Pak e shumë-Donike Rrethej 


Shititë i kam tana labirintet e t’panjohunës,
m’vodhi koha ,
e humba n’stacionet e rrugëve.
Si shpirt i pa’rehatuem u enda ,
n’diliret e netve t’zeza rashë pre,
e vedit.
I shkunda tana lotët,
i tjerra tana mendimet,
i treta njerëzit e mërzitshëm,
t’neveritshëm, njerëzit qi t’ndjekun si hije,
me gjet nji motiv bosh,
ata t’humbnit qi i gjen n’çdo qosh.

Motivi jam unë i vedit !
Ka nadje t’pafrymë….
xhama t’lagsht e gishti jem qi shkruen : mall..
ka perde qi lozin me erën e përdalë,
ka aromë kafet qi shfryn para mejet e pret,
buzët e mija t’vishen n’buzën e saj me lezet.

Ka mbramje t’heshtna ku gjithçka n’mue asht :
mall !
e n’ata mbramje kur heshti për çudi ndihem gjallë.
Ka ditë t’mërzitshme e aq t’g’jata me ardhë nata,
ka andrra t’shkurtna e zhg’jandrra t’g’jata.

Kam mijë motive me ikë ….
kam ma shumë se kaq me jetue pa frigë,
se n’ata motive ,ah…sa kam mbrenda mejet,
e përballë,
( kam ty e mue n’netët e g’jata t’dimnit ku ndihna gjallë )!