Pas njëzet vjetësh-Vaso Papaj


Dhe po s’qesh më, pas njëzet vjetësh,

Do t’dua prapë të të takoj

E në kuzhinë, (zakon poetësh),

Në sytë e tu thellë të ngulmoj.

S’ka gjë për rrudha, për flokë të thinjur,

Buzëqeshja jote do t’i shkëlqejë

Dhe flladi i agut do t’na ketë nginjur,

Ashtu së bashku kur të na gjejë.

Dhe po s’qesh më, pas njëzet vjetësh,

Do t’dua prapë, si zjarr që mbron,

Të vij në dhomë, si ëngjëll shtretësh,

Të shoh jastekun si ma qafon.

E nëse gjumi të ka zbuluar,

Me frymë të lehtë të të mbulojë.

Gjersa me diell të jesh praruar,

Atëherë me heshtje le t’më largojë.

Dhe po s’qesh më, pas njëzet vjetësh,

Do vij të t’gjej si zonjë mbi zonjë,

Me mbesa e nipër, mes ditësh, netësh,

Të shfletosh vargje shkronjë për shkronjë.

E ndonëse botës dhe pas kaq vjetësh,

Më e madhja vlerë prapë i mungon,

Aty në librat e mi, mes fletësh,

Fle dashuria, që e shpëton.