Parllaku, gjenerali që bëri epokë:Nga Halil Rama–Mjeshtër i Madh


104-vjetori i lindjes së Heroit të Popullit dhe Nderit të Kombit, emrin e të ciit mban një nga rrugët kryesore në Tiranë

Parllaku, gjenerali që bëri epokë

 
Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

Para dhjetë vitesh, kur me bashkautor Sakip Camin shkruam dhe botuam monografinë “Rrahman Parllaku – Një legjendë në kufirin e dy kohëve”, shkrimtari i mirënjohur Teodor Laço (në parathënie) do të shprehej se nuk është thjesht një biografi tërheqëse, që për një shkrimtar do të qe një grishje për fantazinë. Është më shumë se kaq. Është një dëshmi për kohën që kemi lënë pas, për një kohë tepër të gjatë, si dhe jeta e heroit të librit, që jetoi mbi një shekull, dhe që si rrallëkush deri sa zemra e tij pushoi së rrahuri përgjithmonë (më 15 shtator 2019), mbarte dhe frymëzonte, me freskinë fizike, me mprehtësinë e gjykimit, me fjalën që nuk i binte përdhè, me gjallërinë dhe energjinë e një burri shteti… Nga jeta e një Matuzalemi si Ai, na ulet këmbëkryq historia. Nga lufta dhe përkushtimi i tij atdhetar na vjen një model për t’u ndjekur.
“Nga ëndrra e tij dhe e brezit të tij për një shoqëri të njerëzve të barabartë, që e kërkoi atë nëpërmjet komunizmit si ideologji, vjen edhe zhgënjimi i madh prej kësaj utopie që u përpoq të imponohej nëpërmjet luftës së klasave. Nga një çerek shekulli i dënimit të tij, nga plumbi dhe vdekjet në qelitë e burgut, mund të njohim një nga pamjet më makabre të dhunës së diktaturës. Nga veprimtaria si veteran në këtë çerek shekulli të demokracisë bashkë me të tjerë ish-të dënuar si L.Belishova, E.Ohri, H.Ramohito, etj., mund të mësojmë se kurrë nuk është vonë për njeriun që të bëhet mbështetës aktiv i proceseve demokratizuese të shoqërisë. Prej jetës së këtij njeriu, vijnë e të zgjohen edhe disa ndjenja, në dukje tepër intime, por që janë në thelbin e moralit të individit. Një prej tyre është dashuria dhe lidhja e tij me vendlindjen, me krahinën e Lumës dhe Kosovën. Historia dhe luftërat e tyre. Rrethanat ia sollën Parllakut që të punonte në zanatin ëmbëlsues të hallvës.  Tregtarët ambulantë të saj në Korçë e quanin “gegë”. Ky “gegë” shtathedhur, i fortë fizikisht, i pashëm që bridhte deri në Selanik, do të bëhej një nga drejtuesit kryesorë të njësiteve guerrile, pikërisht në Vlorë, aty ku ishte ndezur një nga vatrat kryesore të luftës antifashiste. Megjithatë, identiteti i tij mbetet i derdhur që nga fëmijëria, aty ku për vite të tëra ndarjeje bashkohej verilindja shqiptare me Kosovën shqiptare, me Kosovën, liria e të cilës ishte “Ëndrra e jetës së tij”. Dashuria për vendlindjen është një nga ndjenjat më të bukura. Kush e shpërfill, dëshmon për një shpirt të varfër. Jeta, lidhja me vendlindjen është zanafilla e respektit të tij për njeriun e thjeshtë, e humanizmit dhe altruizmit.
“Kur më dha për një mendim librin e tij në dorëshkrim “Mirënjohje familjeve vlonjate…”, i thashë se ndoshta iu kishte lënë më shumë vend nënave dhe grave vlonjate, në raport me ngjarjet e tjera të njësitit guerril. -Përkundrazi, iu kam lënë pak, – më tha. Pa dyert e zemrat e tyre të hapura, ne s’do të mund të bënim asgjë.”,-shkruan T.Laço. Këtë modesti dhe altruizëm në raportin e veprës së tij në luftë dhe më pas, unë kam patur mundësinë ta vërej dhe ta çmoj që nga takimi dhe biseda ime e parë me të rreth tri dekada të shkuara, kur bashkë me Liri Belishovën, Edip Ohrin e Skënder Malindin më besuan drejtimin e gazetës “Veterani” që u bë zëdhënëse OBVL dhe në të cilën ata kontribuan me mendimin e tyre progresist, duke pasqyruar realisht fakte dhe ngjarje të LANÇ të shtrembërauara nga historiografia e kohës së diktaturës”, shkruan Laço në parathënien e librit Rrahman Parllaku – Një legjendë në kufirin e dy kohëve” që u botua me rastin e 95-vjetorit të ditëlindjes së Heroit të Popullit, i cili po në këtë ditëlindje jubilare u dekorua nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “NDERI I KOMBIT”.

RRUGA “GJENERAL RRAHMAN PARLLAKU”

Do të mjaftonte qoftë edhe vlerësimi i shkrimtarit, politikanit e politologut Laço për të konkluduar në pavdekësinë e gjeneralit që bëri epokë, si legjendë në kufirin e jo dy, por tri kohëve. Se Ai i jetoi dhe përballoi me dinjitet kohën e monarkisë, të Luftës së Dytë Botërore e të sistemit monist si dhe tri dekada të dekokracisë. Si një protagonist me një jetë të jashtëzakonshme, gjeneral-lejtënant Rrahman Parllaku (Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit), na provoi se ndonëse në kohën tonë moderne të globalizmit nuk bëhet fjalë për legjenda ato ekzistojnë, pavarësisht heshtjes dhe indiferencës së opinionit publik. Emri i tij, me vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës Nr.137, datë 05.10.2020 është përjetësuar në segmentin rrugor që bashkon rrugën “Ali Demi” me rrugën “Petro Nini Luarasi” (Rruga “Gjeneral Parllaku”, e cila pritet të përurohet pas disa ditësh. Kështu, duke konsideruar kërkesën e Kryesisë së OBVL-së (Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ-it), kryebashkiaku Veliaj i propozoi Këshillit Bashkiak përjetësimin e emrit dhe veprës së ish-kryetarit të OBVL-së, gjeneralit legjendar Rrahman Parllaku, në një nga rrugët kryesore të lagjes ku Ai kishte banuar, deri në largimin për në botën e përtejme, tre vjete gjysëm më pare. (ceremonia e lamtumirës një ditë pas vdekjes, më 16 shtator 2019). Katër vjet më parë, me rastin e 100-vjetorit të lindjes, Bashkia e Tiranës e nderoi atë me titullin “Simbol i qytetit të Tiranës”. Kryebashkiaku Veliaj e vlerësoi Parllakun si një nga figurat emblematike të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që sfidoi edhe regjimin e diktaturës komuniste, si simbol i gjallë i kujtesës patriotike, qytetare dhe historike. Dhe në të vërtetë, ai qe kthyer në simbol të gjallë të kujtesës patriotike, qytetare dhe historike. Shqiptarët ndihen krenarë me jetën dhe veprën e “Heroit të Popullit” dhe “Nderit të Kombit”, që bëri gjithçka në shërbim të atdheut e kombit. Prandaj, edhe vlerësimet dhe nderimet ndaj veprës së gjeneralit janë plotësisht të merituara. Me gjeneral Parllakun ndihemi krenarë të gjithë.

BURIM FRYMËZIMI PËR BREZAT

Gjeneral Parllaku ishte dhe mbetet burim frymëzimi për brezat. Ai me përkushtim të rrallë e drejtoi organizatën tonë mbarëkombëtare për dy dekada dhe përkushtimi i tij bëri që OBVL të anëtarësohet në Federatën Botërore të Veteranëve.
Kontributi i tij në organizimin e drejtimin e LANÇ e të Ushtrisë Shqiptare e rendit gjeneral Parllakun në krye të plejadës së gjeneralëve shqiptarë që bënë epokë. Ai ishte dhe mbetet përmendore e gjallë e traditës dhe e virtytit familjar të trashëguar ndër shekuj.
Ish- i burosuri politik i regjimit komunist, i cili pasi doli nga bugu pas 17 vitesh vuajtje ne burgun e Burrelit, nuk u pajtua me amnistinë, por e kërkoi të drejtën në Gjykatën e Kasacionit nga ku fitoi pafajësinë. Dhe pikërisht gjenerali legjendë që gjatë viteve të burgut kishte lexuar dhe konspektuar 96 libra, letërsi shqipe dhe botërore, u la testament brezave tre librat e tij me kujtime: “Mirënjohje familjeve vlonjate që më pritën si birin e tyre”, “ Kosova e lire, ëndrra e jetës sime” dhe “Memoria hisorike e kombit”.

HEROI QË FITOI DUKE MERITUAR LAVDINË DHE PAVDEKËSINË

Retrospektiva dhe perspektiva kanë një prerje të artë në personalitetin e gjeneral Parllakut, atë e përshkon frymëzimi dhe dashuria për atdheun e tij, si lajtmotiv vijues mbikohor, që çliron në rrethana tipike energji shpirtërore pozitive në luftën e jetës. Jeta e tij është një shëmbëlltyrë e rrallë që na fton të kuptojmë se jeta meriton të jetohet kur luftohet fort dhe fitohet. Si një ushtarak, korrekt, i shquar, ai mbështetej në skrupuj të fortë të moralit kombëtar, me pikëvështrim të qartë dhe të kthjellët, duke ngjitur një nga një shkallët e karrierës ushtarake, si një gjigant hijerëndë që ngjitet i sigurt në bedenat e kalasë. Kalaja e pushteteve në kohë të ndryshme dhe situata të ndryshme, pati edhe shembje morale e politike, por këto nuk e dobësuan dhe përulën gjeneral Rrahman Parllakun, këtë soj të fortë shqiptari, që me mençuri diti të manovrojë në spiralet e rrezikshme të historisë shqiptare. Heroi i luftës në terren, i luftës dhe përballjes në gjyqe ushtarake, përballoi burgje e privime dhe fitoi duke merituar lavdinë dhe pavdekësinë. Jeta iu afrua heroit herë me tufa me lule, herë duke u derdhur mbi të me tërë egërsinë e saj. Rrallë gjen shembuj të tillë të personalitetit, ku të jenë ngjizur e plazmuar në mënyrë aq mjeshtërore vetitë e karakterit të një intelektuali patriot, të një drejtuesi e komanduesi të aftë ushtarak, të zgjuar dhe trim, të thjeshtë dhe të ndershëm, të bukur në trup, shpirt dhe mendime. Ai është një model i ardhur nga gjenocidi komunist si dëshmitar i gjallë për të kuptuar dhe vërtetuar peripecitë dhe traumat që kaloi ky popull i orientuar dhe i ideologjizuar gabimisht nga rryma dhe korrente të huaja. Mbi 20 vjet në krye të Shoqatës së Veteranëve të Luftës, me ndershmëri dhe principe të larta morale, ka kontribuar në ndriçimin e mjaft skenave dhe protagonistëve, të vërtetave dhe kërkimeve historike, duke dhënë edhe në moshë pensioni një ndihmesë të vyer në emancipimin politiko-shoqëror e demokratik të shoqërisë. Si një lundërtar i shquar, ai e drejtoi varkën e shpëtimit duke kapërcyer me sukses tallazet e historisë deri në brigjet e paqta të demokracisë që po jetojmë. Jo vetëm gjatësia kohore e jetës, por dendësia dhe përmbushja e saj me veprime, qëndrime dhe vlera në përmbajtjen e saj, e bën këtë figurë të lartësohet në nderimin tonë shoqëror, ku zëri dhe mesazhet e tij dëgjohen deri në organizata famoze ndërkombëtare. Në këtë vështrim, gjeneral Rrahman Parllaku përbën një shembull frymëzimi për atdhedashurinë dhe përkushtimin qytetar.