Parada Shqipëtare në Asti-Fatmir Gjata


Në datën 23 shtator, në Asti të Italisë do të mbahet manifestimi i madh i shqipëtarëve të të gjitha trevave të vëndit tonë. Kjo traditë tashmë e konsoliduar organizuar prej Assoalbania-Asti dhe qëndra kulturore ” Margarita Xhepa” e kthen për një ditë qytetin e vjetër në epiqendrën e kulturës Shqipëtare. Muzika e tupanave shoqërojnë flamurin kuqezi rrugëve të tij përcjellë prej mijëra shqipëtarëve të veshur me kostume tradicionale duke kënduar këngët e vëndit tonë. Kjo ditë na bën nga pak të mallëngjyer të gjithëve dhe ajo që është më e rëndësishmja shpërfaq krenarinë për vëndin që na lindi dhe na rriti. Shpesh shohim bashkvëndas që e fshehin prejardhjen e tyre por ky manifestim i bën të bashkohen të gjithë rreth flamurit dhe ta prekin e shpalosin mes rrugëve me gurë, midis vendasve që shpesh bashkohen me ne dhe ndihen edhe ata për pak çaste ” Albanesi” duke vënë një plis mbi krye apo duke kënduar me ne. Nuk ka se si të mos krenohemi për këtë organizatë që po i jep llustër emrit tonë, vëndit tonë, traditave tona. Mbasi manifestohet në rrugët e qytetit përfundojmë në sheshin pranë qendrës kulturore aty ku çdo ditë fëmijët mësojnë gjuhën e bukur shqipe si dhe lëndë të tjera, mësojnë të vizatojnë e recitojnë, të këndojnë apo të përdorin vegla muzikore. Atje mbahet koncerti i madh me këngë e valle deri vonë dhe tingujt e këngëve tona përcillen në gjithë qytetin. Të lidhur dorë për dore vallja merr hov edhe duket sikur të gjithë bëhemi nga pak shqiponja krahëhapur. Vargjet ” Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqipëtar” do të ishin të mjaftueshme të përshkruanin këtë festë të bukur ku i madh e i vogël shkrihen në një përqafim përpara flamurit të madh. Duket sikur rinohet shpresë dhe besë përpara tij, Jemi bijtë e tu!!