Pemë:Preng Maca

Pemë
nuk e di se si ngjau ato kohë,
kur të njoha ty, kur çmendesha për ty
kur të takova
gjithnjë kisha dëshirë të isha ajo krijesa,
që e dëshiroje më shumë,
që e kishe të nevojshme
të ishe , të jetoje
me më shumë lumturi dhe dashuri,
prej të cilës prisja të shihja atë dritën
që të bën të gjendesh krejt ndryshe,
t’i shohësh me ngjyra të gjitha ditët!
befasisht dëshiroja të shndërrohesha në një …pemë,
duke shkuar rrugës,(ti), të mbështeshe ashtu rastësisht
(pa e ditur, se jam ajo pema )
të ndaleshe një copë herë,
ta ndjeja erën tënde të çuditshme,
mbetur në shqisat e mia gjithandej,
siç mbetet prej mbrëmjes një …ëndërr!
mbështetur ashtu tek ajo pemë, pa e ditur se jam unë
vetëm të pushosh , të ndjehesh e çlodhur,
i sigurt, se do ta kuptosh, se jam shndërruar në atë pemë,
sepse në çast, do të çelja degëve lulet e mundshme,
që i bën të dukshme vetëm dashuria,
e cila vjen aq rrallë,
dhe që ne shpesh e braktisim, pa shpjegim,
si një pemë anash rrugës,
prej së cilës ,(me nxitimin e pa kuptimtë),
heqim dorë të mbështetemi…