Për Bujanin,ku u projektua vetëvendosja -Nga Halil Rama


80 VJETORI-Konferenca e Bujanit projekoi rrugën që duhej ndjekur në vazhdimin e LANÇ dhe për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare

Halil Rama – Mjeshtër i Madh

Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçilirmtare në Kosovë u krijuan 8 brigada kosovare dhe disa njësi të tjera ushtarake partizane ku, u përfshinë 53000 kosovarë nga të cilët rreth 6200 prej tyre ranë dëshmorë.

ADEM DEMAÇI: “Konferenca e Bujanit është kryevepra politike e Fadil Hoxhës nga e cila ai, pavarësisht nga katrahurat e shumta që kaloi Kosova nën sundimin serb, nuk hoqi dorë nga parimet e saj”.

Bujani i Krasniqes, me shumë bëma në historinë tonë kombëtare, hijerëndë dhe kreshnik në prehrin e Malësisë së Gjakovës, mbi të gjitha njihet për kuvendin e tij historik, nga ku 80 vjet më parë u ideua e drejta e vetëvendosjes së kosovarëve për të ardhmen e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë.
Pikërisht në 80-vjetorin e Konferencës së Bujanit, salla “Teki Dervishi” në bibliotekën “Ibrahim Rugova” të qytetit Gjakovë mblodhi në një akademi solemne pasardhësit e atyre burrave trima e të mençur, që 80 vjet më parë, shpallën shprehjen e vullnetit të shqiptarëve për bashkim kombëtar, dhe me rezolutë, edhe njohjen Kosovës të së drejtës për vetëvendosje deri në shkëputje nga ish-Jugosllavia.
Personalitete nga Prishtina, Gjakova, Prizreni, Tropoja e Tirana, pasardhës të protagonistëve të atij kuvendi legjendar – ndër të cilët edhe i Lekë Hoxha, biri i burrështetasit Kosovar Fadil Hoxha, ideator dhe ndër firmëtarët kryesorë të rezolutës së këtij kuvendi historik, si dhe vëllai i tij Skënder Hoxha, ndjejnë një kënaqësi të veçantë, një krenari legjitime, për Bujanin e Malësisë së Gjakovës, për Bujanin e Krasniqes, për Bujanin, në hullitë jetësore të të cilit ecën koha e cila nuk jeton dot pa historinë e saj.
Dhe për këtë, sikur duan të flasin të gjithë, edhe kullat, edhe kalatë…, edhe këngët e vallet epike të interpretuara me mjeshtri të rrallë nga djem e vajza shtatlarta të truallit të Dardanisë. Burim frymëzimi për ne dhe për brezat që do të vijnë, libri “Konferenca e Bujanit, Gurthemel i shtetësisë së Kosovës” i autorit Dr.Alban Dobruna, botim i Institutit të Historisë Prishtinë. Si një testament atdhedashurie, mesazhet që përcillen nga ky libër për sakrifica të mëdha të tre brezave, për të arritur këtu ku jemi sot: Kosova e lirë – shtet sovran e demokratik, populli shqiptar kudo që jeton në trojet e veta etnike i ka fituar të drejtat nacionale e po shkon drejt konsolidimit të tyre. Një libër që i flet historisë…

KONFERANCA QË PROJEKTOI RRUGËN PËR
ZGJIDHJEN E ÇESHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE

Në Konferencën e Bujanit, u projektua rruga që duhej ndjekur në vazhdimin e Luftës Nacional çlirimtare për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, e cila nuk gjeti zgjidhje deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, por  platforma dhe programi i kësaj konference mbetën udhërrëfyes për zgjidhjen e problemit shqiptar në Ballkan.
Konferena e Bujanit na kujton një nga ato ditë të zjarrta të historisë moderne shqiptare, që përfshin Shqipërinë dhe Kosovën dhe ata gra e burra, komunistë e nacionalistë, atdhetarë e demokratë, përfaqësues të forcave të armatosura dhe të rinj antifashistë, që shënjuan një gur themeli në të nesërmen dhe vizionin për të ardhmen e çështjes shqiptare.
Gjeneral Rrahman Parllaku, Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit –ish kryetar OBVL ,ë sesionin jubilar të para dhjhetë viteve (organizuar nën kryesimin e ish kryetarëve të parlameneteve të Kosovës dhe Shqipërisë, Jakup Krasniqi dhe Ilir Meta) e ka vlerësuar Konferencën e Bujanit si një eveniment kombëtar, jo vetëm për Kosovën, por për gjithë Shqipërinë. Sepse në këtë Konferencë u shtrua për zgjidhje çështja kombëtare shqiptare. Kjo konferencë ballafaqoi shqiptarët e të dyja anëve.
“Konferenca e Jaltës kishte vendosur që shteteve që ishin pjesëtare të aleancës Antifashiste të popujve nuk i ndryshoheshin kufijtë. Kishin lënë një klauzolë, kur të dy popujt janë në anën e luftës Antifashiste marrëdhëniet do të zgjidheshin në mënyrë bilaterale, dmth do merren vesh me njëri tjetrin për të zgjidhur problemet. Ky vendim për bisedime midis shqiptarëve dhe jugosllavëve nuk u realizua. Si fillim konferencën e Bujanit ata e zhvlerësuan. Duhet të themi se edhe nga ana shqiptare nuk pati një këmbëngulje, një përpjekje për ta diskutuar këtë problem. Nuk gjejmë një dokument, ku të tregohet se është ulur udhëheqja shqiptare me udhëheqjen jugosllave për të kërkuar Kosovën”, ka deklaruar gjeneral Parllaku.
Le t’i referohemi në prag të 80-vjetorit të kësaj ngjarjeje të shënuar edhe deklaratës që kryeministri Albin Kurti ka bërë pesë vjet më parë, në tryezën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, se konferenca e Bujanit ka qenë një konferencë e gjerë e frontit antifashist të Kosovës, dhe aty kanë marrë pjesë përfaqësues të të gjitha shtresave e krahinave të Kosovës.
Kurti, atëherë kryetar i vetëvendosjes, ka thënë se kjo konferencë është tejet e vlefshme si moment i rëndësishëm i Republikës së Kosovës. Kjo , sipas tij për faktin “Kjo konferencë, edhe pse thuajse është heshtur për të, dhe nuk njihet siç duhet nga qytetarët, është tejet e vlefshme, si një nga momentet e rëndësishme kur populli i Kosovës, ndërkohë që rreshtohej kundër fashizmit si shumë popuj të tjerë të botës, në të njëjtën kohë, afirmonte të drejtën e vet për Vetëvendosje, dhe dëshirën e vet të kahershme e të vazhdueshme për t’u bashkuar me Shqipërinë. Rezoluta e Bujanit, e cila i përmban pikërisht këto shprehje, u votua prej të gjithë pjesëmarrësve, përfshi edhe atyre serbë e malazezë.”

ÇFARË PËRMBANTE REZOLUTA E BUJANIT

Aspiratat e atyre burrave të kombit, të shprehura mirëfilltazi në Rezolutën e Konferencës Historike të Bujanit janë aktuale edhe sot, kur më shumë se kurrë, bashkimi kombëtar është imperative i ditës. Në një artikull të studjuesit Xhavit Lashi, botuar në vëllimin e dytë të librit “Dëshmorët në rrënjët e kombit shqiptar” (botim i Organizatës Kombëtare për dëshmorët e LANÇ dhe dëshmorët e tjerë të Atdheut në tetor të këtij viti, faqe 158), ndër të tjera na njeh se çfarë përmbante Rezoluta e Bujanit. Në pesë pika të saj qartësohet se:
Kosova e Rrafshi i Dukagjinit janë të banuara kryesisht nga Shqipëtarët;
Shqipëtarët e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, si gjithmonë në të kaluarën, ashtu edhe sot dëshirojnë bashkimin me Shqipërinë.
Rruga më ë mirë për Shqipëtarët që të bashkohen me Shqipërinë është lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë, kundër pushtuesit dhe shërbëtorëve të tij.
Populli Shqipëtar i Kosovës dhe i Rrafshit të Dukagjinit do të ketë mundësi të caktojë fatin e vet, si rezultat i luftës kundër pushtuesit.
Përcaktimi i fatit të vet përfshin edhe të drejtën e vetvendosjes deri në shkëputje.
Me gjithë debatet e zhvilluara , Rezoluta u miratua njëzëri. Dokumenti i Rezolutës është shkruar në gjuhën shqipe dhe në gjuhën serbo-kroate, nga Xheladin Hana me atë shkrimin e tij të qartë e të bukur. Në fund të gjithë delegatët të ngritur në këmbë me grushtin lart, kënduen internacionalen.
Nga pjesëmarrësit në Konferencën e Bujanit pat edhe dëshmorë që derdhën gjakun për çlirimin e atdheut si Hajdar Dushi , Xhevded Doda , Xheladin Hana , Jah Salih Mani , Tefik Çanga etj.

KUVENDI I IDEALEVE TONA KOMBËTARE

Krahas shumë ngjarjeve kulmore historike të kësaj krahine, folësit në këtë akademi përkujtimore, do të evidentonin kontributin e veçantë të Bujanit dhe Malësisë së Gjakovës për vënien në jetë të vendimeve të Konferencës historike që u mbajt më 31 dhjetor 1943 dhe më 1 e 2 janar 1944 në kullën e patriotit Sali Mani.
Po ashtu dhe Brigadën e 25 Sulmuese të drejtuar nga Veli Nimani me 900 forca (700 nga Tropoja e 200 nga Hasi) dhe katër batalione që drejtoheshin nga Idriz Rexhep Mulosmani, Ali Brahim Mustafaj, Mehmet Bajram Mulosmani dhe Ismail Poga, që së bashku me brigadat kosovare çliruan territoret nga Kosova deri në Sanxhak të Bosnjes.
Në këtë akademi solemne spikati mendimi teorik e shkencor i disa studjuesve, duke e konsideruar Konferencën e Bujanit si kuvendin e idealeve tona kombëtare. Për faktin se Malësia e Gjakovës ka qenë pjesë e pandashme e Gjakovës si qendër urbane, referuesit argumentuanj se ato historikisht janë ndihmuar e kanë vepruar së bashku në përpjekjet dhe luftërat e tyre për liri e pavarësi. Kjo për faktin se qyteti i Gjakovës s’bënte asgjë pa Malësinë e tij, sikurse edhe ajo do t’i shërbejë si mbështetja kryesore sa here kërcënohej Gjakova dhe mbarë Kosova nga zullumet e të huajve”, tha ai ndër të tjera. Kështu ndodhi edhe në Luftën e Dytë Botërore, kështu do të ndodhë edhe në vitet e përpjekjeve të mëdha siç është rasti me Luftën Çlirimtare të Kosovës në vitet 1998-1999.
Nisur nga këto premise nga kjo akademi përkujtimore u konkludua se Konferenca e Bujanit zë një vend të veçantë në historinë e re shqiptare, si një afirmim i fuqishëm i identitetit politik të Kosovës dhe i vullnetit të popullit të saj për bashkim kombëtar.
Nga e njëjta optikë, përcillet edhe sot pas 80 vjetësh historia e Bujanit si një prej fshatrave më me zë të fisit të Krasniqes e më gjerë, të vendosur afër qytezave ilire të Rosujes, të cilat sipas gërmimeve arkeologjike dëshmojnë për vazhdimësi jete tremijë vjeçare, me një besim e kulturë të hershme, që dëshmohet me xhaminë e ndërtuar këtu që në vitin 1786, e cila kishte edhe mejtepin, shkollën e ulët fetare ku mësohej shkrim e matematikë, e më vonë hapjen e të parës shkolle laike në gjuhën shqipe në Malësinë e Gjakovës në shtëpinë e Ali Jakupit në Dojan me 17 tetor 1922.

NË 8 BRIGADAT PARTIZANE 53000 KOSOVARË
NGA TË CILËT 6200 RANË DËSHMORË

“Ndër shtyllat e fuqishme të shtetit të ri në Kosovë mund të konsiderohet organizimi i Konferencës së Bujanit, pasi ajo u mbështetet në Karten e Atlantikut me të cilën garantohej vetëvendosja, pastaj Deklarata e Moskës, Rezoluta e Teheranit dhe Deklarata e Jaltës, ku thuhej: ”Gjithkush në tokë të vet e gjithsejcili të vendosi mbi formën e qeveris së vetë”,- tha ndër të tjera Dr.Alban Dobruna në referatin që mbajti në këtë Akademi Përkujtimore. Ai argumentoi se organizimi i Konferencës së Bujanit ishte një domosdoshmëri e kushtëzuar nga nevojë për t’i bindur masat shqiptare me një akt të besueshëm ashtu që të mobilizohen në luftë kundër fashizmit. Pra, për t’i frymëzuar ata që me të drejtë nuk i besonin ardhmërisë së pas luftës, arritën të bidnin një pjesë të popullit për angazhimin aktiv në këtë luftë, duke projektuar bindshëm vizionin e së ardhmes. Ishte ky besim i patundur i masës së gjerë të popullit kosovar që mundësoi krijimin e 8 brigadave kosovare dhe i njësive të tjera ushtarake partizane ku, u përfshinë 53000 kosovarë nga të cilët rreth 6200 prej tyre ranë dëshmorë.
“Aq sa ishte e vështirë dhe e ndërlikuar Lufta e Dytë Botërore në Kosovë kundër armikut, aq më e madhe është merita e lavdia e atyre që u hodhën në luftë dhe e organizuan rezistencën e saj. Njëri nga bartësit kryesor të këtyre ideve në Bujan dhe nismëtar i orëve të para të punës konkrete ishte mësuesi nga Gjakova, Fadil Hoxha, komunist me bindje, më vonë një nga udhëheqësit kryesorë të Kosovës dhe një nga udhëheqësit më të lartë të Jugosllavisë Federative. Veprimtaria e Fadil Hoxhës, duke filluar prej Konferencës së Bujanit e deri në mbarim të angazhimit politik të tij në Kryesinë e ish-Federatës Jugosllave më 1984 dhe duke përfunduar veprimtarinë e tij në Shoqatën e Veteranëve të LNÇK-së deri në vitin e vdekjes, përkatësisht më 2001, ishte e dendur. Fadil Hoxha ishte njeriu, luftëtari, komandanti, politikani dhe burrështetasi, i cili me punën, përkushtimin dhe veprën e tij jetësore i dha vulë një periudhe historike për më shumë se 50 vjet, por që me vlerat e saj tejkalon suazat kosovare dhe ato kombëtare. Për këtë dëshmon Jan Merret, ushtarak i misionit anglez i dërguar në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, në kujtimet e tij, ku do të shprehej: “Fadil Hoxha ka qenë një udhëheqës i respektuar i luftës në Kosovë”. Është pa dyshim një nga figurat e rëndësishme shqiptare të shek. XX. Ai në veçanti u angazhua dhe e ndihmoi me bindje të plotë procesin e shkollimit e të perfeksionimit të kuadrove të të gjitha profileve, aq shumë të nevojshme për Kosovën, për fatet dhe për ardhmërinë e saj, duke jetësuar së bashku me bashkëpunëtorët dhe bashkëmendimtarët e tij devizën “Nga Abetarja deri tek Universiteti dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës”, tha ndër rë tjera Dr.Dobruna..
Në këtë vlerësim ai i referohet luftëtarit më të paepur për lirinë e mendimit, mbrojtësit më këmbëngulës të lirive dhe të drejtave të njeriut Adem Demaçi, të cilit Paralamenti Evropian, më 4 dhjetor 1991, i dha Çmimin Saharov, që është shprehur se “Konferenca e Bujanit është kryevepra politike e Fadil Hoxhës nga e cila ai, pavarësisht nga katrahurat e shumta që kaloi Kosova nën sundimin serb, nuk hoqi dorë nga parimet e saj”

VIZITË MBRESËLËNËSE NË KULLËN E PATRIOTIT SALI MANI

Në vigjilje të 80-vjetorit të këtij kuvendi historik kujtoj një vizitë nga më mbresëlënëset të para dhjetë viteve me të ndjerin gjeneral Rrahman Parllakun – Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit dhe dhjetra personalitete nga Prishtina, Tirana, Gjakova e Tropoja, në kullën e patriotit Sali Mani, në Bujan të Krasniqes, ku me 31 dhjetor 1943 e deri më 2 janar 1944 zhvilloj punimet me sukses të plotë Konferenca Themeluese e Këshillit Nacionalçlirimtar për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit. Në podin karakteristik të kësaj kulle, në analet e historisë sonë të lavdishme, foto dhe fakte nga jeta e 49 delegatëve përfaqësues të viseve të Kosovës, prej të cilëve 43 ishin shqiptarë dhe 6 serbë e malazez. Pikërisht në ato tre ditë e netë të zjarrta të atij dimri të furishëm në këtë kullë u bënë diskutime e debate të vlefshme si dhe u miratuan dokumente të rëndësishme për punën e mëtejshme si: Proklamata drejtuar popullit të Kosovës, Rezoluta, detyrat prej 18 pikash për KNÇ-të si dhe telegramet përshëndetëse.
Pa dyshim se pjesa më e rëndësishme e Rezolutës së Konferencës është ajo që bën fjalë për të drejtën e patjetërsueshme të popullit të Kosovës për vetëvendosje. Aty pa ekuivoke thuhej: “Kosova e Rrafshi i Dukagjinit asht një krahinë e banueme me shumicë nga populli shqiptar, i cili si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron me u bashkue me Shqipni…”
Në konferencë u shtruan për zgjidhje dy çështje fundamentale: e para formimi i Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës, i cili do të identifikohej me individualitetin e subjektivitetit politik-shtetëror të Kosovës dhe e dyta, do të ishte zgjidhja e çështjes kombëtare për të ardhmen e shqiptarëve.
Për vlerat e kësaj konference të rëndësishme atë ditë folën ish – kryetari i Shoqatës të Veteranëve të LANÇ të Kosovës, shkrimtari Vehap Shita, general Parllaku dhe shkrimtarja disidente Flora Brovina

TESTAMENT I ATDHEDASHURISË

80 vjet më pas, Bujani shpaloset me tërë madhështinë e tij, i shtrenjtë, i bukur, përmendore e historisë sonë kombëtare! Bujani është i privilegjuar nga vetë natyra, me një pozitë gjeografike mjaftë të favorshme, duke filluar nga brigjet e lumit Valbona, vijon gjatë përroit të Gradazhnicës, që e ndan me fshatin Gri, vazhdon drejt Lozhës, në Bogishë, Depsyden, rreth Morajës, kalon në Cukal, sillet andej nga Liqeni i Ponarëve e në vijim drejt Qafës së Lugut të Thive, Lugut të Kaut, dirgjet nga kodra e Gojfilave në Bishevë, ku fillojnë kufijtë më Margegajt….
Kjo zonë ka njohur e po njeh një zhvillim intensiv në tërë infrastrukturën e saj socialkulturore. Pikërisht, edhe për këtë fakt bujanasit ndjehen më të plotësuar e më krenarë se kurrë. Ashtu si para dhjetë viteve gjeneral Parllaku, si një enciklopedi e gjallë na rrëfente me detaje kontaktet e shumta me patriotë të kësaj zone në vitet e zjarrta të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, dhe më pas si kuadër i lartë i Ushtrisë. E shprehu fare qartë këtë në bashkëbisedimin e ngrohtë e miqësor me deputeten e Kosovës, zonjën e nderuar Flora Brovina, e njohur si një aktiviste e hershme në fushën e të drejtave të njeriut dhe që vazhdimisht ka luftuar në emër të popullit të sa. Brovina, mjeke e shquar, poete e njohur, patriote e flaktë që përballoi me stoicizëm burgjet dhe dhunën barbare serbe, falënderoi nga zemra legjendën në kufirin e dy kohëven Parllaku për gjithçka ka bërë ai për Kosovën e për popullin e vet.
Pjesëmarrës në këtë Akademi përkujtimore të moderuar me mjeshtri të rallë artistike nga aktori nga Gjakova Betim Shehu, nënkryetari i OBVL Muharrem Gjoka-Mjeshtër i Madh dhe President i Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu”, Nderi i Kombit, mësuesja e talentuar Mimoza Kurti, veprimtare shembullore dhe promovuese e denjë e historisë dhe vlerave arkeologjike e etonokulturore të kombit shqiptar edhe në SHBA ku jeton e punon prej vitesh, dhe veçanërisht poetja dhe humanistja e mirënjohura Bujana Malaj, bijë e denjë e kësaj krahine, ndjejnë krenari të ligjshme teksa flitet për Konferenën e Bujanit dhe historinë e lavdime të Luftës Antifashiste të partizanëve kosovarë. Pjesmërrësit do të imprersionoheshin me recitimin e poezisë që Bujana i kishte kushtuar kësaj konference gur themeli në historinë e Malësisë së Gjakovës. Siç pohon vetë Bujana, autore e tre vëlimeve me poezi, frymëzimin për krijimin e kësaj poezie e kishte nga Rezoluta e Konferencës së Bujanit që ishte platformë dhe fitore e madhe e LANÇ, e cila nuk mund të tjetërsohet, as të shlyhet me kurrfarë mjetesh institucionale, as jashtë institucionale edhe për faktin se është arritur në Luftën e Dytë Botërore. Ajo flet me krenari për ata gra e burra, komunistë e nacionalistë, atdhetarë e demokratë, përfaqësues të forcave të armatosura dhe të rinj antifashistë, që shënjuan një gur themeli në të nesërmen dhe vizionin për të ardhmen e çështjes shqiptare.
Edhe në këtë akademi solemne në qytetin e Gjakovës, drejtues të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Kosovës, dega Gjakovë e të Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”, nga Gjakova si organizatorë të saj, përfaqësues të OBVL të Shqipërisë, historianë e akadmikë vlerësuan nisma të tilla për të kremtuar përvjetorët jubilarë të ngjarjeve historike të kombit tonë.
Dhjetra pjesëmarrësit në këtë akademi solemne, ndër të cilët kryetari i OVLANÇ të Kosovës Lekë Hoxha, nënkryetari i kësaj organizate, gazetari dhe shkrimtari i mirënjohur Bashkim Hisari, kreu i degës së OVLANÇ Gjakovë Skënder Hoxha, Prof. Rushdi Sefa, kryetar i Shoqatës së intelektualëve “Jakova”, Dr. Skënder Demalija – nip i komandantit të Brigadës së 5 partizane kosovare Shaban Haxhia, dr. Mehmet Rukiqi, Hasime Mertiri- mbesa e protagonistit të Konferencës së Bujanit Beqir Ndou dhe studjuesi i histories Mark Palnikaj vlerësuan mendimin teorik e shkencor të referuesve në të, të bindur se do të arrihet njohja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha shtetet demokratike të botës dhe se Kosova do të zërë vendin e vet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara e në organizatat e tjera ndërkombëtare, si shtet Sovran dhe i pavarur.
Në vigjilje të jubiluet të lavdishëm të 80-vjetorit të kësaj ngjarjeje madhore, kur aktualisht Tirana e Prishtina, por edhe Beogradi dhe gjithë hapësira Juglindore e Evropës tentojnë Brukselin si kryeqytet të përbashkët dhe evropianizmin e demokracinë, si vlera gjithashtu të përbashkëta, jo vetëm organizatat e veteranëve e shoqatat e intelektualëve në Tiranë e Prishtinë, por parasëgjithash autoritetet shtetërore dhe vendore, duhet të organizojnë, jo vetëm akademi përkujtimore, por edhe Konferenca Shkencore ku të evidentojnë rëndësinë e Kuvendit  të Bujanit, i cili  ka vënë themelet e shtetësisë së Kosovës, si subjekt konstitutiv i shtetit të lirë dhe të pavarur.