Partizani 16 vjeçar dhe vrasja nga fashistët-Gëzim Llojdia


Dossier

Gëzim Llojdia

…Të dridhet mishi kur mëson historinë e një djaloshi 16 vjeçari të vrarë nga fashistët.Çuditërisht megjithëse është shkruar 1 vit më parë,asnjë gazetë e djathtë dhe asnjë e majtë dhe asnjë e pavarur nuk e botuan shkrimin.Këto gazeta shqiptare që u japin kriminelëve 10 faqe,hajdutëve,mashtruesve nuk gjetën asnjë copë vend për disa reshta për këtë djalosh 16 vjeçar të vrarë nga fashistët.Turp…!

1.

Në vitin 1966. Gazeta:”Drita”,gazeta kryesore letrar e kohës sjell një skicë kushtuar një partizani 16 vjeçar.

Shkrimi titullohej:”Partizani 16 vjecar Xak Pengili”.

Si fillim shkrimi nis me një skicë të vogël të drejtorit të muzeut Krujë. Ai tregon se si e kishte njohur Myrteza Penglin,vrarë tragjikisht më 13 shtator nga plumbi fashist.

Më tej jepet hartimi i këtij trimi 16 vjeçar, vrarë nga fashistët,titulluar:’”Dita e Flamurit”.

….Pas vrasjes se Myrtezait rinia antifashiste e Tiranës nxori një trakt kushtuar heroit 16 vjeçar. Ndërsa Komanda e Batalionit Kruje-Ishëm i dërgon familjes së Partizanit heroik Xak Pengili, Tiranë, këtë mesazh:

…Djali i juaj ishte shembull trimërie dhe heroizmi në batalionin tonë.

Fytyra simpatike e shokut të vogël dhe të shumëdashur, është e pashlyeshme në kujtesën e gjithë shokëve te batalionit për vendosmëri dhe hedhjen e tij në luftë për liri. Kjo komandë në emër të të gjithë shokëve partizanë ju ngushëllon dhe me dhimbje merr pjesë në hidhërimin e juej. Betohemi se do të hakmerremi.

Komandanti:Beqir Balluku.

2.

Shkrimi fillon me një parathënie të Drejtorit të muzeut historik të Krujës :Ja çfarë shkruan konkretisht N.Goci.

…Myrteza Pengili shkurt Xaku, ishte një djalë i ri nga Kruja. Që nga bangat e shkollës, nga liceun e Tiranës, u lidh me lëvizjen nacional-çlirimtare,shpërndante trakte, merrte pjesë në demonstrata. Ishte një djalë i guximshëm. Qe shumë i vogël, po i zjarrte, dhe të gjithë e donin, e ngarkonin me punë dhe kishin besim tek ai.

U arrestua, u torturua, po armiqtë nuk nxorën dot prej tij asnjë fjalë. Xaku u hodh nga çetat partizane, pastaj në batalionin Kruje-Ishëm. Mori pjesë në disa aksione dhe, më në fund, në aksionin e Rrapit të Trishit, në një ndeshje të ashpër, me 13 shtator 1943, u vra nga plumbi fashist. Duke hapur zjarr me një breshëri automatikësh, shokët e tërhoqën trupin e tij.

Gjatë kohës, që ishte partizan, ngarkohej me detyra edhe në qytet. Më kujtohet fort mirë, pak ditë para se të vritej, kur e takova në pazarin e vjetër të Tiranës me një xhaketë verore dhe me opinga të lehta, me rripa. Si u përshëndetëm më tha:

” Italia na e mori të keqen, por tashti kemi punë edhe më të mëdha…»

Nuk arrita dot të bisedoj më tepër me të. Ai nxitonte. Dhe kështu me mbeti në mend gjithmonë duke rendur diku drejt lirisë…

Neki Goci:Drejtor i muzeut historik të Krujës.

3.

Ja disa pjesë nga hartimi i Myrtezait, shkruar me 12-XII-1942:

Hartim:

Dita e Flamurit

…Shqipëria tridhjetë vjet ma parë ka qen nën zgjedhën e Turqisë. Flamuri i ynë kuq e zi katërqind e pesëmbëdhjetë vjet nuk kish pamë diell me sy, pse Turqia donte t’a zhdukte nga faqja e Ballkanit. Të gjithë kishin marrë lirinë e tyne dhe kishin ngrijte flamujt,për Shqipnin e thojshin «mbaroi kombi shqiptar”. Qajshin për fatin e zi, që kishte. Por nuk besojshin se shqiptarët do të bashkoheshin për me përzënë anmikun nga Atdheu dhe me marrë lirinë, Shqiptarët nuk mujtën me i durue mizoritë, nuk mund të durojshin, që në shkrepat e maleve tona të valonte nji flamur i huej.

Kështu me shumë përpjekje, që banë shqiptarët, tue luftue për lirinë, me njëmijë e nandë qind e dymbëdhjetë, në muejin Nandor njizetë e tetë, plaku i pavdekun në shpirtin e shqiptarëvet ngriti flamurin kuq e zi në Vlonën kreshnike bashkë me shqiptarët e tjerë të vërtetë, duke luftue trimnisht, me dashunin e që ndjejshin në shpirtin e tyne.

Në vitin njëmijë’ e nandë qind e tridhjetë e nandë, në muejin e paharruem në gojën e shqiptarëvet, në muajin prill, popullin shqiptar e shtypi nji bishë e zezë dhe shqiponjën kreshnike e futi nër kafazet e hekurta… të mbyllun.

Ja pas dy vjetëve malet e Shqipërisë gjëmojnë përsëri si në kohen e : Skënderbeut e i trumbetojnë botës vendimin e burravet:

«Ja vdekje, ja liri».

Hija e burrave merr komandën në dorë, i prin popullit për në fushat dritëplota të lirisë. Populli zgjohet. Dhe zgjimi asht i furishëm, zgjim luani, zgjim trimi. Trimnija shqiptare del edhe njëherë para kollosit. Gjaku shqiptar vadit më shumë fusha dhe male. Pema e lirisë ka fillue të mbijë dhe ja tashti po rritet, rritet dhe forcohet duke u ushqye me gjak të kulluem të djemvet shqiptare.

4.

Pas vrasjes së Myrtezait rinia antifashiste e Tiranës nxori këtë trakt:

…Mbi varrin e shokut tonë shumë të dashur, Myrteza, vejmë këtë kurorë në shenjë kujtimi te paharrueshëm, të rrethueme me shkronja te arta:për katër vjet rresht robnije na internuen, na burgosën e na vranë.

Qëndresa e armikut qe e rreptë por kurrë plumbat e fashisteve nuk tremben Myrtezain tonë të dashur.

Luftoi si trim dhe si hero dy orë rresht dhe nuk u tund nga vendi pa urdhnin e komandantit të vet megjithëse mijëra plumba të armikut i vijshin nga çdo anë. Në mes krismave të pushkëve, bombave dhe mitralozave ndigjohesh zani i Myrtezait, që me këmbëngulje thërriste shokët për vazhdimin e luftës.

Ma në fund nji plumb i mallkuam goditi Myrtezain tonë të dashur. Familja dhe farefisi humbën nji djalë, partizanët një shok dhe Shqipëria një trim dhe një burrë.

Betohemi mbi varrin e shokut Myrteza se do t’ja marrim gjakun dyfish.

Qoftë i përjetshëm kujtimi i shokut Myrteza!

Nga Rinia Antifashiste e Tiranës.

Komandanti i batalionit ku bënte pjesë Myrtezai i dërgoi familjes këtë letër:

“Vdekje fashizmit Liri popullit “

Komanda e Batalionit Krujë-Ishëm. Familjes së Partizanit Heroik Xak Pengili. Tiranë.

…Djali i juaj ishte shembull trimërie dhe heroizmi në batalionin tonë.

Fytyra simpatike e shokut të vogël dhe të shumë dashur, është e pashlyeshme në kujtesën e gjithë shokëve te batalionit për vendosmëri dhe hedhjen e tij në luftë për liri. Kjo komandë në emër të të gjithë shokëve partizanë ju ngushëllon dhe me dhimbje merr pjesë në hidhërimin e juej.

Betohemi se do të hakmerremi.

Komandanti:Beqir Balluku.