Për detin në qiell, për qiellin në sy-Nikollë  Loka


Për detin në qiell, për qiellin në sy-

Herë shkelqen në të gjitha ngjyrat që njeh,

herë mbyllesh në vetvete bardhë e zi,

në kohë me diell, në kohë me shi.

Ke një kohë për të tjerë, një kohë për vete,

një pakohësi…

ndarë në dy dete,

thellësi,

që e mat me sy,

me ngjyrën e re të ndjenjave,

që shpërfaqen mbi valë kur fryn,

dhe shkojnë drejt dy brigjeve të një ishulli të ri.

Dallgë të sirenave,

që e pushtojnë me krahë,

me një përqafim,

hijen e shpirtit tim…

Hijet që shkojnë e vijnë,

këputen në mes,

çdo mëngjes,

e na përpijnë…

Dhe nisen këndej e andej,

në dy brigje që kurrë s’u bënë bashkë,

me u dashtë.

Me u dashtë në largësi,

për mua dhe për ty,

për detin në qiell, për qiellin në sy.

Po ikje…

Më humbe te shtegu i verbër,

dhe tash mbledh çfarë gjej

nga moskuptimi.

Më humbe

te guri i pendimit,

ku plaken muzat

në një mot të vranët.

U ktheve

në zemërim qielli,

te një vend kushtimi.

Më humbe te fjala që po trembej,

në lumin që po çmendej.

Si një dallgë somnambul

po ikje…

mbi urën që po shembej.

Shpirti i tij

Lind prej frymës së tij

burimi i puhisë mëngjesore,

aroma e trëndafilave në gur,

dëshira e pathënë,

amaneti i vjetër që zgjohet.

Shpirti i tij një stinë,

fushë me lulebore,

natë me ylberë të rinj,

ëndërr e një reje që zgjohet,

yllësi…

Shpirti i tij.