Parathënia e librit “Në meshën e ullinjve”-Prof. Ymer Çiraku

Parathënia e librit “Në meshën e ullinjve”,nga Prof. Ymer Çiraku

Altruizmi estetik dhe mbështetja e pakursyer e Profesor Ymer Çirakut kanë qenë për mua një përvojë e rrallë dhe mjaft nxitëse, për t’i dhënë krijimeve të mia përkorjen stilistike, dimensionin e duhur lirik dhe frymën universale.

Duke çmuar mjaft kontributin e tij, si redaktor, në librin e sapobotuar “Në meshën e ullinjve”, falenderoj Profesorin, me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje, dhe po publikoj të plotë parathënien e librit, botim i “Albas” (Korrik 2025), mbështetur nga miku im Alket Veliu.

***

Prof. Ymer Çiraku është një nga studiuesit më të përkushtuar të letërsisë shqipe, me një karrierë akademike të shtrirë ndër dekada. Një studiues me profilin e vet të spikatur, me kontribut mjaft të rëdësishëm në formësimin e mendimit kritik letrar për letërsinë e sotme shqipe, por edhe për atë të traditës letrare. Ka dhënë mendimin e vet profesional për shumë epoka dhe rryma letrare, duke lënë gjurmë të thella në historinë e letërsisë shqipe. Prof. Ymeri ka qenë dhe mbetet një zë thelbësor në ndërtimin e një vizioni modern për studimet letrare në vendin tonë. U shfaq në mendimin estetik, filozofik dhe akademik të kulturës, estetikës së letërsisë dhe interpretimit shkencor, në zbërthim të kodeve letrare të penave më të rëndësishme të letërsisë sonë si Pjetër Bogdani, De Rada, Lumo Skëndo, Martin Camaj, Lasgush Poradeci, Kol Jakova, Ismail Kadare etj. Prof. Ymer Çirakut i shkoi jeta mes studimesh me vlera kombëtare e më gjerë. Profesori dhe miku im i nderuar, mik i gjithë krijuesve të vërtetë , ka rrezatuar në breza të tërë studentësh dashurinë për letërsinë shqipe e rrjedhimisht për kombin shqiptar. Në korpusin e punimeve dhe kontributeve shkencore të profesor Ymerit shquajnë libra të tillë, si:

1. Në zbërthim të kodeve letrare (studime, ese)

2. Struktura e një krijimtarie letrare (Monografi mbi dramën e K. Jakovës) (studim)

3. Bota poetike e Martin Camajt (studim)

4. Gjurmime në letërsinë shqiptare (studim)

5. Letërsia bashkëkohore shqiptare (bashkëautorë: Ymer Çiraku, Agim Vinca, Bashkim Kuçuku, Natasha Lushaj)

6. Shqyrtime kritike nga Historia e letërsisë shqipe etj. dhe një numër të konsiderueshëm librash studimorë me

bashkautorë, apo autor i shumë teksteve shkollore të niveleve të ndryshme.

7.Shqyrtime kritike nga historia e letërsisë shqipe.

8. Qasje letrare.

9. Rrjedhave letrare.

“NË MESHËN E ULLINJVE”

Parathënie nga Prof. Ymer Çiraku: Poezia e Arben Iliazit, një univers letrar me tipare origjinale

Kjo përmbledhje e re me poezi që i përcillet lexuesit, titullohet me metaforën aq të gjetur e domethënëse “Në meshën e ullinjve”. Dihet se në besimin e krishterë, mesha është shërbesa themelore e kishës, ku evokohet në mënyrë ceremoniale sakrifica e Birit të Perëndisë. E Atij që, siç do ta përshkruante aq poetikisht me një metaforë antologjike në sibilat e tij, poeti ynë i parë Pjetër Bogdani, këtu e gati katër shekuj më parë, ishte kujtesa dhe venerimi i njerëzimit për “Nji bir të vetemë, qi Ama pat për mall…, Me Diell veshun`, e mbathunë me Hanë”.

Poeti tashmë i njohur Arben Iliazi, si kalkulues mjeshtëror i befasive poetike, arrin që ta transferojë simbolikisht këtë “meshë” me kuptimësi qartazi humaniste, në “katedralen” e heshtur e paqësore të gjelbërimit të ullinjve, me kurorat e tyre drejt lartësive të qiellit. Si lutja e tyre e përhirshme me përmasa kozmike. Në vend të qirinjve, edhe në këtë “meshë” vargjesh drithëronjëse për nga emocionet që ato ngjallin, nuk mungojnë të ndizen si flakëza të vogla kujtimet e mallshme për fate njerëzish, të cilët, mbeten përherë të endur në shtigjet dhe në udhëkryqet e pafund të jetës. Kjo u sjell atyre sfida e privacione, porse në këtë shtegtim të pandalur, ata ndihen se dinë ta kërkojnë fatin drejt realizimit të ëndërrës së tyre.

“Copat e zërit të tyre mes gjelbërimesh

si flakëza të vogla ndizen

duke mbyllur mes nesh dritare të vogla drite”.

Prania e dekorit të ullinjve, të ndeshura dendur në vargjet e kësaj poezie, nuk mbetet thjesht një peizazh i ardhur prej sentimenteve të vendlindjes joniane të autorit. Përtej një shënjimi, që nuk duhet kuptuar doemos në funksion veçse adresues, prania e ullinjve, herë e drejpërdrejtë apo herë e nënkuptuar, përcaktohet si ADN- ëja e kësaj poezie.

Pikërisht në shpalosjen e frymës së paqtë, që ajo e mbart si mesazhin e saj themelor dhe që e përcjell natyrshëm për te lexuesi.

Si një poezi që priret të projektojë artistikisht vlerat më sublime të njeriut, ndërkaq, duhet vënë në dukje se ajo nuk mbetet kurrsesi në caqet e ligjërimeve nanuritëse për shpalosjen e rrugëtimeve të gjata të njeriut. Brenda gjuhës specifike të poezisë, këtu transmetohen këndvështrime të thella konceptuale, ashtu siç dinë të synojnë poetët për të qënë njëherazi magjistarë të thurrjes së bukurive të fjalës, por edhe përçues të ideve misionare. Heroi lirik në këtë poezi, është vizatuar në një endje të pandalur në kërkim të një limani, që duket se ai nuk e gjen dot kurrë atë. Sado që e kërkon ngultazi nëpër shumë përpjekje e travaje. Dhe kjo, më shumë se trishtim e pezm, duket se i sjell atij ngazëllim dhe forcë për të mos u ndalur së kërkuari. Ashtu siç nuk ndalen valët e detit për të gdhendur shkëmbinjtë e brigjeve, gjelbërimi vërshues i ullinjve derdhur në rrafshina e kodra. Siç nuk ndalet kujtesa e kalvareve të njeriut, për të ndërtuar e dashuruar jetën.

Në këtë poezi, është arritur që të shpaloset harmonishëm një botë komplekse dhe jo lineare për nga larmia e motiveve, e gjendjeve dhe e situatave të pasqyruara e të përjetuara. Kjo krijon për pasojë, një panoramë poetike mozaikale, çka i sjell librit strukturë polifonike, ku ndërthurren artistikisht regjistra të larmishëm nga aspekti shprehës dhe stilistik.

Pikërisht në këtë konceptualitet artistik polifonik të librit, brenda metaforës frekuente të përjetimeve të paqta të ullinjve, nuk mungojnë edhe momentet që ata “ullinj të shohin endërra me aroma malli e dhimbjeje…” Këtu nuk synohet që të bëhen traktate historie, morali apo filozofije. Sepse poezia, është e vetmjaftueshme si art i fjalës. Dihet se ajo nuk mund që t`i flasë imediatisht veçse një kohe dhe një hapësire. Pra, poezia nuk mund të muroset kurrsesi brenda caqeve të tyre. Ato do të ishin korniza tepër të ngushta për hapësirat që poezia zotëron dhe kërkon drejt hapësirave të pafundme dhe të gjithkohshme. Dhe pastaj kuptohet që në këto dimensione të epërme letrare, mund ta gjejnë veten sigurisht edhe ato domene apo dukuri të pjesëshme, apo lokale.

Poezia e A. Iliazit, e krijuar dhe e botuar nëpër disa dekada vitesh, vështruar në arritjet e saj më të mira, tashmë është formatuar si një univers letrar me tipare origjinale, e cila ka fituar një pjekuri të sigurtë. Përgjithësisht, ajo mbetet një poezi e prirjes meditative, ku gërshetohen natyrshëm dhe larmishëm e tashmja me historinë, gëzimi me dhimbjen, e përkohshmja me të shenjtat e përjetshme… Rreth këtyre temave, rimerren një varg motivesh, të cilat synojnë dhe ia arrijnë që të sjellin në trajtë ciklike, një peizazh poetik sa më të përplotshëm të botës së njeriut, shpesh deri në qasjet më të brendshme e delikate të shpirtit të tij. Ujëvarat e begata stilistike, sidomos denduria e metaforave, nuk mbeten qëllim në vetvete, pra nuk mbeten elemente të një dekori të jashtëm neutral. Ato janë të derdhura organikisht dhe që arrijnë të projektojnë dhe të çlirojnë një energji të fortë emocionale dhe imagjinative për te lexuesi. Janë të ndeshura vargje metaforash vërtet befasuese si: “Me orkidenë e mëngjesit në dorë”, “pikojnë gjelbërimet”, “yje pritjesh”, “buzë të paputhura qielli”, “në brengën time mbiu një qipariz”, “qan një zog i kaltër plot maraz… dhe yjet i ul mbi kafaz” etj. Prania e herëpashershme e një figure stilistike si oksimoroni, përmes të cilit luhet poetikisht me të përkundërtat, apo të largëtat në vështrimin formal, arrihet të krijohen përshembull tablo të tilla aq prekëse e madje tronditëse si: “Më zuri nata, mike, më zuri nata/ Edhe kur të kisha, kurrë nuk të pata…” Këtu projektohet një dashuri e pamatshme dhe e pafundme, për nga thellësia dhe zjarrmia e ndjenjave mes të dashuruarve.

Poezia e A. Iliazit shfaqet si një krijimtari, e cila mbart esencialisht atmosferën e jetës së njeriut me një mori pamjesh thelbësore të saj, apo edhe disi të lehta e të parëndësishme, në vështrim të parë. Pra, është një poezi me “reliev” dhe jo e rrafshët, ku ndërthurren një larmi temash, zhanresh, formash e teknikash stilistike, të cilat zgjojnë jo vetëm kërshëri e befasi estetike, por që krijojnë edhe raporte aktive me lexuesin. Kjo i ka sjellë kësaj poezie një përjetim mjaft më të zgjeruar nga aspekti hapësinor e kohor që ajo zgjon e përcjell, përtej atij teksti real vëllimor.