Opinion:Ja ku të çon urrejtja!Boris Miska

Opinion: Ja ku të çon urrejtja!

Ngjarja e fundit ku e Bija mbyt me tel Babain, ndihmuar nga Bashkëshortja dhe një i Tretë i zbuluar sot, nuk është krim i panjohur, ndoshta futet ndër modelet më të trajtuara deri në kryeveprat  e Tragjedive botërore. Arsyet që çojnë në këto fatalitete janë nga më madhoret; pushteti, lakmia, tradhëtia e në mjaft ngjarje në shkaqe fare banale. Në rastin konkret që sot po e japin me ‘kënaqësi’ thjeshtë si lajm shumë lajmtransmetuese, është tjetër gjë: Është nxitja e urrejtjes ndaj prindit (qoftë ky Babai apo Nëna), ushqim i kontaminuar që njëra apo tjetra palë u’a mëkojnë fëmijeve derisa i toksikojnë me urrejtje ndaj Atij apo Asaj që e/ i pruri në jetë. Kjo sjellje e papërgjegjshme, kriminale, që sot e hasim rëndom në çifte që divorcohen i shtyjnë fëmijët në flakët e konfliktit, dhunës, mosmirënjohjes dhe, si në rastin konkret i hedhin në krahët e krimit. Kjo ego e mbrapsht ( ndërbashkshortore) nuk ka kufi, arrinë edhe në sakrifikimin e jetës së fëmijëve, deformim të personalitetit të tyre, prishje të jetës, pamundësisë për të ndërtuar një jetë të re, bartje të traditave mesjetare që nuk kanë asgjë të përbashkët me tolerancës, qytetërimin, pranimin e jetës, zgjidhjen, mirëkuptimin. Ky tip konflikti pos përfundimeve tragjike është një lloj kulture dhune që transmetohet tek pasardhësit, brezin tjetër nga i cili shoqëria pret me shpresë ndryshimin, të renë, emancipimin. Kush tjetër më shumë se familja është vendi ku hidhet tharmi i ndryshimit, roli i prindit, në rritjen e shëndetshme të fëmijëve, qoftë kjo edhe në kushtet e një ndryshimi të raporteve sociale familjare si pasojë e divorceve. Prindër; qofshi Nëna apo Etër, mos helmoni fëmijët me urrejtjen ndaj jush, por ndihmoni të rriten, pa cënuar imazhin apo personalitetin e njëri- tjetrit. Kjo hakmarrje mizore më së shumti dëmton fëmijën, e rrit keq, i ngarkon një trashëgimi shpirtërore nga e cila s’do të mundet të çlirohet lehtë, ndoshta kurrë.