Pasvështrim në fëmijëri-Llesh Gjoka


Llesh Gjoka

Nën hijet e pemëve u lindëm ne

Sapo dielli vizati dheun në rrezatim

U përndrit pylli me gjethe e kërcej

Zogjtë këngës ia nisën në një urim.

Nga amëz e tokës u ngritëm në këmbë si fjollë

Shtegun e ngushtë e shkelëm në ograjë

Gjurmët e para i lamë mbi dëborë

U freskuam në ujën e burimit fiskajë.

Me rroba të leshta, me të shkretat opinga

Ngjiteshim malit, rrugës për në shkollë

Duart i gërvishtnim nëpër shkurre e driza

Faqet nga era na bëheshin shollë.

U rritëm ne me bukën e pakët

Dhe lodrat e vitrinave të sotme na mungonin

Për kaluç bënim një trung të zgavërt

Dhe plazhin e kishim në breg të përroit.

U rritëm ne me pantallona të grisura

Pa bori makine, pa timon

Si shigjetë lëshoheshim faqeve të thepisura

Me thirrje e britma gëzimi mbushej dita jonë.

Kur nata avitej me cergën e përhimtë

Dhe yjet mbi kokë na i llamburiste

Shtëpitë i ndriçonim me një kandil të zymtë

E zjarrin në vatër me krande e ndiznim.

Me vështrimin e butë të babait sytë i pulitnim

Me ledhet e nënës gjumi na zinte

Murlani i ftohtë prante kur flinim

E përroi pranë shtëpisë në heshtje nate binte.

U rritëm ne, morëm rrugë, u bëmë me shkollë

Zbritëm nga malet e serta në fushë

Morëm me vete pak re mbi kokë

Erërat na u mbështollën si shall në gushë.

Ndër sy na mbeti një vetëtimë e largët

Një korale me këngët e zogjve na shoqëroi

Flokët nëpër mjegull na mbeten të lagësht

E shtigjet na kthyen pas nëpër ëndrra gjithmonë.