Pa ty s’ka më poezi-Ukshin Morina


E dashur mike, ndërsa lexoj poezitë e dedikuara për të cilat të jam fort mirënjohës, më lejo që dhe unë sonte të ngre disa vargje për ty, për ty që më je kaq e dashur dhe frymëzimi më i ëmbël.

S’di se si do të ndihen lexuesit e mi për të cilët kam shumë respekt me këto vargje, por di që ata më lexojnë me fort respekt dhe janë kurajoz të mësojnë për emrin që m’u bë frymëzim.

Nuk e di e dashur mike, e mbase s’do ta mësojnë kurrë këtë nëse ti nuk e dëshiron, por di që në respekt të kësaj fjalë të falenderoj për gjithë botën dhe fuqinë tënde hyjnore që posedon në frymëzimin tim!

PA TY S’KA MË POEZI

Kur dëgjoj unë këngën tënde,

Malli fort me djeg për ty!

Nis të thur unë vargje zemre,

Një baladë për ne të dy!

Dhe më pas ti vogëlushe,

Nise qave me ngashërim!

Dhe me duar sytë mbulove,

Fshehe gjithë atë trishtim!

Mugët shtrohet dritë e hënës,

Mbi lëndina, fusha e male.

Gërshetuar mbetëm heshtur,

Për një çast frymën ma ndale!

Dëshpëruar lotin shihja,

Të pikojë mbi gjoksin tim!

Ishin kaq të ëmbëlsuar,

Qanin veç për dashurinë!

Dhe tash po më digjet zemra,

Dhe kujtim i dëshpëruar!

Sytë e zezë sterr porsi nata,

Krrelat mbi shpinë lëshuar!

Erë e butë ndër fushnaja,

Më mbulojnë me trëndelinë!

Më shtrëngon me t’butat duar,

Frymën jep për dashurinë!

Një hasjan i njohur jam,

Por ka dhe që nuk e dinë.

Të mësojnë për ty e vogla,

Se pa ty s’ka poezi !

Ti më je e gjithë dynjaja,

Më je Has edhe Malësi!

Pa ty hiç më duket jeta,

Pa ty s’ka më poezi!