Pelerinë e grisur-Seti Pezaku Vladi


PELERINË E GRISUR

Në bregun e sirenave me valët flokëbardha

profetët e gjelbërimit derdhnin psherëtima,

nën hije kreshtash me kurora të larta

veronin ëndrrat vesh me cicërima.

Ky rrethim i virgjër me qiell pishnajash

pelerinë që vishte bregdetin magjik,

mbi kodra Durrësi si luan i shtrirë

përtypte iliadat e detit epik.

Një ré ngarkuar me rrebesh furtune

rrëmbeu foletë e hijeve të dashurisë,

I flaku në këmbët e rërës shkumuar,

shqeu pelerinën e blertë të bukurisë.

Pisha truphedhura dashuruar me diellin

ikët nervoze, dëshpërimin na latë,

dhembjen dhe brengën me vete e morët,

as bregut lamtumirë, as valës nuk i thatë!