Pak aromë fshati



Fatbardha Amzaj

Pak aromë fshati

Pak baltë nga fshati dua …
Pak aromë trëndafilash bio të kuq,
Dua pak aromë pjergulle hardhie,
Nga ai amerikani me aromë si askush..

E dua bukurinë e fushave me grurë,
Lulëkuqet kryelarta nëpër ara,
Edhe pak nga pluhuri i rrugëve të tij,
zogjtë shtegëtarë kur janë në fluturim,

E dua hijen bio të ullirit,
kodrat fushat, puhizën kur fryn,
Gjethet që bien siluetë rrotulluar ,
Sikur performojnë valsin e lumturisë..

Pak nga të gjitha, bukën, gjizën ,dhallën,
Edhe pak aromë nga pema e portokallit,
Atë peizazhin e bukur të liqenit,
Ku ëmbël pasqyrohet rrezja e parë e diellit.

I dua lodrat bio, me hapa dollapa,
lojërat e thjeshta kur luanim me pafka,
Lojërat me litarë kur luanim në fëmijëri,
Pak nga bora e parë kur zgjohesha “në agim….

Për një kafe turke, si ajo kafja me aromë,
Kur e përcëllonim në një qebaptor,
Të bluar me dorë në të voglin mulli,
Të zjerë mbi sobë me shije mrekulli..

Për lulet e diellit si një perëndi ,
Për bletët punëtore mbi një trëndafil,
Për fluturat e bukura mbi lule kamomili,
Për këngën e ëmbël të zogjve kanarinë….

Pak aromë fshati… më sjell kujtime,
Kujdesin e tepëruar të nënës time,
Të vëllezërisë tonë si deti, si mali,
për pak aromë babe se më dogji malli…. 

About Post Author