Paulin Z. Zefi

Në kohën kur paraardhësit e shumicës së europianëve të sotëm jetonin ende nëpër shpella, në banesa palafite dhe në kasolle primitive, këtu u hodhën themelet e një qyteti, i cili përfaqëson bërthamën e parë protourbane të Lezhës dhe një ndër qendrat e para të banuara të ndërtuara me struktura guri, jo vetëm në territorin shqiptar, por edhe në Kontinentin Europian dhe në Pellgun e Mesdheut.
Këto janë gërmadhat e Akrolisusit, një lokalitet arkeologjik, që ndodhet mbi kreshtën shkëmbore të Malit të Shëlbuemit (408 m), i cili ka një vertikale të thellë historike që shkon deri në fazën tranzitore të kalimit nga Epoka e Bronzit për në atë të Hekurit, shek. XIII-XII p.k. Këtu vihet re një stratigrafi shumë e pasur, ku evidentohen shtresa të ndryshme kulturore, duke nisur nga substruksionet e Epokës së Bronzit. Mbi strukturat murale antike ilire, gjenden të shtresëzuara edhe dy objekte religjioze, si Kisha mesjetare e Shëlbuemit, me emrin e së cilës është pagëzuar ky masiv gëlqeror me formë piramidale, dhe mbi të, gjatë periudhës së pushtimit osman, është ndërtuar Turbja e Xhymert Kasapit. Mbetjet e mureve antike kanë trajtë vezake, me drejtim veri – jug, dhe kanë një gjatësi prej 330 m. e gjerësi 80 m. Ky aset i çmuar i Trashëgimisë sonë Kulturore Kombëtare, i njohur si “Rrënojat e Malit të Shëlbuemit mbi qytetin e Lezhës”, është Monument Kulture i Kateg. I, i shpallur fillimisht nga Instituti i Shkencave (botuar në Gazetën Zyrtare: vendimi Nr. 95, dt. 16.10.1948), si dhe nga Rektorati i Universitetit Shtetëror të Tiranës me vendim nr. 6, më dt. 15.01.1963 dhe nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës me vendim Nr. 1886, më dt.10.06.1973.