Pa lamtumirë…Suzana Rama


Në kafenenë e preferuar,
këtë ditë të errët, pa shi,
me qiellin nga re ngarkuar,
pranë xhamit jam ulur e rri.

Në qoshkun tim, pa zë ulur,
zërat përreth gëlojnë në vesh,
kafja më fton duke më joshur,
më zgjon e jetës i buzëqesh.

Më pëlqen vetmia në ato çaste,
mbështjellë nga amullia e zgjimit,
dhe mendimet për të ardhmen,
ç’kisha, ç’kam drejt infinitit…..

Eh moj pleqëri , moj pleqëri,
mora dhe s’mora s’di si ke shkuar,
shpesh më kap çapkënia mërzi,
tani të shtatëdhjetat janë afruar.

Por jetoj, akoma jetoj ditët e mija,
përmes mendimesh dhe kujtimesh,
më vjen e pastër rinia dhe shoqërija,
shpirti qesh e qan mes meditimesh.

Ditë të tilla të mjegullta, me re,
përherë pranë xhamit më ftojnë,
më nostalgojnë, fusin në mendime,
nuk kuptoj nga unë çfarë kërkojnë.

Gjithsesi, jetova ditët që u plaka,
rëndësi ka që s’e rëndova shpirtin,
por kjo jetë o miq kështu e paska,
vjen pa pritur, ikën pa lamtumirë….