakone, tradita për të cilat kujdeset t’i përcjellë. Qyteti i çuditshëm me mospërputhjet e vazhdueshme, me arkitekturën strikte, me shiun që bie vazhdimisht si muzikë për të zbutur sadopak shpirtrat e gurtë, me legjendat dhe thashethemnajat që gjallojnë me zë të ulët,e bëjnë këtë qytet të marrë një tjetër dimension, atë të përjetësisë.
Nuk ka rëndësi se sa herë mund të dënosh një shpirt që ka lindur i lirë, as të përpiqesh t’i zësh frymën për të vdekur nën rrënoja. E rëndësishme është që të jetosh me dashurinë për jetën dhe njerëzit që të duan pa kushte.
Kronika e paralajmëruar e “Amerikanit” në Shqipëri do të marrë udhën që i duhet një dokumenti të rëndësishëm udhërrëfyes për ata që do ta njohin historinë përmes letërsisë.
Në fund të fundit të dyja s’bëjnë gjë tjetër veç i japin jetë, jetës së pajetuar.

About Post Author