Paradokset letrare aktuale-Nga Berzat Sadiki


ARTI POETIK TE FËMIJËT DHE TE TË RINJTË

(Paradokset letrare aktuale)

Turpi i turpit është, të tallesh me fëmijët e huaj. Fëmija mashtrohet dhe të beson kur i thua “bravo poet, bravo poete”, fëmija kujton se vërtet ka bë vepra poetike.

Kapaciteti mendor i fëmijës në poezi është i ulët dhe i errët për ta përceptuar poezinë, kurse në shkrime mund të ketë ndonjë vlerë të quajtur “cicërima poetike”, por jo edhe të quhen poet apo poete.

Aktiviteti i fëmijëve dhe të rinjve (nxënës) talent për tekste poetike së pari shfaqet nëpër gazeta muri nëpër klasa, nëpër pano të shkollave ku mësojnë, pastaj botojnë nëpër revista shkollore për fëmijë në rubrika të quajtura “fluturat”, “hapat e parë”, cicërimat”, “harabelat”, “xëxëllonjat” etj. Dhe kështu me këso aktivitetesh letrare vazhdojnë shkallë-shkallë deri sa “piqen”, deri sa e arrijnë moshën e pjekurisë. Në këtë fazë përceptimi për poezi është më i ngritur, më i pjekur, por jo i mjaftueshëm për përmbledhje poezish në libër, “në vepër!”.

Me angazhim të madh, me vullnet të çeliktë, me përvoja letrare: lexime, studime, hulumtime dhe me karrierë, kaliten në “poetë”, por jomjaftueshëm për përbledhje poetike, për “vepra!”.

Për t’u ngritur në poet/e, krahas kësaj që e parapërmenda, duhet patur parasysh rrethanat shpirtërore për ta trajtuar një dukuri, ndodhi, një gjendje me kthjelltësi të duhur poetike, me fjalor të pasur poetik, me fjalor stilistik, me gjuhë të pastër artistike pa gabime gjuhësore, që dëshmon për një personalitet të formuar kulturor, edukativ, emocionalisht stabil për të trajtuar tema të përditshmërisë dhe këtyre t’ua japë format e merituara morale dhe shpirtërore për një shoqëri dhe individ të shëndoshë, kuptohet duke i përdorur shprehjet poetike dhe kapacitetet artistike.

Pa e kaluar: 1. të të lexuarit e shpeshtë të teksteve letrare për poetikën dhe për letërsinë; 2. pa e ndjekur shtypin dhe botimet e autorëve të ndryshëm; 3. pa e arritur kuptimin e krahasimit të stileve dhe të strukturave poetike; 4. pa meditim; 5. pa koncentrim artistik në atë që është e nevojshme të trajtohet në kohë të duhur, pa… nuk arrihet niveli i quajtur “autor/e” dhe “përmbledhje poetike”.

Poezia apo vjersha te fëmijët apo te të rinjtë me talent poetik duhet të rrugëtojë shtigjeve fëmijërore, jo shtigjeve të poetëve me karrierë dhe me merita artistike të dëshmuara me mbledheje (libra) në horizonteve letrare artistike poetike në publik.

Termi VEPËR është një nocion i ngurtë në letërsi, që s’e arrin gjithkush, lëre më fëmijët dhe të rinjtë “poetë”. Tërësia e atyre që ka krijuar dikush në fushën e artit, të letërsisë dhe të shkencës ndërlidhet me fjalën VEPËR.

Fëmijët dhe të rinjtë patjetër të kyçen në artin poetik. Këta janë zinxhiri përcjellës i artit poetik nëpër kohë. Në mënyrë graduale të përgatiten për këtë mision artistik, duke i kaluar “fazat poetike për poet dhe për poezi”.

Të gjitha të arriturat spontane, duke i shpallur fëmijët autorë, poet/e, madje diku, në vend që përmbledhja të quhet “libër”, në mënyrë arrogante quhet “vepër”. Ky është absurdi. Është paradoksale për artin.

Nëpër këto “libra” dhe nëpër këta “autorë” të shpifur nga rrethana që s’e njohin letërsinë dhe artin poetik, paraqiten dukuri të tilla dekadente. Ky zhvillim arrihet nga individë jopërgjegjës të lëmit të letërsisë, gjegjësisht të artit poetik.

*